Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Barriera të pakalueshme për energjinë diellore

Kosova po i ngulfat kompanitë të cilat duan të operojnë dhe investojnë në Kosovë. Të paktën kështu thonë vet ata të cilët po përballen me barriera të patejkalueshme.

Një ndër këto kompani është ajo “SGE”, për energji solare, e cila përkundër vullnetit, s’po arrin që të jetë prezentë në treg me shërbimet që i ofron.

Përfaqësues të kësaj kompanie, për këtë ia hedhin fajin institucioneve të vendit, të cilat po zvarrisin procedura me vite, e që po i bllokojnë kompani të shumta, të cilat janë të interesuara të investojnë në vendin tonë.

Kosovare Sadikaj, drejtoreshë e shitjes dhe marketingut, në kompaninë për energji Solare “SGE”, thotë për KosovaPress se edhe pse kjo kompani e cila financohet nga investitorë zviceran, është e pranishme në Kosovë që nga janari i vitit 2013, asaj po i pamundësohet veprimtaria, si pasojë e mos aprovimit të tarifave nxitëse.

“Ne kemi ardhur në Kosovë për të zhvilluar tregun e energjisë elektrike dhe me rrit punësimin në Kosovë. Mirëpo, problemet që kemi has këtu janë mungesa e vullnetit të mirë të institucioneve tona, fillimisht për të bashkëvepruar me neve. Pastaj, janë mungesa e ligjeve, rregulloreve, mungesa e miratimit të fitim tarifës nxitëse, e cila është aktuale dhe është objektivi kyç për nxitjen e investitorëve të huaj. Tarifa nxitëse, rregullon çështje të shumta, siç janë kyçja e energjisë në rrjetin elektrik, pastaj shitja e garantuar e saj, përmes tarifës e cila caktohet. Kosova ka zbatuar dhe ka përpiluar draft planin kombëtar 2013-2020, i cili parasheh miratimin e tarifës me 1 janar të vitit 2014-të. Por janari shkoi, shkoi shkurti, marsi, prilli. Jemi në muajin maj dhe tarifa ende nuk miratohet. Ky është një problem madhor, pasi që e ngec implementimin dhe zhvillimin e kompanisë sonë të sistemeve solare”, thotë ajo.

Sadikaj pohon se me gjithë takimet e shumta që ata kanë pasur me zyrtarë të ZRRE-së, MZHE-së dhe KEDS-it , ato kanë rezultuar pa asnjë rezultat konkret. Ajo thotë se ka mjaftë klient të interesuar për instalimin e teknologjisë, por se kjo të bëhet në formë vetanake përmes baterive, e që e bën sistemin diku 20 për qind më shtrenjtë se sa përmes tarifës dhe kyçjes në rrjet.

“Kemi kërkuar mundësinë e kyçjes në rrjet me anë të shkëmbimit të energjisë. Në momentin kur kemi shkuar në KEK, kanë thënë se kjo është kërkesë shumë e paparashikueshme, është hera e parë që dikush po na e parashtron një kërkesë të tillë. Nuk kemi pasur më herët. Kështu që na mungojnë ligjet dhe rregulloret për shkëmbim të energjisë…Kështu që kemi mbetur me duart të lidhura. Në asnjë formë nuk kemi mundur me zhvillu afarizmin e kompanisë sonë”, tha ajo.

Sadikaj, madje thotë se MZHE, përkatësisht ministri Besim Beqaj, ka miratuar direktivat me anë të cilave janë caktuar caqet për energji të ripërtërishme, gjë për të cilën thotë se është bërë në mënyrë të pabarabartë, duke mos u bazuar në asnjë lloj të analizave të kapaciteteve ekzistuese në Kosovë, duke i ndarë energjisë fotovoltaike solare, vetëm një për qind, në kuadër të gjitha burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Ai ka ankesa edhe sa i përket procedurave të licencimit, të cilat thotë se po i neglizhojnë proceset dhe të cilat po i demotivojnë investitorët potencial.

“Përveç këtyre mangësive dhe neglizhencave, është edhe një lloj tjetër që e vështirëson edhe më shumë punën tonë, procedurat e ndërlikuara të licencimit. Për me i zhvilluar dhe me i instalu kapacitete të mëdha, që janë deri me 1 MË, ZRRE kërkon që firmat me qenë të licencuara. Për këtë formë ata e bëjnë një mënyrë kontradiktore të kërkesave. Ta kërkojnë një dokument, ta kërkojnë një tjetër, ta kushtëzojnë të MZHE, ta kushtëzojnë tek KOSTT, kështu që është një trekëndësh i cili veç po i neglizhon investitorët potencial të energjisë së ripërtërishme. Ta kërkojnë dokumentin e fundit të parin, pastaj të parin të fundit. Kështu që është thjeshtë një barrikadë që e bëjnë me qëllim për interesa të veta personale”, tha ajo.

Duke i parë të gjitha këto procedura të cilat zvarriten tej mase dhe po ashtu pengesat që po krijohen për të mos lënë që të zhvillohet energjia solare, Sadikaj thotë se Kosova rrezikon t’i largojë investitorët potencial për të cilët ka aq shumë nevojë.

solar panels panele diellore“Është një rrezik shumë i madh. Pasi që Kosova është i vetmi shtet në rajon që nuk i ka të miratuara tarifat për energji solare dhe gjeotermike. Nuk e ka bërë ende lirimin e doganës dhe TVSH-së për pajisjet e energjisë së ripërtërishme. Ky është një rrezik shumë i madh për largimin e investitorëve, pasi që ne kemi qenë shumë këmbëngulës dhe shumë të vendosur për të gjetur mënyra të ndryshme të zhvillimit të afarizmit. Por jemi të informuar që ka shumë tjerë që kanë dhënë dorëheqje prej kësaj pune dhe janë larguar nga Kosova. Ka shumë raste tjera që i kanë pasur mjetet për me investu. Me kriju vende të reja të punës, por duke i parë rrethanat, duke e parë birokracinë, ryshfetet, senet janë larguar nga Kosova”, thotë ajo.

Sadikaj, kundërshton dhe vlerësimin e institucioneve për çmim të lartë të energjisë solare. Ajo thekson se energjia solare, është më e lirë se sa energjia me thëngjill. Për sisteme të pavarura që kanë filluar të instalohen në Kosovë, ajo thotë se çmimi është 0.08 cent për KW, e në rast të kyçjes në rrjet dhe miratimit të tarifave, ky çmim do të jetë dukshëm më i lirë, e që është 0.05 cent për KË.

Por zyrtarë të MZHE-së, pohojnë se përgjegjëse për këtë është ZRRE-ja dhe jo ata. Ndërsa zyrtarë të ZRRE-së thonë se arsyet e vonesës në marrjen e këtij vendimi, përveç ndjeshmërisë teknike të procesit, janë edhe ngarkesat e shumta, me të cilat po përballet ZRRE.

Adelina Myrtezaj, zyrtare për marrëdhënie me publikun në ZRRE, ka thënë për KosovaPress se ZRRE përveç që është në proces të përpilimit të metodologjisë për përcaktimin e tarifave nxitëse për energjinë fotovoltaike, është edhe në proces të shqyrtimit të të hyrave të lejuara maksimale të ndërmarrjeve të energjisë dhe strukturës tarifore.

Ajo thekson se në javët në vijim, Bordi do ta miratojë metodologjinë për tarifat nxitëse (FIT), e cila mund të përdoret si mjet për kalkulimin e FIT-it, për të gjitha teknologjitë e energjisë së ripërtërishme me interes të veçantë tek kalkulimi i çmimit të shitjes së FIT për energjinë solare (fotovoltaike).

“Pasi te përcaktohet metodologjia, Bordi i ZRRE-se do të vendos mbi parametrat e modelimit dhe kalkulimit të tarifës hyrëse të gjenerimit të energjisë diellore FV. Faktorët të cilët ndikojnë direkt në kostot e prodhimit të energjisë duhen përcaktuar nga Bordi i ZRRE-së para se të kalkulohet tarifa FV. Përcaktimi i këtyre faktorëve nga Bordi i ZRRE-së pritet të ndodh gjatë këtij muaj, pas të cilit do të publikohet edhe niveli i tarifave FV”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS-it ka thënë se deri më tani, KEDS është kontaktuar nga tri kompani të interesuara për të themeluar stabilimente të prodhimit të energjisë solare.

Sipas tij, KEDS ka dhënë të gjitha informatat e teknike dhe udhëzimet tjera që kompanive u nevojiten për të marrë licencën si prodhues të energjisë elektrike në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, ashtu siç është e definuar si procedurë nga rregullat e tregut.

“Më pas ne nuk kemi dëgjuar nga kompanitë dhe besojmë që janë në proces të marrjes së licencës nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Deri më tani kemi treguar përkushtim të plotë për bashkëpunim me palë të treta dhe bashkëpunëtorë të mundshëm dhe të njëjtën kemi bërë me të gjithë që kontaktojnë kompaninë tonë. Rezultat i këtij përkushtimi për bashkëpunim mund të cilësohet edhe kyçja e prodhuesit të energjisë elektrike me erë në rrjetin e distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike”, ka thënë ai.

Kosova Press, 11.05.2014