Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albpetrol, bamirësi me naftë

Në korrik të vitit 2010, Parlamenti miratoi një Akt Normativ të Qeverisë që i dha të drejtën kompanisë publike Albpetrol të shiste naftën e saj në treg me çmimet e bursës.

Më parë kompania e kishte të ndaluar këtë.

“T’i lejojmë kësaj kompanie, me çmimet e bursës ndërkombëtare të tregtojë mallin që ka, duke patur lehtësinë që të tërheqë likujditetet dhe të plotësojë detyrimet”, pati deklaruar në 8 korrik të vitit 2010, ministri i asaj kohe i Ekonomisë, Dritan Prifti.

Albpetrol ka dy burime kryesore prej nga përfiton naftë. I pari është prodhimi që nxjerr nga ato puse, të cilat kanë mbetur ende në pronësi të saj. Ndërsa burimi i dytë, që është edhe më i madhi, është nafta që kompania merr nga koncesionaret në formën e prodhim paraekzistues. Kjo është sasia e prodhimit që nxirrej nga puset para se ata të transferoheshin tek koncesionarët privat.

Deri para korrikut të 2010-ës, koncesionarët e paguanin sasinë e prodhimit paraekzistues, të konvertuar në vlerë monetare sipas çmimeve me të cilat ata shisnin naftën e tyre në eksport. Akti i Qeverisë i detyronte ata që ta dorëzonin prodhimin parekzistues, jo më në vlerë, por në naftë, që më pas Albpetrol ta shiste vetë në treg.

Por cilat janë efektet financiare të këtij vendimi?

Top Channel zotëron dokumentet, e një sërë ankandeve të zhvilluar nga Albpetrol për të shitur naftë. Dokumentat tregojnë se kompania publike që nga ajo kohë e ka shitur naftën e saj, me një çmim që është minimalisht 100 dollarë më pak për tonë se sa ai me të cilin shesin të njëjtën naftë koncesionarët privatë.

Dokumenti që zotërohet bën fjalë për rreth 25 mijë tonë naftë që Albpetrol ka shitur në janar të vitit të kaluar. Sipas tregohet në dokumentet, çmimi i shitjes varion nga 448 në 471 dollarë për tonë. Për të njëjtën periudhë ‘Bankers Petroleum’ e ka shitur të njëtën naftë me një çmim mesatar 570 dollarë për tonë.

Edhe në shkurt të 2013-ës diferencat në çmim për të njëjtën naftë janë mbi 100 dollarë për tonë. Humbjet arrijnë në miliona dollarë. Vitin e kaluar në prag të ndërrimit të pushtetit, Albpetrol nënshkroi një kontratë për të shitur 200 mijë tonë naftë, pjesën më të madhe të së cilës nuk e zotëronte, pra nuk e kishte prodhuar ende por do e merrte në të ardhmen nga koncesionarët dhe prodhimi i saj.

Vetëm nga ky ankand për shkak të çmimit të ulët të shitjes, Albpetrol ka humbur rreth 20 milionë dollarë edhe nëse krahasohet me çmimet e shitjes së koncesionarëve. Kjo në një kohë kur prej vitesh kompania për shkak të vështirësive financiare, jo vetëm që s’ka paguar në kohë detyrimet në shtet, por ka qenë problematike edhe në pagesat e punonjësve.

Top Channel, 20.03.2014