Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Si triumfoi politika e gazit rus

Austria nënshkroi një marrëveshje dypalëshe me Moskën, duke anashkaluar Bashkimin Europian. Gjermania në heshtje duket e lumtur me këtë. Interesat konkurruese të shteteve anëtare kanë vënë në vështirësi përpjekjet e Brukselit për politikë të përbashkët për gazin.

Lufta për gazin

Ndërsa zyrtarët në Bruksel po bënin thirrje që Europa të reduktonte varësinë e saj nga gazi natyror i Rusisë dhe të negocionte me Moskën si një bllok i vetëm, Austria në heshtje anashkaloi Komisionin Europian për të arritur marrëveshjen e vet dypalëshe për ndërtimin e një gazsjellësi.

Marrëveshja me Gazsjellësin e Rrymës së Jugut, i cili do të ndërtohet nën Detin e Zi drejt Bullgarisë dhe pastaj për në Europën Qendrore, tregon vështirësitë e Bashkimit Europian në krijimin e një politike energjetike të përbashkët mbi Moskën gjatë krizës së Ukrainës.

Ndërsa zyrtarët e BE-së bëjnë thirrje që Europa të heqë qafe gazin rus, kompani private e shtetërore, me mbështetjen e politikanëve, po ecin përpara me projekte për të blerë edhe më shumë gaz.

Kompania energjetike e Austrisë OMV ra dakord javën e kaluar me kompaninë shtetërore ruse “Gazprom” për ta sjellë gazsjellësin e Rrymës së Jugut (South Stream) në qendrën e gazit Baumgarten të Austrisë, duke anashkaluar Italinë, e cila dëshironte që gazsjellësi të përfundonte në territorin e saj

Marrëveshja ka gjasa të kënaqë një pjesë të njerëzve në Gjermanisë fqinje, për shkak se gazi do të dorëzohet tashmë më pranë konsumatorëve të saj.

Marrëveshja demonstron se kur vjen puna te diplomacia e gazit natyror, vendet europiane kanë ende interesat e tyre konkurruese, të cilat janë të vështira të bashkohen nën flamurin e BE-së.

Koha kur u nënshkrua marrëveshja dhe koincidenca e saj me lajmin se Europa do të vendosë më shumë rusë në listën e sanksioneve të veta me synimin për të nxitur Kremlinin të ulë mbështetjen për separatistët në Ukrainë, vështirë se mund të ishte më shumë se kaq në kundërshtim me politikën e BE-së.

Komisioni e ka vendosur në pritje procesin e miratimit për Rrymën e Jugut pasi Rusia aneksoi Krimenë në mars, duke shpresuar se vonesa do ta nxisë Moskën të ndalojë atë që Perëndimi e quan “ndërhyrje në Ukrainë”.

Brukseli thotë se Rryma e Jugut nuk përmbush rregullat e saj mbi pronësinë dhe aksesin në një gazsjellës. Por Austria dhe Rusia e kanë anashkaluar këtë, duke njoftuar se marrëveshja e tyre është dypalëshe dhe jo një marrëveshje në kuadër të Bashkimit Europian.

Synimi kryesor i Rrymës së Jugut, njësoj si projekti Gjermano-Rus Rryma e Veriut që synohet të ndërtohet nën Detin Baltik, është që të anashkalohet Ukraina. Kjo do të garantojë që mosmarrëveshjet mes Moskës dhe Kievit të mos prishin punë në eksportet e gazit rus në Europë, shumica e të cilit aktualisht kalon në gazsjellësit ekzistues të Ukrainës.

“Nëse ne biem dakord me Rrymën e Jugut, Europa do të shesë litarin me të cilin Rusia do të varë Ukrainën dhe do të bjerë gjithashtu dakord të rrisë varësinë e vet energjetike nga Rusia”, – thotë Frank Umbach, në Qendrën Europiane për Sigurinë e Energjisë dhe Burimeve (EUCERS), një skuadër kërkimore në Kolegjin King të Londrës.

Dështimet e së shkuarës nxisin marrëveshjen

Austria u nxit për të arritur marrëveshjen për Rrymën e Jugut pasi humbi në konkurrencën e vitit të kaluar për një gazsjellës tjetër që synon të sjellë gaz në Europë nga Azerbajxhani. Italia fitoi.

Projekti i OMV për gazsjellësin Nabucco u rrëzua në favor të rivalit Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) që përfundon në Itali. Kjo nxori nga shinat shumë vite përpjekje austriake, të cilat fillimisht BE i pati mbështetur, pra që Nabucco të sjellë gazin Azer në Europën Qendrore.

“Zhvillimet aktuale ndërkombëtare tregojnë edhe një herë se në terma afatgjatë, ne jo vetëm që duhet të diversifikojmë burimet tona energjetike, por edhe rrugët e furnizimit”, – tha ministri i Ekonomisë dhe Energjisë së Austrisë Reinhold Mitterlehner. “Në rast se Gazsjellësi i Rrymës së Jugut përfundon në Baumgarten, ne do të jemi më pranë këtij objektivi”.

Burime nga “Gazprom” thanë se ata kanë marrë ofertë gjatë javëve të fundit nga Austria dhe një marrëveshje u realizua sa më shpejt të qe e mundur.

Synimi i “Gazprom” dhe OMV është që të marrin pjesën e mbetur të lejeve nga fundi i vitit të ardhshëm dhe të fillojnë transportin e gazit nga viti 2017.

“Për Rusinë, ky projekt është një sinjal i qartë për Ukrainën se ajo synon të shmangë çdo mosmarrëveshje të ardhshme apo ndërprerje të furnizimeve”, – thotë Friedbert Pflüger, drejtor i EUCERS. “Referimi ndaj marrëveshjes dypalëshe të vitit 2010 për miratimin rregullator demonstron synimin e Moskës për të shmangur rregulloret e BE-së që mund ta bënin realizimin e këtij projekti më të vështirë”.

Minimi i Brukselit

Marrëveshja mes “Gazprom” dhe OMV është në vijim të strategjisë së Rusisë për të arritur marrëveshje dypalëshe që minojnë Komisionin, krahun ekzekutiv të Bashkimit Europian dhe institucioni që dëshiron të ndërtojë një front europian përballë furnizimit me energji.

Bullgaria, e cila importon pothuajse shumicën e gazit të vet nga Rusia, mbështeti gjithashtu Rrymën e Jugut muajin e kaluar, duke sfiduar thirrjet e Komisionit që vendet anëtare të mos hyjnë në marrëveshje dypalëshe me “Gazprom” pa miratimin e saj.

“Rryma e Jugut është një projekt me rëndësi strategjike. Tani ata (Parlamenti Europian) dëshirojnë të ndalojnë Rrymën e Jugut. E si mund të zhvillohemi ne? Kjo krizë për momentin tregon se ne nuk kemi siguri të furnizimeve me gaz natyror për Bullgarinë”, – tha ministri i Energjisë, Dragomis Stojnev.

Me qetësi dhe duke mbështetur vende më të vogla anëtare të BE-së si Austria dhe Bullgaria është Gjermania, ku qeveria ka thënë se e sheh Moskën si një furnizues të besueshëm me gaz dhe ku industria ka bërë investime të mëdha për të siguruar marrjen e gazit rus.

Gjermania është klienti më i madh i “Gazprom” në Bashkimin Europian dhe paguan rreth 15 miliardë dollarë në vit për gazin rus. Pas shumë vitesh lobimi nga ish-kancelari i Gjermanisë, Gerhard Schroeder, Gazsjellësi i Rrymës së Veriut filloi operacionet në vitin 2011.

Schroeder është kreu i bordit të Rrymës së Veriut dhe ka qenë kritik i ashpër i lëvizjeve për të izoluar Rusinë diplomatikisht. Ai tërhoqi shumë kritika në median gjermane javën e kaluar për një përqafim të ngrohtë me Presidentin Vladimir Putin gjatë një vizite në Rusia.

Rruga e propozuar për Rrymën e Jugut me gjatësi 2,500 kilometra do të kalojë nga Rusia nën Detin e Zi përmes Bullgarisë dhe Serbisë në Hungari dhe në fund, në Austri.

Kompania gjermane BASF, kompania më e madhe e industrisë kimike në botë, është partner te Rryma e Jugut përmes degës së vet të furnizimit me gaz Wintershall.

Kreu i bordit këshillues të BASF është Eggert Voscherau, vëllai i Henning Voscherau, i cili është kryetar i bordit të drejtorëve për South Stream Transport dhe një ish-politikan i njohur i Partisë Social Demokrate të Schroeder.

Një këshilltar i qeverisë në Berlin, duke folur në kushtet e anonimatit, tha se Berlini ishte i lumtur se një gazsjellës i ri tashmë po shkon në Austri në vend që të shkojë në Itali: “Sjella e gazit të Rrymës së Jugut në Austri është shumë më mirë për industrinë e Gjermanisë dhe sigurinë e furnizimit me gaz se sa marrja e tij nga larg në Italinë e Jugut”.

Gazeta Shqip, 09.05.2014