Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

SHBA shënjestron naftën e Putin

Pjesa më befasuese e sanksioneve të Uashingtonit për biznesmenët rusë, besnikë të Presidentit Vladimir Putin, mund të jetë një fjali e vetme që përban një akuzë bombastike: që vetë Putin përfiton nga kompania e katërt më e madhe në botë e tregtimit të naftës, Gunvor.

Ndër njerëzit që Shtetet e Bashkuara shtuan në listën e sanksioneve, për të vënë nën presion Rusinë për ndërhyrjen e saj në Ukrainë, ishte edhe biznesmeni Gennadi Timçenko, një i njohur i vjetër i Putin dhe bashkëpronar i kompanisë me bazë në Gjenevë, Gunvor, që tregton rreth 3% të naftës në botë. Në njoftimin e sanksioneve, Thesari amerikan shkoi një hap më tej, duke shtuar një fjali të vetme, që godet pikërisht një nga temat më të diskutueshme, me të cilën Putin është përballur gjatë 13 viteve si “sundimtar” i Kremlinit dhe si kryetar i qeverisë.

“Aktivitetet e Timçenkos në sektorin e energjisë kanë qënë drejtpërdrejt të lidhura me Putin, i cili ka investuar tek kompania Gunvor dhe mbasë ka akses tek fondet e saj”, thuhet në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit. Por Thesari, ka refuzuar të bëjë komente të tjera për informacionet që ka në lidhje me investimet e Putin tek kompania Gunvor, dhe se si ai mund të ketë akses tek fondet e saj. Por deklarata e Thesarit amerikan, provokoi një përgjigje të shpejtë dhe të ashpër. Gunvor tha në një njoftim për mediat se, deklarata e Thesarit amerikan ishte e “skandaloze” dhe “false”.

“Gunvor mohon kategorikisht se Vladimir Putin ka ose ka pasur ndonjëherë pronësi tek kompania, apo ka përfituar nga biznesi direkt ose indirect”, tha Gunvor. Kompania ka dhënë vazhdimisht se Gennadi Timçenko dhe Shefi Ekzekutiv Torbjorn Tornkvist kanë secili nga 45% të aksioneve dhe pjesa e mbetur prej 10% është në pronësi të stafit. Gjithashtu Timçenko ka përgënjeshtuar vazhdimisht se Putin e ka ndihmuar të krijojë perandorinë e biznesit të tij, por për shkak të marrëdhënies së tij të gjatë dhe të ngushtë me Putin spekulimet kanë vazhduar.

Zëdhënësi i Putin, Dmitry Peskov i quajti këto sanksione si të papranueshme dhe tha se Kremlini po studion ndikimin e përfshirjes së Timçenkos në listë. Një ditë përpara vendosjes së sanksioneve, pra të Mërkurën, kompania Gunvor njoftoi se Timçenko ja shiti aksionet Shefit Ekzekutiv Torbjorn Tornkvist, i cili tashmë zotëron 87% të kompanisë, ndërsa 13% i përkasin punonjësve. Edhe Rusia u përgjigj të Enjten në mbrëmje, duke sanksionuar disa politikanë amerikanë. Në anën tjetër, liderët e Bashkimit Europian po tregohen më të përmbajtur edhe për faktin se Rusia furnizon me 1/3 e gazit që konsumon Europa dhe ¼ e naftës.

Scan TV, 21.03.2014