Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ÇEZ kërcënon statusin e Shqipërisë

Nëse nga pesë vendet e Bashkimit Europian që bllokuan statusin në muajin dhjetor kanë mbërritur sinjale pozitive, nga Çekia mbërrin lajmi se statusi kandidat për Shqipërinë mund të bllokohet nga Praga dhe shkak për këtë është konflikti që shteti shqiptar ka me kompaninë çeke, CEZ.

Lajmi njoftohet nga agjencia çeke e lajmeve CTK e cila thotë se burime të sigurta nga Brukseli pohojnë se Republika Çeke po përgatitet t’i thotë jo statusit të vendit kandidat për Shqipërinë në samitin e BE-së që mbahet në fund të qershorit.

Shkak për këtë vendim është konflikti i nisur në fillim të vitit të kaluar mes qeverisë së atëhershme shqiptare dhe kompanisë së shpërndarjes CEZ. Në janar të 2013-s, Enti Rregullator i Energjisë në Shqipëri revokoi liçencën e kompanisë së shpërndarjes së energjisë, CEZ dhe shteti vendosi një administrator në krye të saj, si rezultat i të cilit CEZ-i e humbi kontrollin mbi shpërndarjen e energjisë.

Pak muaj më parë, Kryeministri Rama dhe Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri njoftuan nisjen e bisedimeve me kompaninë çeke për gjetjen e një zgjidhjeje dhe shmangjen e Gjykatës së Arbitrazhit, ku CEZ ka ngritur një padi kundër shtetit shqiptar.

Por sipas burimeve të CTK-së, Praga ka kritikuar faktin se bisedimet ndërmjet Shqipërisë dhe CEZ-it në Vjenë nuk kanë çuar kurrkund. “CEZ-i tashmë kërkon dëmshpërblim nga Shqipëria për të mbrojtur investimet e bëra”, thuhet në mediat çeke.

Javën e kaluar Komisioni Europian rekomandoi dhënien e statusit kandidat për vendin tonë. Vetë Komisioneri Stefan Fyle njoftoi përfundimin e këtij raporti gjatë vizitës së tij në Tiranë. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama, Fyle tha: “Dëshiroj ta bëj absolutisht të qartë që raporti i Komisionit, pa asnjë dyshim dhe rezervë rekomandon dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë”.

Top Channel, 09.06.2014