Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Skema e rimbursimit të TVSH për naftën

Ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka firmosur së fundmi ndryshimet mbi udhëzimin për rimbursimin e TVSH naftës, e cila përdoret në ndërtim, transport dhe shërbime. Kështu, udhëzimi i ri me Nr. 6/3, datë 8.4.2014 i firmosur nga ministri Cani parashikon që kreditimi i tatimit nuk lejohet për shpenzimet e karburantit, përveçse kur qëllimi i veprimtarisë ekonomike është blerja e karburantit me qëllim për ta shitur atë. Por për qëllime të veprimtarisë ekonomike të tatueshme, kreditimi i TVSH së gazoilit të blerë për këtë qëllim, është i lejueshëm deri në disa normativa të përcaktuara në udhëzim, mbi bazën e treguesit të përcaktuar sipas peshës specifike që blerjet për gazoil zënë në raport me qarkullimin e kryer për qëllime të veprimtarisë ekonomike. Sipas udhëzimit të Canit, normativat e kreditimit të TVSH së gazoilit në ndërtim do të jenë deri më 33% për prodhim materialesh inerte; deri më 32% për ndërtim shtrim rrugësh; deri më 8% për ndërtim banesash dhe objektesh të ndryshme; deri më 14% për prodhim betoni; deri më 25% për gërmime/shpime; 33% për prodhim tullash dhe tjegullash. Ndërsa për sektorin e transporteve parashikohet që për transport udhëtarësh rimbursimi i naftës të paguhet deri më 43%; për transport mallrash deri më 38% dhe për transport mallrash me mjete teknologjike 78%. Sakaq, në fushën e shërbimeve ka të tjera shifra. Udhëzimi i ri përcakton që shkalla e rimbursimit për autoshkollat të shkojë deri më 25%; për shërbimet e pastrimit të qytetit deri më 30% si dhe për peshkimin deri më 10%. Nafta e përdorur në sektorin e tregtisë do të rimbursohet deri më 3%, ndërsa për kategori të tjera të palistuara më lart, shkalla e rimbursimit do të jetë deri më 2%. Barra e provës për të provuar qëllimin e përdorimit të gazoilit për qëllime të veprimtarisë ekonomike të tatueshme, bie mbi personin e tatueshëm. Nëse nga kontrolli i thelluar konstatohet që personi i tatueshëm me pa të drejtë ka kredituar TVSH lidhur me blerjen e gazoilit, duke mos e justifikuar atë, Drejtoria Rajonale Tatimore aplikon të gjitha sanksionet që parashikon legjislacioni tatimor në fuqi.

Rimbursimi i TVSH

Sipas ligjit për TVSH, rimbursimi ose kreditimi i tatimit për një periudhë tatimore është totali i TVSH i zbatuar në lidhje me të gjitha furnizimet e tatueshme të bëra për personin e tatueshëm gjatë periudhës tatimore nga persona të tjerë të tatueshëm; të gjitha importet e mallrave të bëra nga personi i tatueshëm gjatë periudhës tatimore, kur këto furnizime a importime janë bërë për qëllimet e furnizimeve të tatueshme të bëra ose për t’u bërë nga personi i tatueshëm si dhe çdo kreditim i tatimit i lejuar në bazë të nenit 34, përveç rasteve kur në këtë ligj përcaktohet ndryshe. Kreditimi i tatimit nuk lejohet në asnjë rrethanë për shpenzime që nuk janë tërësisht vetëm për qëllime të veprimtarisë ekonomike. Një person i tatueshëm nuk ka të drejtë të kërkojë kreditim tatimi në bazë të këtij neni, në qoftë se ai nuk zotëron një faturë që tregon shumën e kreditimit të kërkuar, ose të kërkoje kreditim tatimi në bazë të nenit 34 nëse ai nuk zotëron dokumente që vërtetojnë se borxhi është një borxh i keq. Ministri i Financave cakton me udhëzim lejimin e kreditimit të tatimit për një person të tatueshëm përsa i përket një pjese të TVSH të paguar prej tij, në lidhje me furnizime të tatueshme dhe importime mallrash të kryera prej tij pjesërisht për qëllime të furnizimeve të tatueshme të bëra a për t’u bërë prej tij dhe pjesërisht për qëllime të tjera. Ministri i Financave ka të drejtë të caktojë në udhëzim që kreditimi i tatimit nuk lejohet në lidhje me ndonjë lloj furnizimi të tatueshëm apo importimi.

Sot News, 11.04.2014