Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ blen energji me çmim më të shtrenjtë se KESH

Çmimi i blerjes së KESH është 48.26 Euro/MWh, ndërsa nga CEZ, 49.03 Euro/MWh. Kompanitë publike të energjisë vijojnë të blejnë energji edhe për muajin Maj 2014, pavarësisht përmirësimit të situatës hidrike në vend gjatë muajit prill….

Pavarësisht përmirësimit në basenet ujore të kaskadës së Drinit dhe rritjes së nivelit të ujit në digat e HEC-eve të kësaj kaskade, si dhe situatës së pritshme me reshje shiu të bollshme, shoqëritë publike KESH sha dhe CEZ Shpërndarje, kanë vijuar të organizojnë ankande për sigurimin e energjisë së nevojshme nga importi. Sipas burimeve nga këto shoqëri, importi është i nevojshëm për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes dhe plotësimin e nevojave të klientëve tariforë si dhe për shtimin e rezervës energjetike dhe rritjen e nivelit ne HEC Fierzë, për t’i paraprirë muajve të verës (specialistët e lidhin këtë strategji të KESH edhe me minimizimin e blerjeve nga importi me çmime të larta në periudhën pasardhëse)

Sipas të dhënave që Monitor.al ka analizuar nga faqja zyrtare e internetit të Koorporatës Elektronenergjetike Shqiptare (www.kesh.al), mbështetur në procedurat ligjore të blerjes nga KESH sha është zhvilluar dhe përfunduar procesi i negociatave me katër shoqëri prodhuesve/tregtare për blerjen e energjisë elektrike për periudhën 01-31.05.2014 prej 94.860 MWh.

Ndërkohë, po sipas informacionit nga faqja e internetit e CEZ Shpërndarje (www.cezshperndarje.al), rezulton se shoqëria ka zhvilluar të njëjtën procedurë blerjeje për periudhën 01.05.2014 deri 31.05.2014 dhe, duke vazhduar procedurën e negociimit, ka përzgjedhur pesë kompani prodhuese/tregtare si fituese të këtij ankandi.

Referuar gjithnjë burimeve zyrtare të të dy shoqërive publike vihet re se procedurat e importit janë zhvilluar në periudhë të njëjtë, pra 25-29 prill 2014. Lehtësisht vihet re se CEZ Shpërndarje ka kontraktuar një sasi energjie prej 163.180 MWh në profilin bande (nga ora 00:00-24:00 me një vlerë totale prej 8.024.635 euro dhe me një çmim mesatar prej 49.03 Euro/MWh.

Në Koorporatën Elektroenergjetikë Shqiptare, ku morën pjesë në negociata po të njëjtat kompani prodhuese/tregtare që ishin pjesë e negociatave dhe e fitimit të ankandit edhe të CEZ Shpërndarje, rezultatet ishin të ndryshme. Nga verifikimet, nëpërmjet burimeve zyrtare të kësaj shoqërie, konstatohet se, për të njëjtën periudhë dhe për të njëjtin profil blerjeje energjie, çmimi i blerjes së energjisë nga Shoqëria KESH sha është 48.26 Euro/MWh.

Edhe pse KESH sha blen një sasi mbi 10 herë më të vogël se sa ajo që blen CEZ Shpërndarje, çmimi i kësaj kompanie është përsëri më i ulët, ndërkohë që sipas çdo logjike ekonomike, ky çmim duhet të ishte mjaft më i lartë. Ekspertët e blerjeve në këtë shoqëri anonime nuk pranojnë të bëjnë koment lidhur me këtë fakt. Por duke vështruar edhe historikun e blerjeve edhe në muajt e kaluar, (përshembull muajt Shkurt dhe Prill të këtij viti- të dhënat gjenden në faqen zyrtare të shoqërisë) vihet se së KESH sha, paguan shumë më pak Euro/MWh se sa CEZ Shpërndarje.

Revista Monitor, 30.04.2014