Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Komuniteti i Energjisë: Shqipëria pa plan të energjive të rinovueshme.

Në 11 shkurt Sekretariati i Komunitetit të Energjisë (Kom-Enit) i ka nisur Shqipërisë një letër të hapur për mospërmbushjen nga ana e saj të legjislacionit të Kom-Enit mbi energjitë e rinovueshme. Shqipëria ka pasur afat deri në 30 qershor 2013 për dorëzimin e planit kombëtar të energjive të rinovueshme por nuk e ka aprovuar dhe dorëzuar ende një plan të tillë. Bashkë me Shqipërinë u është tërhequr vëmendja dhe Bosnje & Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Ukrainës, të cilat po ashtu nuk kanë dorëzuar planet e tyre kombëtare. Është hera e parë që sekretariati i Kom-Enit lëshon letra paralajmëruese për energjinë e rinovueshme.

Në vitin 2012, Këshilli Ministerial i Kom-Enit transpozoi dhe përshtati Direktivën 2009/28/EC mbi promovimin e energjive të rinovueshme. Sipas direktivës së transpozuar, secila palë e traktatit ndërmori një objektiv për energjitë e rinovueshme për vitin 2020. Direktiva kërkon aprovimin e planeve kombëtare të energjive të rinovueshme për realizimin e objektivit. Planet ndajnë objektivin e përgjithshëm në objektiva sektorialë dhe zbërthejnë masat konkrete të nevojshme për arritjen e tyre. Pa këtë plan direktiva nuk mund të zbatohet.

Shqipëria ka afat deri në 10 Prill të aprovojë dhe dorëzojë planin kombëtar ose të justifikojë mungesën e tij.

Ligji për energjitë e rinovueshme, i cili ka hyrë në fuqi në qershor 2013 ngarkon qeverinë që të aprovojë planin kombëtar të energjive të rinovueshme brenda 1 viti nga hyrja në fuqi e ligjit, pra brenda qershor 2014. Një draft ligj i planit kombëtar është përgatitur tashmë dhe pret aprovimin e tij zyrtar.

Ekolëvizja, 13.02.2014