Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ballkan, kërkime për naftë; Shqipëria ‘on shore’

Shtohen shpresat se ende mund të zbulohet në nëntokën shqiptare depozita më e madhe « on shore » (në terren) e naftës dhe gazit në Evropë. Sipas ekspertëve të hidrokarbureve, kompanitë ndërkombëtare dhe ato lokale të naftës po ndjekin me kureshtje rezultatet e kërkimit dhe shpimit, që po ndërmerr në Shpirag një kompani amerikano –veriore.

Shqipëria së fundmi ka tërhequr vëmendjen e të “mëdhenjve » të naftës për shkak të potencialit të depozitave të naftës, thekson portali « Casey Energy ». Dhe kjo vëmendje është shtuar ndjeshëm pas deklarimeve të ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, se qeveria ka vendosur hapjen e procedurës për dhënien me koncesion të disa blloqeve që konsiderohen të kenë sasi të konsiderueshme nafte edhe gazi.

Marin Katusa, shef i investimeve energjetike në kompaninë “Casey Research”, thotë se ka parë kompani që të bëjnë kërkime masive të kësaj kategorie vetëm në vende si Afrika e Jugut. Nga ana tjetër, Shell, një nga kompanitë e mëdha ndërkombëtare të këtij sektori po investon 70 milionë dollarë për të fituar 75% të projektit. “Ne nuk kemi parë një ekspozim kaq të madh ndaj rrezikut me synimin për fitime në periudhë afatgjatë”, thotë Katusa.

Fqinjët

Që nga Greqia, Mali i Zi dhe deri në Kroaci, kompanitë e mëdha të naftës, në fakt, kanë rritur interesimin për kërkim të naftës dhe gazit në pellgun Adriatik-Jon, sidomos pas krizës së mundshme të gazit rus, pas ngjarjeve në Ukrainë. Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Ivan Vrdoliar, sapo deklaroi se në 12 mijë kilometra katrorë det, që tashmë është ndarë në 29 zona koncesionare, vlerësohet që ndodhen, jo pak, por 3 miliardë fuçi naftë të nxjerrshme. Një shifër e tillë do ta bënte këtë vend që të krahasohej me Norvegjinë. Në koncesione është vënë re prania e kompanive të tilla, si Shell, Exxon, ENI, etj.

Pak ditë më parë, edhe Mali i Zi njoftoi se vinte në dispozicion 3.200 km2 det për eksplorimin e naftës, ku gjithashtu shprehu interes italiania ENI.

Zbulimi i naftës dhe gazit nën det apo në tokë do të kontribuonte për të rritur ndjeshëm Prodhimin e Brendshëm Bruto të Shqipërisë dhe vendeve të tjera, duke zbutur njëkohësisht problemet e mprehta sociale shumëvjeçare të tyre, që vazhdojnë të minojnë paqen në Evropë.

Shqiptarja.com 21.05.2014