Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hidrati i metanit, energjia e së ardhmes

Japonia fillon prodhimin testues të gazit të ngrirë nën tabanin e detit. Mund të japë energji sa importet e një dekade për këtë superfuqi ekonomike.

Harroje revolucionin e gazit argjilor që ka transformuar panoramën energjetike të Amerikës së Veriut. Energjia e së ardhmes mund të gjendet e groposur thellë në tokën poshtë oqeaneve të botës, si dhe në zonat gjithmonë të ngrira të Arktikut: rezervuarë të stërmëdhenj gazi të zënë në kurthin e kristaleve të akullit.

Në disa raste, ai quhet akulli që merr flakë. Këto hidrate metani kanë edhe potencialin për të ndryshuar flukset tregtare dhe gjeopolitikën e energjisë. Vende si Japonia dhe India, të cilat bazohen rëndë në importet e energjisë, mundet papritur ta gjejnë veten furnizues të rëndësishëm të energjisë. Vitin e kaluar, Kina njoftoi se ka identifikuar një rezervuar të madh gazi hidrati në pjesën veriore të Detit të Kinës së Jugut.

Teknika është me të vërtetë në ditët e veta të para. Shpimet testuese janë kryer deri tani vetëm në Kanada dhe Japoni, por Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), mbikëqyrësi perëndimor i energjisë së botës, nuk e përjashton mundësinë për mbërritjen e një revolucioni tjetër energjetik me përmasa të tilla sa të rivalizojë bumin e energjisë nga burimet argjilore në Amerikën e Veriut.

Maria van der Hoeven, drejtoresha ekzekutive e IEA-s, tha në një intervistë vitin e kaluar: mund të ketë edhe surpriza të tjera. Për shembull, hidrati i metanit jashtë brigjeve të Japonisë dhe Kanadasë… ky burim është ende në fazat e para të eksplorimit. Por gazi argjilor ishte në të njëjtën fazë dhjetë vjet më parë. Pra ne nuk mund ta përjashtojmë mundësinë e revolucioneve të reja që mund të vijnë nga zhvillimet teknologjike.

Hidratet e metanit janë depozita gazi natyror të zëna në kurth në ujë në struktura kristaline që krijohen në temperatura të ulëta dhe në presione të moderuara. Megjithëse vlerësimet e përmasave të këtyre burimeve janë shumë të ndryshme, ekspertët janë dakord se këto burime janë jashtëzakonisht të mëdha.

Sipas Parashikimit Botëror të Energjisë të IEA-s të publikuar vjeshtën e kaluar, edhe vlerësimet më konservatore e nxjerrin këtë burim më të madh se sa “të gjitha burimet e tjera të gazit natyror të marra së bashku”.

Shumë vlerësojnë se burimi i ri përmban 1 mijë trilion deri në 5 mijë trilionë metra kub gaz në gjendje për të mbuluar 300 deri në 1500 vjet prodhim me nivelin aktual të prodhimit. Shërbimi Gjeologjik Amerikan vlerëson se hidratet e gazit në të gjithë botën janë 10 deri në 100 herë më të bollshme se sa rezervat amerikane të gazit nga burimet argjilore.

Gjithsesi, megjithëse shumë qeveri kanë hetuar hidratin e metanit që nga fillimi i viteve 1980, asnjë vend nuk është përqendruar te mundësia e zhvillimit të shfrytëzimit tregtar të këtyre burimeve. Shfrytëzimi i tyre duhej të kishte kuptim nga pikëpamja e kostove.

Ka pasur edhe burime të tjera karburantesh fosile, veçanërisht naftë dhe gaz konvencional dhe më së fundmi, gaz argjilor, që kanë rezultuar më të lehta dhe më të lira për t’u nxjerrë.

Gjërat ndryshuan në fillim të vitit të kaluar. Në mars, Japonia u bë vendi i parë që arriti të nxjerrë me sukses gaz nga një depozitë hidrati metani nën Oqeanin Paqësor. Ky vend ka arsye të mëdha të kërkojë hidratin e metanit. Pasi mbylli shumicën e stacioneve të energjisë bërthamore tre vjet më parë pas krizës në impiantin bërthamor të Fukushimës, vendi është bazuar tek importimi i gazit natyror të lëngëzuar, i cili është i shtrenjtë, nga vende si Katari.

Para katastrofës së Fukushimës, energjia bërthamore siguronte 30 për qind të energjisë elektrike të Japonisë në krahasim me 25 për qind të sigurohej nga gazi i lëngshëm (LNG). Që nga ajo kohë, pjesa e LNG-së është rritur në 45 për qind. Rritja e importeve të energjisë ka shkaktuar deficit në bilancin tregtar të një vendi ku prej kohësh problemi kryesor ka qenë suficiti tregtar.

Sipas Paul Duerloo, partner dhe drejtor menaxhues në Boston Consulting Group në Japoni, ky vend është në majë të listës së vendeve që kanë interes për të zhvilluar depozitat e veta të hidratit të metanit. Japonia, thotë ai, po paguan rreth 15 dollarë për mijë njësi termale britanike (MBTU), ndërkohë që çmimi referencë në SHBA është 4 deri në 5.5 dollarë, ndërsa në Europë çmimi është më pak se sa 10 dollarë.

Ky vend, shton Duerloo, ka pak alternativa në kuptimin e burimeve energjetike dhe është shumë i interesuar të arrijë vetëmjaftueshmërinë energjetike.

Këto burime të reja mund të jenë të stërmëdha. Korporata Kombëtare e Naftës, Gazit dhe Metaleve të Japonisë vlerësoi më 2008 se 1.1 trilionë metra kub gazi hidrat metani gjendet në Gropën Nankai, e mjaftueshme kjo për të kompensuar së paku një dekadë importesh gazi.

Pavarësisht kësaj, sfida të mëdha mbeten për t’u zgjidhur para se gazi natyror të mund të prodhohet nga këto rezerva dhe teknologjitë e nevojshme për nxjerrjen janë ende në djep.

Hidratet krijohen nën presion të madh të krijuar nga pesha e ujit të detit apo shkëmbit sipër tyre. Ky presion duhet të ruhet kur mbetjet e bërthamës analizohen ose përndryshe hidrati brenda saj mund të shkëputet me shpejtësi drejt ujit apo gazit.

Ka gjithashtu shqetësime mbi pasojat që mund të ketë lëshimi në natyrë i metanit, një gaz i fuqishëm me efekt serë.

Për të nxjerrë gaz marsin e kaluar, skuadra japoneze përdori metoda konvencionale. Ata ulën një turrielë në rreth 1 mijë metra deri në tabanin e Gropës Nankai. Pastaj atyre iu desh të shpojnë edhe 300 metra të tjera në shkëmb, të thajnë ujin nga shtresa e hidratit për të ulur presionin në depozitë dhe për të çliruar gazin metan të cilin më pas e pompuan në sipërfaqe.

Pavarësisht kësaj, ka ende shumë punë për t’u bërë. Kërkuesit në Japoni shpresojnë të zhvillojnë teknologjinë e prodhimit dhe të arrijnë çlirim të kontrolluar të metanit nga akulli në një pus prodhimi, duke minimizuar në këtë mënyrë rrezikun e largimit të gazit në atmosferë.

Sipas IEA, “roli afatgjatë i hidrateve të metanit do të varet nga politikat në lidhje me ndryshimet klimaterike, si dhe nga përparimet teknologjike, pasi arritja e objektivave ambicioze në reduktimin e emisioneve mund të kërkojë reduktimin e kërkesës nga të gjitha format e energjive fosile.”

Japonia i ka vënë vetes objektivin për të sjellë hidratet e metanit në rolin e burimit të rëndësishëm energjetik nga fillimi i viteve 2020. Pavarësisht sfidave të mëdha, Duerloo beson se bota nuk duhet ta nënvlerësojë angazhimin, interesin dhe vullnetin e Japonisë.
Unë mendoj se shanset që ata do të jenë të suksesshëm janë më shumë se 50 për qind”, thotë ai.

Gazeta Shqip, 07.03.2014