Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ankandi për 13 blloqe nafte, interes nga kompanitë e mëdha

Kompani të mëdha ndërkombëtare të naftës dhe operatorë lokalë po ndjekin me padurim ecurinë e një pusi nafte që është duke u shpuar nga një kompani e Amerikës së Veriut në Shqipëri. Ndërkaq, analistët e investimeve të tilla, megjithëse përdorin shprehjet “presim me padurim”, “parashikohet”, “potencial”, “mundësi”, tipike për riskun në një fushë të tillë, nuk e fshehin se rasti shqiptar mund të jetë surpriza europiane e naftës. Në fakt, Shqipëria kohët e fundit mori aq shumë vëmendje nga të mëdhenjtë e naftës edhe për shkak të potencialit të rezultateve “elefant” të depozitave të naftës që ministri shqiptar i Industrisë dhe e Energjisë, Damian Gjiknuri, vendosi t’i nxjerrë në ankand. Tenderi për raundin e ardhshëm të shitjes së të drejtës për kërkim shfrytëzimin e 13 blloqeve me potencial të madh të naftës dhe gazit është një proces ankandi ku ofertuesi më i lartë shpallet fitues. Marin Katusa, shef i Investimeve në Energji në kompaninë “Casey Research” thotë se ministri nuk do ta ndërmerrte këtë vendim nëse vendi nuk do të kishte rezerva të konsiderueshme. Ai thotë se nga vizita në rajon ka mbetur i habitur nga potenciali i rezervave. Nga studimet që ne kemi ndërmarrë kemi mbetur të impresionuar prej punës së realizuar nga “Petromanas Energy”, e cila është përpjekur që të ketë standarde botërore me gërmimet që po ndërmerr në Europë. “Kur Doug Casey dhe unë vizituam rajonin kohët e fundit, mbetëm shumë të impresionuar me potencialin e naftës të klasit botëror që ka Shqipëria. Ne presim me padurim për të parë rezultatet e shpimit të pusit që pritet të dalin brenda disa muajve të ardhshëm”, shprehet Katusa. Ai thotë se puna e këtyre muajve e “Petromanas” është përpjekje për të kapur depozitat “elefant” të naftës me një shpim të thellë në Shqipëri. “Unë kam parë kompani që të bëjnë kërkime masive të kësaj kategorie në vende si Afrika e Jugut. Nga ana tjetër, Shell, një nga kompanitë e mëdha ndërkombëtare të këtij sektori po investon 70 milionë dollarë për të fituar 75% të projektit. Grafiku-i-ecurise-se-kompanise-PetromanasNe nuk kemi parë një ekspozim kaq të madh ndaj rrezikut me synimin për fitime në periudhë afatgjatë”, thotë Katusa, i cili bashkëbisedoi javën e kaluar, në një videokonferencë me drejtorin ekzekutiv të “Petromanas”, Glenn McNamara. “Petromanas Energy” është duke shpuar një prej puseve me parashikimet më të larta për naftë në botë sot, Molisht – 1 në Shqipëri, e cila ka potencial për të transformuar kompaninë e vogël me bazë në Calgary – në një nivel të lartë të klasifikimit botëror për vitin 2014. Mbështetur nga financieri i njohur dhe filantropisti Frank Giustra, si dhe partnerja e fuqishme mbretërore, holandezja Shell, Petromanas është afër realizmit të synimit për të nxjerrë naftë nga thellësia e nëntokës shqiptare. Në nëntor 2013, kompania njoftoi se në pusin e parë të saj, Shpiragut – 2 , kishte zbuluar shenja nafte, me gjithë komplikimet që lindën gjatë shpimit. Një pus i dytë, jo shumë larg tij, Molisht – 1 , vazhdon të thellohet dhe aktualisht po tërheq mjaft vëmendje për potencialin që paraqet. Keith Schaefer, editor i “Oil and Gas Investments Bulletin”, shkroi më 24 shkurt 2014 se në qoftë se Molisht – 1 vazhdon me ritme komerciale dhe kompania ka suksese të mëtejshme gjatë eksplorimit, aksionet e “Petromanas Energy” mund të rriten me 20 herë ose më shumë. Kompania priti në një vizitë në terren në Shqipëri muajin e kaluar Frank Holmes, drejtor i “US Global Investors”, themeluesin e “Casey Research”, Doug Casey, redaktorin Marin Katusa nga “Casey Research” dhe investitorë të tjerë.

Gazeta Shqip, 21.05.2014