Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vodhën naftë e vaj, hetim 3 ish-drejtuesve të Parkut të makinave

Vjedhjet në parkun e Automjeve ka çuar nën hetim tre ish-drejtuesit. Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur mesditën e e sotme se, “ka denoncuar në Prokurori tre ish-drejtuesit kryesorë të Qendrës së Shërbimit dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit (QSHAMT), pranë këtij dikasteri pasi nga kontrollet e ushtruara janë konstatuar mungesa në sasi të mëdha të karburantit dhe vajit lubrifikant”.

“Nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë është regjistruar procedimi penal për veprat penale të “vjedhjes duke shperdoruar detyrën” dhe “shpërdorimit të detyrës” në ngarkim të punonjësve të QSHAMT (e njohur ndryshe si Parku i automjeteve të MPB).

NEN HETIM JANE VENE:

1. Ram Bajram Oruçi, me detyrë Drejtor i QSHAM;
2. Syrja Ismet Hoxha, me detyrë shef i Shërbimeve të Brendshme në QSHAMT;
3. Alban Perparim Neziri, me detyrë magazinier ne QSHAMT,” ka bërë të ditur Ministria e Brendshme.

Burimet zyrtare nga ministria thanë se, “procedimi Penal ndaj shtetasve të sipërpërmendur ka filluar pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin ata kanë përvetësuar një sasi të madhe karburanti prej 12000 litrash dhe 4000 litra vaj lubrifikant, të cilat janë tërhequr nga magazinat në administrim nga QSHAMT në muajin prill 2013. Kjo sasi karburanti dhe vajrash lubrifikante nuk është gjetur as fizikisht dhe as e inventarizuar në kontabilitet të Financave të Institucionit”.

Në të njëjtën kohë nga kontrolli i ushtruar nga auditi i brendshëm i Ministrisë së Brendshme, në QSHAMT janë konstatuar shkelja të rënda të ligjit dhe abuzime me pronën shtetërore, të parashikuara nga Kodi Penal si vepra penale dhe që do t’i referohen Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme. “Ish- Drejtori i QSHAMT, Ram Oruçi rezulton të jetë përgjegjës për nxjerrjen jashtë përdorimit, në shkelje të procedurave të parashikuara nga ligji, të dy automjeteve, një “Mitsubishi Pajero” me targa “TR 3330 K” dhe një “Wolksvagen 4 Motion” me targa “Policia 0391”, me një vlerë të përgjithshme prej 7.451.957 lekësh”, ka bërë të ditur Ministria e Brendshme.

Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Brendshme, “shkelje të rënda janë vërejtur edhe në transferimin e 65 automjeteve nga Parku në drejtim të Rezervave Materiale të Shtetit në Lundër. Komisioni i ngritur për vlerësimin e këtyre automjeteve ka konstatuar se 58 prej tyre nuk ishin në gjendje pune dhe duheshin nxjerrë jashtë përdorimit, ndërsa nga ana e ish-drejtorit të QSHAMT nuk është paraqitur asnjë dokument për vlerësimin e gjendjes së mjeteve dhe as ndonje procesverbal për nxjerrjen e tyre jashtë funksionit”.

“Për të gjitha këto shkelje, por edhe të tjera që mund të dalin në vijim nga kontrollet që po kryejnë strukturat e specializuara në QSHAMT, Ministria e Punëve të Brendshme po përgatit një dosje të veçantë që do të dërgohet në organin e Prokurorisë”, përfundon Ministria e Brendshme.

Shqiptarja.com 30.11.2013