Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rrjetet elektrike inteligjente

Shkëputur nga libri “Plani B 4.0, të mobilizuar për shpëtimin e civilizimit”, i Lester Brown

Gjithmonë e më shumë kompanitë po kuptojnë se ndërtimi i centraleve të mëdha prodhuese të elektricitetit thjesht për mbulimin e nevojave në pikun e konsumit sezonal apo ditor, kushton shumë. Rrjetet aktuale të elektricitetit janë një mozaik rrjetesh lokale, janë inefiçente, shpërdoruese dhe keqfunksionale sepse shpesh nuk munden të transferojnë elektricitetin e tepërt në zonat në nevojë. Rrjeti i transmetimit në SHBA duket si rrugët dhe autostradat e saj në mesin e shekullit të 20, përpara ndërtimit të sistemit ndërshtetëror të autostradave. Sot kemi nevojë për modernizim të ngjashëm të rrjetit të transmetimit.

Pa-aftësia për të transferuar elektricitetin e lirë tek konsumatorët, për shkak të mbingarkesës së linjave të transmetimit ka kosto të ngjashme me ato të bllokimit të trafikut. Mungesa e kapacitetit të transmetimit në SHBA-në lindore vlerësohet tu kushtojë konsumatorëve 16 miliard dollarë në vit vetëm në këtë rajon.

Një rrjet i fuqishëm transmetimi në SHBA, do të mundësonte transferimin e elektricitetit nga zonat me mbi-prodhim tek zonat në nevojë, dhe do të pakësonte kërkesën për kapacitet prodhues. Për më tepër, rrjeti i ri do të lidhte rajonet e pasura me energji ere, diellore dhe gjeotermike me qendrat e konsumit. Rrjeti kombëtar, i furnizuar nga gjithllojshmëria e burimeve të energjisë së rinovueshme, do të shërbente si faktor stabilizues.

Por krijimi i rrjeteve të fuqishme të transmetimit, të cilat transmetojnë elektricitetin sipas nevojave dhe lidhin burimet e energjisë me konsumatorët, është vetëm gjysma e betejës. Rrjetet dhe pajisjet elektrike duhet të bëhen “inteligjente”. Rrjeti inteligjent shfrytëzon teknologjinë e informacionit dhe e përfshin në prodhimin, shpërndarjen dhe përdorimin e energjisë elektrike, duke mundësuar komunikimin e drejtpërdrejt midis prodhuesve dhe konsumatorëve. Me aprovimin e konsumatorit, mundëson komunikimin edhe me pajisjet elektrike.

Rrjetet inteligjente mund të pakësojnë ndërprerjet, luhatjet e energjisë, të cilat i kushtojnë SHBA-së 100 miliard në vit, sipas Institutit të Kërkimeve mbi Energjinë Elektrike. Në një studim të shkëlqyer të Qendrës për Progresin Amerikan, viti 2009, “Gati për përparim 2.0: Ndërtimi i një Rrjeti Inteligjent Kombëtar me Energji të Pastër”, Bracken Hendricks vlerëson mundësitë e mëdha që ofron teknologjia e informacionit për përmirësimin e efiçencës së rrjetit: “Një mundësi është përhapja e sinkrofazorëve për monitorimin e voltazhit dhe të korrentit në çdo moment në rrjet. Është përllogaritur se mbledhja më e mirë e këtij informacioni në gjithë rrjetin elektrik mund të rriste me 20% efiçencën e energjisë në SHBA.”

Rrjeti inteligjent jo vetëm që transmeton elektricitetin më me efiçencë në hapësirë, por dhe mundëson zhvendosjen e konsumit të elektricitetit në kohë-psh. nga periudha të kërkesës së lartë në ato të kërkesës së ulët. Kjo arrihet në bashkëpunim me konsumatorët që kanë aparatmatës inteligjentë, duke parë sa elektricitet përdoret në çdo moment. Kështu lehtësohet komunikimi i dyanshëm midis furnizuesit dhe konsumatorit me qëllim bashkëpunimin për pakësimin e kërkesës në pikun e saj, pa dëmtuar asnjërin. Rrjeti inteligjent mundëson matjen në hyrje dhe në dalje të elektricitetit, kështu konsumatorët që kanë panel diellor në çati apo turbinë ere, mund ti shesin rrjetit energjinë e tepërt të prodhuar vetë.

Aparatmatësit inteligjentë së bashku me pajisjet elektrike inteligjente që mund të marrin sinjale nga rrjeti, mundësojnë zhvendosjen e konsumit të energjisë larg pikut të ngarkesës. Çmimet më të larta të energjisë në pikun e ngarkesës së rrjetit do të nxisnin konsumatorët të ndryshonin sjellje, çka do të rriste efiçencën. Psh. pjatalarësja mund të programohet që të mos punojë në orën 8 mbasdite, por në 3 të mëngjezit, kur kërkesa për elektricitet është shumë më e vogël; kondicionerët mund të fiken për periudha të shkurtra për të pakësuar ngarkesën e rrjetit.

Një tjetër teknologji që po mbështetet në Europë arrin të njëjtin objektiv. Një grup kërkimor italian po teston një model frigoriferi që mund të monitorojë ngarkesën e rrjetit dhe kur ngarkesa rritet apo furnizimi pakësohet, vetëshuhet, pa dëmtuar ushqimin. Revista “Shkencëtari i Ri” raporton se nëse kjo teknologji do të përdorej në 30 milion frigorifera në Britaninë e Madhe, do të pakësonte kërkesën në pikun e ngarkesës me 2000 Mw kapacitet gjenerues, duke mundësuar mbylljen e 4 termocentraleve me qymyr.

I njëjti qëndrim mund të mbahet me kondicionerët në ndërtesat e banimit dhe ato tregtare. Karl Lewis, drejtor në kompaninë Gridpoint, një kompani amerikane që dizenjon rrjete inteligjente, thotë se “mund të fikimin kompresorin në sistemin e kondicionimit për 15 minuta dhe temperatura në shtëpi nuk ka për të ndryshuar.” Përfundimi është se, në një rrjet inteligjent, një investim modest në teknologjinë e informacionit mund të ulë pikun e ngarkesës, duke kursyer energjinë dhe pakësuar emetimet e karbonit.

Disa furnizues po prijnë në çmuarjen e elektricitetit sipas kohëvendosjes, ku elektriciteti i konsumuar në orët jashtë pikut kushton më lirë se ai i konsumuar gjatë pikut të ngarkesës.

Në rajonet me temperatura të larta verore konsumi në verë është shumë i lartë, dhe i shtrenjtë. Kompania “Gazi dhe Elektriciteti, Baltimor”, psh. ka realizuar një projekt pilot në vitin 2008, ku konsumatorët pjesëmarrës që lejonin furnitorin tu fikte kondicionerët për periudha të caktuara gjatë ditëve më të nxehta, shpërbleheshin për energjinë e kursyer. Çmimi i energjisë në atë rajon është rreth 14 cent për kw-orë. Për çdo kw/orë të kursyer gjatë pikut të ngarkesës në ditët e pikut, konsumatorët u paguan me 1.75 $-12 herë më shumë se çmimi normal. Pra, nëse konsumatori kursente 4 kw/h elektricitet, i ulej me 7 $ fatura. Konsumatorët e pakësuan konsumin në pik me 1/3, kështu, kompania e inkurajuar krijoi një program të ngjashëm me më shumë teknologji inteligjente në verën e 2009-ës.

Brenda SHBA-së aparatmatësit inteligjentë po përhapen me shpejtësi dhe 28 kompani planifikojnë ti shpërndajnë në vitet në vijim. Ndër kompanitë lider janë dy kompani të mëdha kaliforniane, “Gazi Paqësor” dhe “Edisoni Elektrik e Jugor, Kaliforni”, të cilat planifikojnë që gjithë konsumatorët e tyre, 5.1 milion dhe 5.3 milion respektivisht, të kenë aparatmatës inteligjentë deri në 2012. Të dy kompanitë do të ofrojnë çmime fleksibël për të nxitur pakësimin e konsumit në pikun e ngarkesës. Ndër kompanitë e tjera që synojnë përdorimin e aparatmatësve inteligjentë nga gjithë konsumatorët e tyre, janë kompanitë “Energjia Elektrike Amerikane” në SHBA-në qendërperëndimore (5 milion konsumatorë) dhe “Energji & Dritë, Florida” (4.4 milion konsumatorë).

Edhe Europa po instalon aparatmatës inteligjentë, me Finlandën në krye. Një firmë kërkimore Suedeze, “Berg Insight”, parashikon se Europa do të instalojë 80 milion aparatmatës inteligjentë deri në vitin 2013.

Fatkeqësisht termi “aparatmatës inteligjent” përshkruan disa lloje aparatmatësish, nga ata që thjesht japin informacion mbi konsumin e energjisë në çdo moment, tek ata që mundësojnë komunikimin e dyanshëm midis konsumatorit dhe furnizuesit, madje dhe midis furnizuesit dhe pajisjeve elektrike të konsumatorëve. Pra, sa më inteligjent aparatmatësi, aq më të larta kursimet.

Shfrytëzimi i teknologjisë së informacionit për rritjen e efiçencës së rrjetit, të sistemit të shpërndarjes dhe të konsumit të energjisë, është një lëvizje e zgjuar. Pra rrjeti elektrik inteligjent i kombinuar me aparatmatësit inteligjentë mundëson furnizuesit dhe konsumatorët të jenë më efiçentë.

Përktheu: Rita Strakosha

Ekolëvizja, 08.01.2014