Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Tërmet” çmimesh në tregun e karburanteve

Lëvizje pozitive në tregun me pakicë, por vazhdojnë spekulimet e pasiguria në standarde

Karburantet për mjetet e transportit rrugor arritën çmimet miks 190-200 lekë/litër ose rreth 1.386 euro/litër në janar 2014; siç pritej, shpejt tregu reflektoi pothuaj në të njëjtën masë rritjen edhe me 10 lekë të Taksës së Qarkullimit plus efektin TVSH në pompat e shitjes me pakicë. E përmendur gjatë 2013 për çmime 10-20 cent më të larta krahasuar me vendet e rajonit, dy muajt e parë 2014 Shqipëria u listua ndër vendet europiane me çmime të larta në karburante. Statistikat që publikohen periodikisht prej agjencive të specializuara e institucioneve intereuropiane treguan se me çmimin e Benzinës 95 Oct në pompa, Shqipëria kaloi në renditje midis të tjerave vende të rëndësishme europiane si Austria, Polonia e Kroacia, ndërsa me atë të Diezelit 10 ppm kaloi edhe Francën, Gjermaninë, Belgjikën, Spanjën, Greqinë etj.!

Pavarësisht luhatjeve me tendencë qartësisht në rënie të çmimeve në bursë dhe një dollari në dobësim të lehtë, por të vazhdueshëm kundrejt lekut, përqendrimi i aktivitetit me shumicë në 2-3 operatorë me fuqi të ndjeshme, klientelizmi dhe indiferenca e autoriteteve krijuan hershëm situatë oligopoli. Kjo shoqatë-corporate interesash, komandoi tregun në mbajtjen artificialisht të palëvizshme të çmimeve përgjatë gjithë vitit 2013.

Luhatjet në kuotimin e benzinës interpolohen dukshëm në fashën nga 1100 në 970 USD/ton, ato të Diezelit janë më të zbutura, por gjithsesi në fashën nga 1000 në 920 USD/ton, pra kurrsesi konstante. Por si përherë pas vitit 2010, korporata e OFN-ve transferoi “pa mëshirë” mbi konsumatorin shqiptar edhe rritjen prej 10 lekë/litër, edhe pse marzhi i lartë shpesh mbi 30 lekë miks që ata kishin krijuar duke spekuluar mbi çmimin e blerjes në bursë plus taksat, u lejonte komoditetin e zbutjes së kësaj rritjeje.

Edhe në raport me vendet në rajon e të BE-së, tregu shqiptar reflektoi të kundërtën e ecurisë që tregjet e tyre si p.sh. të fqinjëve tanë italianë apo grekë patën gjatë po të njëjtës periudhë.

Dy nga tregjet e ekonomive më problematike të BE, reaguan korrektësisht në përputhje me luhatjet në bursë. Sepse kompanitë e naftës dhe shoqatat e tyre edhe në këto dy vende ndjekin strategji të konsoliduara e afatgjata, pavarësisht nga dobësitë e ekonomisë apo shtetit përkatës.

Autoriteti ynë i Konkurrencës ka muaj që po heton këtë periudhë, ndërkohë që konsumatori dhe gjithë ekonomia vazhdon të vuajë pasojat. Vonesat në dhënien e rezultateve e vendimit përfundimtar me pretekstin e shtrirjes së hetimit në kohë, veç hamendësojnë kompleksitet, “qarqe të shkurtra”, pasiguri institucionale, kompetencë etj., për të ndërhyrë shpejt në një treg ku është abuzuar pa kandar.

“Tërmeti”

2014 reflektoi afërsisht të njëjtën situatë pararendëse; kuotimi i karburanteve në bursë pavarësisht një periudhe normale ngritje në dhjetor 2013, vazhdoi uljen deri në mesin e shkurtit 14 në fashën 1000-950 USD/Ton për Benzinën dhe 960-920 për Diezelin. Mbas kësaj periudhe, benzina pati një kapërcim-rritje e shpejtë duke arritur kuota mbi 1000 USD/ton dhe duke krijuar pa pritur një diferencë të madhe deri 100 USD kundrejt Diezelit i cili vazhdoi të bjerë.

Në Shqipëri, kjo situatë pati reagim pozitiv nga tregu; çmimet kanë vazhduar të ulen pikërisht pas gjysmës së dytë të shkurtit 2014, atëherë kur kuotimi i Benzinës të paktën, u rrit në bursë. Më shumë se 5-10 në Tiranë dhe 10-15 lekë për litër jashtë metropolit, konsumatori më në fund njohu ulje çmimesh. Thënë thjesht, për herë të parë pas vitit 2010 çmimet me pakicë papritur pësuan bindshëm rënie edhe në Shqipëri.

Risitë

Ç’ngjau? Në tregun e pakicës nëpërmjet rreth 16 stacioneve, hyri një operator potencial në brand dhe me çmime të ulëta. Përfaqësuesi zyrtar në Shqipëri “SPA”, ofertoi menjëherë çmimin fillestar prej 169 lekë/litër dhe gradualisht stabilizoi çmimin e tabelës në 175 lekë/litër për të dy produktet automotive, ndërsa në periferi e rrugë interurbane aplikoi çmimin “tërmet” 172 lekë/litër! Risia e dytë qe publikimi në faqen e Internetit të Certifikatave të Cilësisë së produkteve që tregton, një standard që ende nuk e ka aplikuar asnjë impiant përpunimi e rafineri, jo më kompani tregtare deri tani!

Operatorë të tjerë të afektuar, nxituan uljen e çmimeve në tabelat e tyre, por gjithsesi duke qëndruar shumë lart operatorit në fjalë. Kësisoj në rrugët dhe qendrat urbane, aktualisht gjen çmime karburanti miks nga mbi 190 në 167 lekë/litër. Duke qenë se të gjitha stacionet furnizohen pothuaj nga të njëjtit OFN që natyrisht aplikojnë çmime të larta në stacionet e tyre, 15-20 lekët e diferencës s’janë tjetër veç marzhe fitimi që ata realizojnë çdo dite në kurriz të konsumatorëve shqiptarë mbi nivelin dysheme të çmimeve të pakicës që zakonisht aplikohen nga operatorët periferikë. Më në fund atë që s’e bënë autoritetet e bëri ç’hermetizimi i tregut, hyrja dhe rikonfirmimi i lojtarëve të rinj, e bëri fillimi i legalizimit të konkurrencës edhe në Shqipëri.

Përfaqësues të shoqatës (njëkohësisht të OFN-ve), minimizuan efektin konkurrence dhe aluduan për ulje spekulative e shitje nën kosto me qëllim kapje tregu, por ndërkohë reaguan duke ulur disi çmimet në stacionet e tyre!

Le ta trajtojmë nëse janë realë apo nën kosto çmimi 175, 172 lekë/litër apo dhe ca më poshtë tyre. Në tabelë paraqitet ecuria e kostos së produktit përfshirë TVSH pas zhdoganimit të tij në magazinën doganore dhe e marzhit kundrejt çmimit 175 L/l.

Agjencia e Prokurimit Publik APP, është e vetmja agjenci që publikon zyrtarisht koston përfshirë taksat në doganë (çmimi referues), si e tillë dhe pavarësisht nga oponenca, në mungese të një informacioni zyrtar të besueshëm mbi strukturën e çmimit në Shqipëri, të dhënat janë marrë referuar buletineve të saj javore. Një strukturë e tillë në vendet e tjera, bëhet transparente në publik nga vetë Shoqatat Hidrokarbure për të shmangur keqgjykimet dhe qenë korrekt me luhatjet në bursa!

Siç shihet nga tabela, pas janarit 2014 marzhet kanë rënë për arsye të rritjes së pjesës së shtetit në çmim me 10 L/l, jo për shkak të ngritjes në bursë, e cila faktikisht ka vazhduar: Diezeli uljen, benzina pas shkurtit ngritjen. Duke hequr pjesën e TVSH në marzhe e duke mesatarizuar kontributin e dy produkteve (Benzina shitet më pak por me marzhe të larta, Diezeli më shumë e me marzhe të ulëta), rezulton se gjatë 2014 operatorëve që po aplikojnë çmimin 175 L/l, u ngelen minimumi 7-8 L/l miks ose rreth 4-5% e çmimit final në pompa, nivel ky i pranueshëm nga eksperiencat ndërkombëtare, por jo nga tonat. Si konkluzion, çmimi 175 L/l dhe më poshtë tij është real dhe mbi koston në doganë, është çmim që siguron mjaftueshëm fitim të taksueshëm me kursin aktual të bursës. Sa ka qenë në 2013 e më tej, mund të kalkulohet por, më mirë le ta japë autoriteti përkatës.

Gazeta Shqip, 27.04.2014