Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hapet Qendra e Informacionit për Efiçiencën e Energjisë

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri mori sot pjesë në ceremoninë e hapjes së Qendrës së Informacionit për Eficiencën e Energjisë. Qendra e cila ndodhet pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore është bërë e mundur përmes financimit prej 15 mijë eurosh nga Ministria e Bashkëpunimit të Republikës Federale të Gjermanisë nëpërmjet GIZ Fondet e Hapura Rajonale për Eficiencën e Energjisë.

Në fjalën e tij përpara medias dhe të pranishmëve, Ministri Gjiknuri deklaroi se kursimi i energjisë është një nevojë që e dikton koha, jo vetëm për rastin e Shqipërisë, përtej problemeve të mëdha që ne kemi dhe me humbjet.

Pikërisht, vijoi ai, ky është një element më shumë që njerëzit të bëhen të ndërgjegjshëm se si ta përdorin energjinë në mënyrë më efiçente.

“Kjo fillon që nga godinat, nga mënyra të tjera të përdorimit të energjisë, në mënyrë që konsumi të ulet. Nevoja për energji do të vijë duke u rritur por, kjo nuk është pa limit dhe mbi të gjitha ka një kosto mbi mjedisin. Bota e qytetëruar, dhe ne si një vend që aspirojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian në të ardhmen, e kemi të nevojshme të implementojmë këto standard”, vlerësoi Ministri Gjiknuri.

Ndërkaq, zëvendës ambasadori i Republikës Federale Gjermane në Tiranë Z. Erik Tintrup theksoi faktin se me mbështetjen e Qeverisë gjermane, në kuadër të Programit “Fondet e Hapura Rajonale për Eficiencën e Energjisë”, qendra të tilla janë hapur edhe në kryeqytete të tjera të rajonit si në Podgoricë, Shkup, Sarajevë dhe Zagreb, duke dhënë kështu një shembull të mirë të bashkëpunimit ndërmjet pushtetit lokal dhe atij qendror, si dhe të atij shumëpalësh midis vendeve të ndryshme të rajonit midis tyre si dhe me qeverinë Gjermane.

qendra per eficensen e energjise

Z. Tintrup vlerësoi se projekti përbën një element mjaft të rëndësishëm të bashkëpunimit midis republikës federale të Gjermanisë përmes zyrës së GIZ, dhe administratës së bashkisë së Tiranës.

“Kursimi i energjisë, do të thotë një përdorim më efikas, më eficent i energjisë në mënyrë që për të njëjtin input të keni më tepër output. Koncepti i eficencës së energjisë në Gjermani ka treguar se është mjaft i dobishëm, dhe është i leverdisshëm, si për qytetarin, për qytetin, për mjedisin dhe për investitorët. Përmirësimi i eficencës së energjisë do të ketë treguesit e saj pozitiv edhe në Shqipëri. Kjo qendër që ne jemi duke hapur sot është hapi i parë në këtë drejtim”, theksoi zv.ambasadori.

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z. Damian Gjiknuri në ceremoninë e hapjes së Qendrës së Informacionit për Eficiencën e Energjisë, pranë AKBN-së :

Faleminderit për ftesën dhe për mundësinë që më jepni, që të shikoj hapjen e një zyre shumë të rëndësishme për të informuar publikun shqiptar.

Falënderoj përfaqësuesit e Republikës Federale Gjermane për ndihmën që kanë dhënë për bërjen të mundur të funksionimit të kësaj zyre. Ajo ka rëndësi të madhe për të informuar publikun, por ka gjithashtu një rëndësi për të kuptuar shumë mirë edhe shqiptarët, ashtu siç shumë vende të tjera, se eficenca energjetike është një burim i rëndësishëm energjie.

Kanë filluar ta quajnë burim i ri i energjisë, për shkak se ka një hapësirë të madhe për të konservuar energji, duke përdorur standardet më të mira qoftë në ndërtim, qoftë në fusha të tjera, në mënyrë që të kursehet energjia.

qendra e eficences se energjise

Kursimi i energjisë është një nevojë që e dikton koha, jo vetëm për rastin e Shqipërisë, përtej problemeve të mëdha që ne kemi dhe me humbjet. Pikërisht, ky është një element më shumë që njerëzit të bëhen të ndërgjegjshëm se si ta përdorin energjinë në mënyrë më efiçente. Kjo fillon që nga godinat, nga mënyra të tjera të përdorimit të energjisë, në mënyrë që konsumi të ulet. Nevoja për energji do të vijë duke u rritur por, kjo nuk është pa limit dhe mbi të gjitha ka një kosto mbi mjedisin. Bota e qytetëruar, dhe ne si një vend që aspirojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian në të ardhmen, e kemi të nevojshme të implementojmë këto standarde.

Ministria, në bashkëpunim me të gjithë strukturat e varësisë po ndërmerr politika në këtë drejtim. Do të përgatisim dhe paketa të reja ligjore, me qëllim që edhe Shqipëria të jetë në të njëjtën valë me zhvillimin e vendeve evropiane përsa i përket eficencës energjetike. Kjo nënkupton kode më të mira për ndërtimin, kode më të mira për ngrohjen dhe për shumë elementë të tjera që konsumojnë energji për t’u përshtatur.

Kuptohet këto masa do të duan kohën e tyre, në mënyrë graduale për t’u implementuar, por ne duhet ta fillojmë nga diku. Kjo zyrë ka edhe një dimension tjetër pozitiv, pasi i krijon mundësi të gjithë investitorëve dhe publikut, për të parë cilat janë avantazhet dhe teknikat e mundshme për të kursyer energji.

Kursimi i energjisë nuk ka vetëm dobishmëri publike, por realisht ka edhe interes ekonomik për vetë njerëzit të cilët duan të investojnë. Është e provuar shumë mirë që në industri apo qoftë edhe në investime vetjake, duke përdorur metodat dhe teknologjinë e duhur që ndikojnë në eficencën energjetike bëhet e mundur të kursehen para. Pra, në pikëpamjen edhe të investimit të kryer, kjo formë ka avantazhet e veta. Zyra që po hapet sot do të jetë një portë e mirë për të marrë informacionin e duhur për çdo investim që njerëzit apo biznese të ndryshme mund të kenë nevojë.

Ju falënderoj edhe njëherë për këtë ndihmë.

Është momenti i duhur që edhe në Shqipëri, sensibiliteti të rritet dhe unë dua të përfitoj nga rasti që ta falënderoj Gjermaninë edhe për ndihmën e madhe që po jep në të gjithë sektorin energjetik, sidomos në investime të mëdha në fushën e interkonjeksionit. Aty kemi një bashkëpunim shumë të mirë nëpërmjet KfW, për investime jo vetëm për projektin e Kosovës, por edhe investime të tjera që do të ndikojnë në përmirësimin e rrjetit energjetik shqiptar, aq i nevojshëm për këtë vend.

Unë i uroj suksese agjencisë suaj, zyrës e cila sapo po hapet, dhe i ftoj të gjithë të interesuarit, median dhe publikun, që të vijnë dhe të trokasin në këtë zyrë, të marrin informacion. Çdo investim në eficencën e energjisë, është eficencë ekonomike, është kursim, është fitim më i sigurtë. Prandaj është momenti që në Shqipëri këto programe të impelementohen.

Ju faleminderit!

energjia.al 03.02.2014