Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

MEI informon per gjendjen e veshtire financiare te Albminiera sha

MEI bën me dije se nga këqyrja e dokumentacionit rezulton se shoqëria “Albminiera” sh.a, e cila menaxhon me aktivitetin e saj territoret e 33 ish minierave, të shtrira në katër prefektura ka bërë me dije në disa raste të përsëritura institucionet përgjegjëse për situatën e vështirë financiare dhe pamundësinë për të kryer funksionet.

Konkretisht, Albminiera i ka shprehur këtë shqetësim Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës katër herë (shkresat: Nr.124, datë 05.09.2011; Nr.46, datë: 16.03.2012; Nr.124, datë: 07.11.2012; Nr.26./1, datë 29.04.2013) dhe Ministrisë së Financave me shkresën Nr.26, datë: 20.03.2013. Duke mos gjetur zgjidhje i është drejtuar edhe Kryeministrit të Republikës me shkresën Nr.124/1, datë: 30.11.2012.

Në këto shkresa, shoqëria aksionere “Albminiera” sqaron se menaxhon me aktivitetin e saj territoret e 33 ish minierave. Në organikën e saj, shoqëria ka vetëm 33 roje për të ruajtur asetet e këtyre ish minierave në juridiksionin e saj, numër ky shumë i kufizuar krahasuar me nevojat reale për roje. Sipas nevojave reale dhe kërkesave të Kodit të Punës për ruajtjen e aseteve të këtyre ish minierave do duheshin 120 roje për tre turnet. Një situatë e tillë e ka bërë thuajse të pamundur kontrollin dhe ruajtjen e territoreve të 33 minierave në juridiksionin e “Albminiera” sha.

Aktualisht, shoqëria ka të miratuara nga Këshilli Teknik i AKBN-së, si e vetmja strukturë që ka tagrin ligjor për këtë proces, Projektet me Preventivat përkatëse për 290 punime minerare të hapura, 66 prej të cilave janë mbyllur pas urdhërit të ministrit në vitin 2008.

Për të realizuar “Mbylljen” e 224 punimeve minerare të hapura, për të cilat “Albminiera” sha ka hartuar projektet për mbyllje dhe këto projekte janë miratuar në Këshillin Teknik të AKBN-së, sipas preventivave të mbylljes së këtyre punimeve nevojiten 62,566,911 lekë.

Albminiera për të përballuar larminë e problematikave dhe detyrave që ka, ka kërkuar nga Buxheti i shtetit për vitin 2009 një fond prej 41.2 milionë lekë. Nga METE, për vitin 2009 ju dha vetëm një fond prej 21 milionë lekësh, fond i cili shkaktoi jo vetëm një paralizë të pjesshme të aktivitetit të Shoqërisë, por dhe mos shlyerjen e shumë detyrimeve të saj për vitin ushtrimor 2009.

Në vitin 2010, Albminiera ka kërkuar një fond prej 59 milionë lekësh por METE akordoi një fond prej 26 milionë lekësh dhe më pas është pakësuar me 2 milion lekë.

Për vitin 2011, Albminiera ka kërkuar nga buxheti i shtetit një fond prej 120.7 milionë lekë. METE i çeli fond kësaj shoqërie shumën prej 27 milion lekë.

Për vitin 2012, shoqëria ka kërkuar një fond prej 115 milionë lekësh mes të cilave, 21 milion për mbyllje punimesh minerare, 34 milionë për demolim objektesh. METE i akordoi Albminierës për 2012 vetëm 22 milion lekë, fond që nuk arrin të mbulojë as pagat mujore.

Për vitin 2013 u kërkua sërish një fond prej 120 milionë lekësh por është çelur një fond nga METE prej 5 milion lekësh dhe me shkresën e majit 2013 u miratua edhe një fond prej 7.5 milion lekësh i cili ka mbuluar vetëm pagat e periudhës dhjetor 2012-maj 2013.

Albminiera konstaton se nuk ka paguar pagat e punonjësve për muajin gusht 2013 dhe nuk ka aftësi paguese për punonjësit për vitin në vazhdim.

energjia.al, 08.11.2013