Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albpetrol rrit me 31 % prodhimin, paguan borxhet e shtetit

Shoqëria, Albpetrol sh.a ka rritur me 31.6% prodhimin e naftës vetëm gjatë 3 muajve. Lajmi është bërë i ditur nga kjo shoqëri, gjatë një komunikimi me median.

Sipas njoftimit zyrtar të bërë nga Albpetrol, kjo kompani nga sot ka nisur edhe të paguajë dividentin që i detyrohet shtetit shqiptar për fitimet e viteve të kaluara.

Kësti i parë prej rreth 5 milionë dollarësh është derdhur sot në buxhetin e shtetit për llogari të Ministrisë të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.

Në total dividenti që Shoqëria Albpetrol sh.a i detyrohej shtetit shqiptar në fund të vitit 2013 ishte rreth 30 milionë dollarë.

Me pagesën e kryer sot, sipas Albpetrol, borxhi ndaj shtetit shqiptar është ulur në rreth 25 milionë dollarë. Bazuar në parashikimin e bërë për vitin 2014, Albpetrol sh.a parashikon shlyerjen e të gjithë detyrimit prej rreth 25 milionë dollarësh brenda këtij viti.

Në njoftimin e kompanisë së Naftës, thuhet se, “kjo është hera e parë që Albpetrol sh.a shlyen shuma kaq të rëndësishme kundrejt buxhetit të shtetit. Nga viti 2005 deri në Tetor 2013 shoqëria Albpetrol sh.a i ka paguar shtetit shqiptar rreth 3 milionë dollarë në formë dividenti, ndërsa sot, vetëm brenda një dite, Albpetrol sh.a ka paguar divident në shumën 5 milionë dollarë”.

Gjithashtu, gjatë analizës së 3-mujorit të fundit të vitit 2013 ka vënë në pah trendin rritës të prodhimit të naftës nga vetë shoqëria Albpetrol sh.a. Në muajin Shtator 2013 prodhimi i naftës nga vetë shoqëria ishte në shifrën 2440 tonë ndërsa në Dhjetor 2013 arriti shifrën 3213 tonë.

Duke bërë një krahasim mes muajve rritja e prodhimit është 13.6% në Tetor; 21.9% në Nëntor dhe 31.6% në Dhjetor. Për vitin 2014 shoqëria Albpetrol sh.a parashikon që të vazhdojë rritjen e prodhimit duke pasur si synim dyfishimin e prodhimit deri në fund të vitit 2015.

Shqiptarja.com 23.01.2014