Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia, kusht për ndihmën e FMN-së

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi dje raportin e vet për Shqipërinë, raportin mbi programin e ndihmës për vendin tonë, si dhe reformat e kërkuara në këmbim të parave. Raporti reflekton marrëveshjen e arritur me qeverinë shqiptare dhjetorin e kaluar, por detajet e së cilës u mbajtën të papublikuara.

Raporti thekson se çdo tre muaj do të ketë një rishikim të situatës për të vlerësuar nëse Shqipëria i ka plotësuar kushtet e vëna apo jo. Raporti thekson se paketa e ndihmave ka një kushtëzim me disa reforma që duken se janë të panegociueshme.

Kushtëzimet kryesore lidhen me reformën e pensioneve, deficitin buxhetor dhe zgjidhjen e krizës së sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri.

Energjia, “për jetë a vdekje”

Mbledhja e faturave të papaguara të dritave dhe reduktimi drastik i vjedhjeve dhe humbjeve teknike në rrjet janë masa gjithashtu të kërkuara nga FMN si kusht për paketën e ndihmës.

FMN është më pak e qartë te paragrafi për energjinë elektrike nga sa është te reforma e pensioneve. Ajo flet për “kufizimin e subvencionimeve të çmimeve të energjisë për vetëm konsumatorët me të ardhura të ulëta”. Aktualisht, për konsumatorët familjarë, Shqipëria përdor dy tarifa. Për konsumin deri në 300 kWh, pavarësisht nëse konsumatori është i pasur apo i varfër, paguhet 7.7 lekë për kWh, ndërsa për konsumin mbi këtë fashë, paguhet më shtrenjtë. Në rast se qeveria nuk arrin të mbledhë faturat e energjisë, (aktualisht vetëm gjysma e energjisë së hedhur në rrjet paguhet), ka gjasa që do të duhet të kalojë te masa e thjeshtë e “kufizimit të çmimit të subvencionuar të energjisë te konsumatorët me të ardhura të ulëta”. Kjo mund të bëhet duke e ngritur çmimin për 300 kilovatorët e parë për konsumatorët me të ardhura më pak të ulëta.

Gazeta Shqip, 20.03.2014