Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Albpetrol: Drejtori nuk pranoi autosondën, komisionerët nuk zbatuan urdhrin

Edhe pse pesë anëtarët e komisionit të kolaudimit janë paralajmëruar nga drejtori i ndërmarrjes “Naftë Impex” të kompanisë “Albpetrol”, i cili pasi ka shqyrtuar dokumentacionin ka kërkuar që të mos lejohet blerja e autosondës së vjetër për të re, ata e kanë kryer një veprim të tillë. Lajmi është bërë i ditur nga burime të besueshme të gazetës, të cilat sqaruan se drejtori i ndërmarrjes “Naftë Impex”, u ka kërkuar dy vite më parë pesë zyrtarëve të arrestuar që të mos firmosin marrjen e këtij mjeti, blerja e të cilit ishte kontraktuar që prej vitit 2009. Burimet pohojnë se nga hetimet e Task-Forcës pranë Prokurorisë së Fierit, është konkluduar se drejtuesi i kësaj ndërmarrjeje për llogari të së cilës do të blihej mjeti, e ka konstatuar shkeljen që po kryhej dhe ka kërkuar me shkrim që kjo kontratë të mos përmbushej në kushte të tilla. Ndërkohë, edhe pse të arrestuarit janë njoftuar zyrtarisht për kundërshtinë e drejtuesit të ndërmarrjes “Naftë Impex”, e kanë firmosur dokumentacionin e kolaudimit, duke e marrë në dorëzim si të ri mjetin që ishte jashtë çdo funksioni. Ndërkohë, pas arrestimit, pesë zyrtarët e “Albpetrolit”, por edhe administratori i shoqërisë “Abajera” sh.p.k. kanë preferuar të heshtin, duke mos dhënë shpjegime.

Kontrata

Në kontratën e lidhur mes “Albpetrol” sh.a. dhe shoqërisë “Abajera” sh.p.k., ishin parashikuar dhe kushtet teknike të mjetit autosondë që duhej të blihej. Kështu, sonda që ishte parashikuar të blihej në Kinë, duhej të ishte me tri akse dhe me kullë 30 tonëshe. Duhej të ishte e re me kilometrazh zero dhe me zero orë pune. Gjithashtu, duhej të kishte leje qarkullimi të rregullt, si edhe targa. Në kontratë ishte parashikuar një afat tremujor për përmbushjen e saj. Por, nga hetimet e prokurorisë, ka rezultuar se pesë zyrtarët e arrestuar, Hill Gjeka, Vladimir Xhaferaj, Vilson Ndoni, Gramoz Kodhelaj dhe Dhionis Çeço, kanë vepruar në kundërshtim me atë çfarë është përcaktuar në kontratë. Kështu, sipas prokurorisë, ata e kanë pranuar mjetin të pashoqëruar me dokumentacionin e kërkuar dhe kanë mbajtur procesverbale, të cilat nuk përputhen me gjendjen reale të autosondës. Duket se i ndodhur përballë këtyre fakteve, në vitin 2011, në kohën kur është kryer fizikisht blerja e autosondës së prokuruar që më 2009-n, drejtori i ndërmarrjes “Nafta Impex” nuk ka preferuar të bëhet pjesë e kësaj historie. Me anë të një shkrese zyrtare ai ka kërkuar që ky mjet të mos blihet për llogari të ndërmarrjes që ai drejtonte.

Hetimet

Nga hetimet e kryera prej Prokurorisë së Fierit, ka rezultuar se zyrtarët e sipërcituar kanë kryer një sërë shkeljesh, duke shpërdoruar detyrën. Kështu, mësohet të ketë rezultuar se porositja e mjetit është kryer jashtë afateve kontraktore dhe nuk është dorëzuar në afat, ndërsa malli është pranuar i pashoqëruar me dokumentacionin e kërkuar dhe janë mbajtur procesverbale, të cilat nuk përputhen me gjendjen reale të mjetit etj. Nga verifikimi i kryer prej ekspertëve të caktuar nga prokuroria, është konkluduar se, aktualisht mjeti nuk është i pajisur me leje qarkullimi dhe targa nuk figuron i regjistruar në sistemin elektronik të DRSHTR Fier. Por ky fakt nuk është evidentuar në dokumentacionin e firmosur nga anëtarët e komisionit të kolaudimit, të përbërë nga pesë zyrtarët e sipërcituar të “Albpetrol” sh.a., tashmë të arrestuar. Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se sipas certifikatës së kontrollit teknik të mjeteve rrugore (SGS), të gjeneruara nga sistemi elektronik, mjeti rrugor me targë AA042AK, që është edhe autosonda në fjalë, në treguesin e kilometrazhit në odometër ka shifrën e 65 897 kilometrave. Por, në një kopje të certifikatës, është bërë një korrigjim dhe figuron shifra e 3154 kilometrave. Hetuesit kanë ngritur dyshimet se ky dokument është falsifikuar, me qëllim fshehjen e gjendjes reale të mjetit. Por, edhe pse pesë anëtarët e sipërcituar të komisionit të kolaudimit e kanë administruar këtë certifikatë, ata nuk kanë evidentuar korrigjimin në procesverbal.

Heshtja

Pas arrestimit, hetuesit i kanë pyetur pesë zyrtarët e “Albpetrolit” se përse kanë mbajtur procesverbale që nuk përputhen me gjendjen reale të mjetit dhe përse nuk kishin marrë parasysh kërkesën e drejtorit të ndërmarrjes “Nafta Impex”, e cila është në varësi të “Albpetrolit”. Por, edhe pse janë vendosur përballë dokumentacionit të firmosur prej tyre, të pesë të arrestuarit nuk kanë pranuar të flasin. Madje ata nuk kanë dhënë asnjë shpjegim se kush i ka urdhëruar që të firmosin dokumentacionin e procesverbaleve në kundërshtim me ligjin. Paraditen e sotme, pesë zyrtarëve të “Albpetrol” sh.a. dhe administratorit të shoqërisë “Abajera” sh.p.k., Shpëtim Rama, do t’u komunikohet masa e sigurisë “arrest në burg”, që është caktuar ditë më parë nga Gjykata e Shkallës së Parë Fier.

Prokuroria pritet të thërrasë punonjësit e dyshuar për të dëshmuar

Zyrtarë të tjerë të “Albeptrolit”, nën hetim për dëmin e shkaktuar

Pas arrestimit të pesë anëtarëve të komisionit të kolaudimit pranë “Albpetrolit” për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, prokuroria është duke hetuar edhe për përgjegjësit e tjerë të dëmit financiar prej 47 649 000 lekësh që i është shkaktuar kësaj kompanie shtetërore e për pasojë buxhetit të shtetit. Nga hetimet ka rezultuar se kontrata mes “Albpetrol” sh.a. dhe shoqërisë private “Abajera” sh.p.k., është nënshkruar në vitin 2009. Ndërsa blerja është realizuar 17 muaj më vonë, duke shkelur çdo afat të përcaktuar në kontratë dhe në një kohë kur administratori i përgjithshëm i “Albpetrolit” ishte ndërruar. Gjithashtu, drejtuesit e “Albpetrolit” nuk kanë aplikuar as kamatëvonesën duke favorizuar kështu administratorin e shoqërisë “Abajera” sh.p.k. Kjo, si pasojë e mungesës së përgjegjësisë të ndjekjes në rrugë gjyqësore nga ana e “Albpetrolit” që ka rrjedhur për shkak të nënshkrimit të “marrëveshjes së pajtimit” mes kompanisë së vetme naftënxjerrëse shtetërore dhe firmës private “Abajera” sh.p.k. Ajo që ka ngritur më shumë dyshime rreth abuzimit ka qenë edhe fakti se “marrëveshja e pajtimit” është nisur nga vetë kompania “Albpetrol”, edhe pse e dëmtuara ishte kjo kompani. Për këtë arsye, “Albpetrol” sh.a. ka humbur të drejtën e përfitimit të shumës së kamatëvonesës me vlerë prej 4 764 000 lekësh (47 640 USD). Ndërkohë, administratori i shoqërisë “Abajera” sh.p.k., Shpëtim Rama, dyshohet se me anë të falsifikimit të dokumentacionit të mjetit autosondë, të cilën e ka paraqitur si të re, ka konsumuar veprën penale të “mashtrimit”, parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal. Prej hetimeve të Task-Forcës është konstatuar se në deklaratën doganore të zhdoganimit të mjetit autosondë, vlera e tij është 130 000 USD, ndërkohë që shuma e përfituar nga ana e administratorit të shoqërisë “Abajera” sh.p.k., Shpëtim Ramaj, është 47 640 000 lekë më TVSH, rreth 340 mijë USD më shumë. Sipas prokurorisë, për shkak të porositjes së mjetit jashtë afateve kontraktore, mosdorëzimit të tij në afat dhe humbjes së mundësisë së përfitimit të kamatëvonesës, të tjerë zyrtarë të lartë të “Albpetrolit” dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën. Burime të gazetës pohojnë se është duke u verifikuar i gjithë dokumentacioni i kallëzuar nga KLSH-ja rreth nëntë muaj më parë në Prokurorinë e Fierit, pasi dyshohet se të tjerë zyrtarë kanë shpërdoruar detyrën gjatë nënshkrimit të kontratave dhe lejimit të blerjes së mjetit jashtë kushteve të përcaktuara në këtë kontratë.

Gazeta Shqip, 08.11.2013