Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

NAFTA: Pritet rritje e mëtejshme e eksporteve në 2014-n

Viti 2014 pritet të jetë pozitiv për eksportet e naftës. Kompania më e madhe në vend, “Bankers Petroleum Ltd”, e cila eksploron dhe eksporton naftë nga Shqipëria, ka planifikuar rritje të kapitalit të saj për vitin 2014 në 313 milionë dollarë, që do të financohet nga fonde të gjeneruara nga operimet e kompanisë. Ky është një nivel rekord për aktivitetin e kompanisë.

Sipas burimeve nga “Bankers”, gjatë këtij viti do të ketë rritje të mëtejshme të prodhimit në puset aktualë, ndërsa investimet do të vijojnë edhe në hapjen e puseve të reja. Kompania planifikon ta çojë në 170 numrin e puseve në 2014-n nga 150 që ishte në vitin 2013.

Në vitin 2014, kompania do të fokusohet në zgjerimin e mëtejshëm të operimeve dhe eksplorimeve në fushën e Patos-Marinzës. Gjithashtu, “Bankers” do të investojë në ndërtimin e infrastrukturës së zonës, në puset në zonën Jugore të Patos-Marinzës, në operime të reja në Kuçovë dhe eksportim të gazit natyror gjithashtu.

David French, president dhe CEO i kompanisë tha se “këtë vit, ne do të fokusohemi në strategjinë për të garantuar rritje përmes eksplorimeve më të mëdha”.

Tre vitet e fundit, eksportet e lëndëve djegëse e energjisë janë rritur ndjeshëm, si rrjedhojë e shitjes së naftës nga Bankërs.

Sipas statistikave të INSTAT, eksportet e “minerale, Lëndë djegëse e energji” u rritën me 31% për janar-nëntor 2013, duke arritur në 91 miliardë lekë dhe duke përbërë zërin kryesor të eksporteve vendase, me rreth 40% të totalit.

Revista Monitor, 07.02.2014