Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Efiçenca e energjisë në Shqipëri

Edhe pse kësaj çështjeje po i kushtohet shumë vëmendje në Bashkimin Evropian, proçesi në Shqipëri po ecën me ritme shumë të ngadalta.

BE kritikon Shqipërinë për sa i përket përparimit në fushën e energjisë dhe kërkon marrjen e masave urgjente për pakësimin e humbjeve në energjinë elektrike si dhe krijimin e një tregu të lirë (raport progresi i Komisionit Europian për Shqipërinë, viti 2013).

Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për politika për tu fokusuar në burimet e energjisë por duhet të shohim më mirë si e përdorim energjinë. Ka disa zgjidhje alternative që lidhen drejtpërdrejtë me menaxhimin e burimeve egzistuese dhe ripërtëritjen e jo vetëm të sistemeve por dhe të atyre pajisjeve që konsumojnë energji. Dihet se një llambë ekonomike është 5 herë më e fuqishme se një llambë e zakonshme. Ky lajm është i njohur nga shumë njerëz, por ka edhe faktorë të tjerë që lidhen me menaxhimin e energjisë në shtëpitë tona, p.sh.: duhet theksuar se termoizolimi i përshtatshëm mund të kursejë deri në gjysmën e faturës së energjisë elektrike. Kjo bëhet gjithmonë më e dukshme sidomos në periudhat kur ka mot ose shumë të ftohtë ose shumë të nxehtë. Në rastin e Shqipërisë ku në banesa nuk ekzistojnë instalime gazi për djegie dhe në pjesën më të madhe të rasteve as sisteme ngrohjeje qëndrore, kjo humbje si pasojë e mungesës së termoizolimit është konsum neto i panevojshëm i energjisë elektrike. E gjithë kjo humbje kthehet në konsum më të lartë të energjisë për qytetarët dhe bizneset dhe përbën edhe humbjet më të mëdha për CEZ-Shpërndarje.

Disa rekomandime për familjarët të cilët duan të marrin masa me kosto të ulët në shtëpitë e tyre për reduktimin e faturave të energjisë elektrike janë:

– Izolimi i dyerve dhe dritareve,

– vendosja e dritareve dopio xham që do të jepte një izolim më të mirë të banesës tuaj;

– Ndryshimi i llambave të thjeshta me ato LED;

– Përdorimi i pajisjeve elektroshtëpiake eficente në energji;

– Ndryshimi i sistemit të ngrohjes nëse e shihni që kërkon shumë kohë për tu ngrohur ose ftohur;

Nga ana tjetër ka patur ndërhyrje konkrete nëpërmjet fondeve të BE për projekte pilot për përmirësimin e eficencës së energjisë. Disa projekte të fituara nga organizata të ndryshme që operojnë në Shqipëri kanë sjellë një frymë positive me ndërhyrjet e tyre në komunitet. Duke testuar lagje të tëra pas ndërhyrjes së bërë dallohet konsumi më i ulët i energjisë dhe përmirësimi i kushteve të jetës nëpër banesa dhe një lehtësim për konsumatorin mbasi në fund të muajit fatura e tyre e energjisë, minimalisht është 50 përqind më e ulët.

Iniciativa të tilla duhet të shtohen më shumë dhe të shtrihen në qytete të ndryshme të Shqipërisë gjë që do të sillte ndryshimin e sjelljes në përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre dhe kontributin në përmirësimin e mjedisit.

Ekolëvizja, 15.05.2014