Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Miliarderët e naftës, shkaktarët e ndryshimeve klimatike

Sipas Huffington Post, kryetari i senatorëve demokratë në SHBA, Harry Reid akuzoi javën e kaluar miliarderët e naftës, vëllezërit Charles dhe David Koch, duke i quajtur si një ndër shkaqet e ndryshimeve klimatike.

Shtëpia e Bardhë sapo ka botuar një raport të detajuar mbi ndryshimet klimatike dhe pasojat e tyre. Reid i quajti gjetjet e raportit si të tmerrshme.

“Vëllezërit Koch e pranojnë se nuk janë ekspertë në këtë fushë, por këta miliarderë nafte janë shumë ekspertë në kontributin ndaj ndryshimeve klimatike,” tha Reid. “Këtë dinë ta bëjnë shumë mirë. Janë një ndër shkaqet kryesore të saj.”

Një studim i Universitetit të Masaçusetsit i vitit 2013 ka treguar se fabrikat Koch janë ndotëset më të mëdha në SHBA.

“Charles dhe David Koch janë në luftë me këdo që mbron mjedisin. Mund të duket absurde, por është e vërtetë,” deklaroi ai. “Këta dy miliarderë nafte po bëjnë fushatë të nxehtë, po shpenzojnë shumë para kundër gjithçkaje që do të kufizonte ndotjen, do të pakësonte vartësinë tonë nga burimet fosile apo kostot e energjisë për familjet e thjeshta.”

Vëllezërit Koch janë ndër sponsorizuesit më të mëdhenj të politikanëve republikanë dhe janë akuzuar shpesh nga mjedisorët se sponsorizojnë OJF dhe aktivistë që të shpërndajnë keqinformime mbi ndryshimet klimatike.

Ekolëvizja, 13.05.2014