Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ në Pragë: S’kemi pasur asnjë kontakt me qeverinë

Qeveria shqiptare ka përcaktuar me një vendim të veçantë ngritjen e grupit të punës që do të negociojnë me CEZ-in në Çeki për t’u tërhequr nga Arbitrazhi, por nga Praga konfirmohet se ende nuk ka asnjë komunikim mes palëve. Madje procedurat që po vijojnë aty lidhen me një proces tjetër, që është pikërisht bërja gati e dosjes për të shkuar në dyert e gjykatës.

CEZ Pragë

Gazeta kontaktoi një ditë më parë me zëdhënësen e kompanisë, Barbora Puplanova, në lidhje me ndonjë komunikim që është bërë me qeverinë shqiptare, por sipas saj, nuk ka pasur asnjë të tillë. Pulpanova thekson se së fundmi ata janë informuar përmes mediave në lidhje me përpjekjet e qeverisë për të negociuar, por duke qenë se nuk ka pasur asgjë zyrtare, kjo është marrë si një keqinformim. “E vërteta është që askush nga pala shqiptare nuk ka kontaktuar me ne në mënyrë zyrtare”, shprehet ajo. Në këto kushte, duket se puna ka vijuar në kahun tjetër për CEZ Group në Çeki. “Ne do të vazhdojmë me përgatitjet për Arbitrazhin ndërkombëtar, i cili është pothuajse gati. Megjithatë, sipas praktikave të zakonshme, këto lloj arbitrazhesh përfundojnë me një marrëveshje dypalëshe, dhe ne do të pranonim vetëm këtë në kushtet e një kompensimi të drejtë”, shprehet zëdhënësja e CEZ-it në Pragë.

Deklarata

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, tri javë më parë deklaroi se qeveria shqiptare ishte e gatshme të fillonte negociatat dhe në atë kohë kjo deklaratë, edhe pse në formë jozyrtare, u mirëprit nga CEZ. Kompania në Pragë doli me një deklaratë duke u shprehur e gatshme që të fillonte negociatat me qeverinë, në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje para shkuarjes drejt gjyqit. Nga ana tjetër, vetëm pak ditë më parë hyri në fuqi edhe vendimi që ngre grupin e punës, por ndërkohë që qeveria bën gati terrenin për negociata, CEZ në Çeki nuk ka asnjë komunikim zyrtar mbi këto plane, duke vijuar procesin normal të përgatitjes për në Arbitrazh.

Negociatat, ngrihet grupi i punës që do përballet me çekët

Me një vendim të veçantë qeveria ka ngritur tashmë grupin e punës që do të negociojë me CEZ-in për t’u tërhequr nga Arbitrazhi. Në këtë grup pune bëjnë pjesë përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, nga Kryeministria, nga CEZ-i në Shqipëri, si dhe do të ketë asistencën e Entit Rregullator të Energjisë. Sipas të njëjtit vendim, palët do të ulen për të diskutuar me çekët për të arritur një marrëveshje, dhe për këtë do të asistohen nga studioja ligjore “Derains & Gharavi”, e cila më parë u kontraktua për të ngritur mbrojtjen në Arbitrazh. Në rast se nuk arrihet një marrëveshje nga negociatat, atëherë grupi i punës, sipas vendimit të qeverisë, do të tërhiqet dhe do të punojë për mbrojtjen e interesave të Shqipërisë në Arbitrazh. Të gjitha shpenzimet që do të bëhen në lidhje me këtë çështje, sipas vendimit, do të përballohen nga fondi rezervë në buxhetin e shtetit. Negociatat me CEZ-in nuk pritet të jenë aq të lehta kur palët pretendojnë të dyja se janë dëmtuar ekonomikisht. Pala shqiptare e bazon këtë në një sërë pikash, kurse CEZ mbetet i palëkundur në qëndrimin se ka bërë 100 milionë euro investime.

Gazeta Panorama, 06.11.2013