Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Afrikë: Piratët e naftës dhe anija misterioze

Tashmë është koha për të harruar Somalinë sa i përket problemit të piraterisë detare. Ana tjetër e Afrikës është bërë zona më e rrezikshme për anijet e mallrave dhe problemi duket më i vështirë se më parë

Më 18 janar të këtij viti, një kompani detare transporti nga Greqia humbi kontaktin me radio me një nga anijet e veta, një tanker nafte 75 mijë tonëshe me flamur liberian me emrin “Kerala”. Në çastin e zhdukjes, ajo ishte disa milje larg Portit të Luandës në Angola. Se çfarë ndodhi pas kësaj vijon të jetë çështje e debatueshme. Por ekspertët e transportit detar mendojnë se zhdukja e “Keralës” shënon një përshkallëzim të ri të rrezikshëm në piraterinë e naftës, që gjithnjë e më shumë ka torturuar marinarët në pjesën e udhëtimit përmes famëkeqes Cepi i Beninit.

Rrëmbimet detare jashtë Somalisë dhe pjesës tjetër të brigjeve të Afrikës Lindore janë në rënie të ndjeshme. Por sulmet pirate në Afrikën Perëndimore kanë vijuar të shtohen, duke i kthyer ujërat përreth gjirit të Guineas në një nga qendrat botërore të piraterisë. Rreth një në çdo pesë sulme të raportuara vitin e kaluar ndodhi përreth gjirit të Guineas, raporton Byroja Ndërkombëtare Detare, por ajo vlerëson se vetëm një e treta e sulmeve në Afrikën Perëndimore janë raportuar nga kompanitë.

Pirateria në brigjet perëndimore të Afrikës ka shumë pak ngjashmëri me piraterinë në brigjet lindore të kontinentit, gjithsesi. Shkurtimisht, ajo është edhe më agresive. Dhe kompanitë e naftës po operojnë në këtë zonë, ndërsa vendet e Afrikës Perëndimore janë nën varësinë e të ardhurave nga energjia për mirëqenien e tyre fiskale, ndërsa ato pjesë të botës që bazohen te nafta bruto e Nënsaharasë, si Europa dhe Kina, po shqetësohen se mos kjo zonë bëhet aq e rrezikshme sa të mos mund të shkohet më.

Zhdukja e papritur e “Keralës” erdhi vetëm pak pasi kompanitë e sigurisë detare filluan të shqetësohen për një rimorkiator të dyshimtë 200 tonësh që shëtiste ujërat jashtë brigjeve të Angolës.

Pronari i “Keralës”, “Dynacom Tankers Management Ltd.”, filloi të dyshojë se kishte rënë viktimë e një sulmi piratësh. Anija e fundit që u kap me sukses nga piratët e Somalisë i përkiste pikërisht kësaj kompanie; anija dhe ekuipazhi u lëshuan pas dhjetë muajsh pengmarrjeje, në mars 2013.

Por kurrë më parë grupet kriminale që shëtisin në gjirin e Guineas nuk kishin goditur kaq shumë në jug, duke ngritur pikëpyetje mbi atë që mund t’i kishte ndodhur “Keralës”. Zyrtarët e marinës së Angolës thanë javën e kaluar se po kërkonin për anijen dhe paralajmëruan se ekziston një rrezik i madh nga pirateria për ekonominë e Angolës, e cila varet shumë nga eksportet e energjisë.

Në fund, të dielën më 26 janar, “Dynacom” arriti të lidhet sërish me anijen: ajo me të vërtetë ishte rrëmbyer, tha kompania. Një marinar u plagos dhe “një sasi e madhe e ngarkesës ishte vjedhur” nga anija. Hetuesit ndërkombëtarë u dërguan për të ekzaminuar anijen, e cila u nis për në një port në Ganë, ku priti që të mblidheshin provat shkencore në përpjekje për të gjetur piratët e dyshuar.

Por komploti u trash. Zyrtarët e Marinës së Angolës ngritën pretendimin se ekuipazhi i “Keralës” e ka sajuar rrëmbimin dhe është drejtuar vullnetarisht drejt ujërave të Nigerisë. Rimorkiatori i dyshimtë ishte pikërisht një “kopje” e një tjetri të përdorur në një sulm pirat aty pranë.

“Ishte e gjitha e sajuar dhe nuk ka pasur akte piraterie në ujërat e Angolës”, tha zëdhënësi i Marinës së Angolës, kapiteni Augusto Alfredo për agjencinë “Reuters”.

Zyrtarët e Angolës më vonë thanë se “Kerala”, e cila kishte 60 mijë tonë naftë diezel në bord, u gjet e “boshatisur”. Ekspertët e sigurisë detare, gjithsesi, vënë në pyetje versionin e ngjarjeve të Marinës së Angolës.

Ata vërejnë me alarm se incidenti duket se është një zgjerim i qartë i piraterisë, që më herët ishte i kufizuar në gjirin e Guineas dhe ujërat përreth Deltës së Nigerisë. Ky është një lloj i ndryshëm i piraterisë që ka goditur ujërat e Somalisë: është më i dhunshëm dhe i fokusuar qartë në vjedhjen e naftës apo produkteve të tjera të naftës që nxjerrin miliona dollarë pasi shiten në tregun e zi vendor.

Piratët e Afrikës Perëndimore nuk kapin anije zakonisht për t’i mbajtur ato dhe ekuipazhet për të marrë haraç prej shumë miliona dollarësh. Kjo nuk është një zonë me vijë bregdetare pa ligj, e tillë si ajo e shumicës së Somalisë. Kjo e bën të vështirë të fshehësh një anije të madhe nafte me gjithë ekuipazh për shumë muaj deri sa të negociohen pagesat e haraçit.

Në vend të kësaj, shumica e piraterisë së gjirit të Guineas është një zgjerim detar i vjedhjes së naftës në tokë, e cila ka dëmtuar Nigerinë prej shumë vitesh: piratët shënjestrojnë anije me produkte të rafinuara, të tilla si 60 mijë tonë naftë diezel që kishte te “Kerala”. Ian Millen, drejtor i inteligjencës në kompaninë me bazë në Britani, “Dryad Maritime”, i tha “Foreign Policy” se piratët morën rreth 13 mijë tonë diezel nga “Kerala”.

“Ky incident ka të gjitha shenjat e vjedhjeve të produkteve të rafinuara në Nigeri”, shton Millen.

Me të vërtetë, disa ekspertë besojnë se rritja e numrit të sulmeve dhe zgjerimi gjeografik i tyre është pjesë pikërisht e amnistisë së vitit 2009 për militantët nigerianë të deltës së Nilit, të cilët më herët justifikonin vjedhjen e naftës me argumentin se po bënin protestë politike.

“Pasi përfundoi justifikimi politik, nuk ka më nevojë që hajdutët e naftës ta kufizojnë veten në objektiva brenda Deltës”, zbuloi një studim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Millen nga “Dryad” thotë se në shumicën e sulmeve, piratët kanë shkarkuar sasi relativisht të vogla të produkteve të rafinuara në anije bregdetare. Raporti i OKB-së thotë se piratët në këtë zonë duket se arrijnë të fitojnë mbi 30 milionë euro në vit nga shitja në treg të zi e naftës së vjedhur.

Fati i “Keralës” tërhoqi vëmendje në botë, për shkak se në përgjithësi, sulmet botërore të piratëve janë në nivelin më të ulët në gjashtë vjet. Sulmet kanë rënë me 40 për qind që nga kulmi i shënuar në vitin 2011, kryesisht për shkak të fushatës kundër piratëve të Somalisë, e cila ka përmirësuar praktikat e industrisë, ka rritur përdorimin e rojave të armatosura dhe ka sjellë një prani të përhershme detare ndërkombëtare në brigjet e Somalisë.

Lufta kundër piraterisë në gjirin e Guineas duket se do të jetë më e vështirë sesa ajo që u dha fund gangsterëve të Somalisë, në mënyrë paradoksale pikërisht për shkak se vendet në Afrikën Perëndimore nuk janë shtete të dështuara si Somalia. Secili vend në rajon mund të mbrojë ujërat e veta territoriale.

Kjo përjashton mundësinë e ndonjë operacioni të jashtëzakonshëm detar me mandat nga OKB-ja si ai që u krye në oqeanin Indian. Kjo përjashton edhe mundësinë e përdorimit të rojave të armatosura në anije, një prej teknikave të përdorura me sukses kundër piratëve të Somalisë.

Megjithatë ka disa gjëra që mund të bëhen. Shefi i ri i Marinës së Nigerisë ka premtuar të luftojë vjedhjet e naftës dhe piraterinë. Bashkimi Europian, i cili importon më shumë naftë se çdokush tjetër nga rajoni, tashmë ka një program kundër piraterisë me shtetet e rajonit. Ideja është të rriten aftësitë ligjzbatuese të shteteve në rajon dhe të rojave bregdetare të këtyre vendeve, të cilat nuk kanë financimet e nevojshme. Marinat e Europës, si holandezet, francezet dhe britaniket, kanë ndërmarrë misione stërvitore me disa nga homologet e tyre në rajon. Anijet e SHBA-së morën pjesë në një mision trajnimi me komandot e Nigerisë vjeshtën e kaluar. Korpusi i Marinsave ka gjithashtu një skuadër të reagimit të shpejtë me bazë në Spanjë që mund të përdoret për t’iu përgjigjur piraterisë në Afrikën Perëndimore.

Por dy nga klientët më të mëdhenj të naftës së Nënsaharasë, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, nuk ka gjasa të dërgojnë marinat e tyre siç vepruan në oqeanin Indian, duke dërguar fregata apo duke krijuar forca të pozicionuara në zonë. Kjo është pjesërisht për shkak se shumica e piraterisë në Afrikën Perëndimore ndodh brenda ujërave territoriale të shteteve të zonës dhe jo në det të hapur, siç ndodh në oqeanin Indian.

Kina, importuesi i vetëm më i madh i naftës bruto të Nënsaharasë, bëri hapa të mëdhenj në operacionet e veta detare kur dërgoi anijet gjysmë bote larg për të luftuar piratët somalezë përreth gjirit të Adenit. Një mision i tillë shihet si vendimtar për shpresat e Kinës për të krijuar një marinë ushtarake oqeanike. Por, pavarësisht varësisë së Kinës nga nafta bruto e rajonit, veçanërisht nga Angola, ka pak gjasa për një mision tjetër kinez kundër piraterisë në gjirin e Guineas, thonë ekspertët e luftës detare. Me fjalë të tjera, pirateria somaleze mund të jetë duke iu afruar fundit. Pirateria e Angolës mundet që thjesht të vijojë.

Gazeta Shqip, 04.02.2014