Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Lëkundje në Zharrëz, prefektura heton “Bankers”

Lëkundjet e tokës në zonën e Marinëzës dhe Zharrëzës në Fier, kanë shkaktuar panik të banorët që jetojnë në këtë zonë. Pas lëkundjeve ata kanë dalë natën nga shtëpitë e tyre dhe janë grumbulluar në rrugë, duke bllokuar fillimisht aksin Fier- Berat. Dhjetëra banorë të irrituar janë nisur në drejtim të qendrës së të dhënave të kompanisë së huaj “Bankers Petroleum”, duke pretenduar se lëkundjet e tokës, nuk kanë qenë të një tërmeti, por lëkundje të sajuara nga shpërthimet nëntokësore. Në vendngjarje ka mbërritur prefekti i Fierit Xhevit Bushaj, përfaqësues të drejtorisë së policisë së Qarkut Fier, dhe drejtues të tjerë lokalë. Prefekti Bushaj ka deklaruar se do të kërkojë hetim nga specialistët për pretendimet e banorëve. Banorët kanë mohuar që ky te jetë një tërmet, ndërsa kërkojnë zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi që sipas tyre ka kohë që po iu shkatërron pasuritë dhe jetën e tyre. Kjo është familja e Nustret Nuhaj, njërit prej banorëve në Zharrës. Bashkëshortja e tij, Shpresa me lot në sy ka treguar se çfarë dëmesh ka pësuar shtëpia e tyre e cila tashmë ka rrezik për t’u banuar. I sëmurë Nustreti dhe e bija e tij Eliada kanë qëndruar për orë të tëra në pjesën e përparme të shtëpisë, duke patur frikë të futën brenda godinës. Kjo e fundit ka pësuar çarje rënie të suvasë, dëmtime të orendive shtëpiake etj. Më pas protesta e banorëve ka vijuar në afërsi të qendrës përpunuese të kompanisë “Bankers”. Edhe këtu ata kanë bllokuar rrugën që lidh Marinëzën me qytetin Fier dhe me gjerë, duke kërkuar zgjidhje nga autoritetet e kompanisë dhe të shtetit. Protesta e tyre është ndjekur nga policia e cila nuk ka ndërhyrë për t’i shpërndarë por ka mbajtur situatën nën kontroll. Prej më shumë se dy vjetësh banorët e kësaj zone ankohen për aktivitetin e kompanisë “Bankers”, e cila u ka shkatërruar shtëpitë e tyre duke simuluar shpërthime nëntokësore. Ndërkohë, në fillimjavë administrata doganore shqiptare gjobiti kompaninë kanadeze të nxjerrës së naftës “Bankers Petroleum”, me rreth 700 mijë dollarë, pasi u vërtetua se kjo kompani ka shitur naftë në tregun vendas, duke ju shmangur pagesës së akcizës.

TV Vizion Plus, 22.11.2013