Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Komisioni parlamentar, rezolutë për ERE

Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi sot projektrezolutën për vlerësimin e punës së Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për vitin 2013.

Projektrezoluta e hartuar nga anëtari i komisionit, z. Robert Bitri vlerëson punën e bërë nga ky ent gjatë vitit të kaluar dhe thekson rëndësinë e pavarësisë së këtij institucioni.

Nëpërmjet kësaj projektrezolute, komisioni rekomandon, veç të tjerash, nxitjen e ecurisë së procedurave që lidhen me projektin e gazsjellësit TAP. Një pikë e rëndësishme e projektrezolutës në të cilën u përqëndrua diskutimi i deputetëve kishte të bënte me çmimin e energjisë. Anëtari i komisionit, z. Kozma Dashi paraqiti një propozim ku të kërkohej në mënyrë eksplicite që çmimi i energjisë nuk do të ketë rritje gjatë vitit 2014.

Duke mbështetur këtë propozim, z. Genc Ruli theksoi se Kuvendi duhet të kërkojë nga ERE që të sigurohet se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë nga ana e CEZ Shpërndarje, përsa kohë kemi një nivel të tillë humbjesh dhe arkëtimesh. Energjia elektrike është një mall dhe për rrjedhojë përpara se çmimi i energjisë të rritet duhet t’u ofrojmë qytetarëve garancinë se humbjet do të jenë reduktuar nga 45% në 30% dhe arkëtimet do të jenë rritur mbi 80%,” tha z. Ruli.

Nga ana e saj, anëtarja e komisionit, znj Monika Kryemadhi theksoi se është e rëndësishme që nëpërmjet projektrezolutës të mbrohet konsumatori, por njëkohësisht të garantohet një administrim sa më i saktë i CEZ Shpërndarje.

Kryetari i komisionit, z. Eduard Shalsi theksoi se nuk është folur asnjëherë për rritje të çmimit të energjisë. “Propozoj që Kuvendi t’i kërkojë ERE që të gjitha vendimet që mund të ndikojnë në rritjen e çmimit të energjisë të mos miratohen pa u reduktuar ndjeshëm humbjet në rrjet dhe pa u përmirësuar ndjeshëm arkëtimet,” tha z. Shalsi.

Në këtë kuadër, z. Shalsi propozoi që të zhvillohen seanca dëgjimore me Ministrin e Energjisë, me administratorin e CEZ Shpërndarje, si dhe me përfaqësues të ERE-s për të monitoruar ecurinë lidhur me reduktimin e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve. “Sektori i energjisë është determinant për ekonominë shqiptare. Nëse nuk reformohet impakti në jetët tona është i jashtëzakonshëm,” tha kryetari i komisionit.

Në përfundim të diskutimeve, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi unanimisht projektrezolutën për veprimtarinë vjetore të ERE-s, që do i kalojë për miratim seancës plenare.

energjia.al  09.04.2014