Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

U hiqet bonusi i karburantit 32 posteve zyrtare

Qeveria shqiptare do të kursejë 165 milionë lekë karburant pasi të shkurtojë kuotat naftë e benzinë të zyrtarëve të lartë. Drejtorët e drejtorive në rrethe të të gjithë institucioneve, por edhe Avokati i Shtetit dhe kryetarët e gjykatave do të lëvizin me mjetet e tyre personale dhe qeveria nuk do tu rimbursojë karburantin. Sekretarët e përgjithshëm të ministrive, drejtuesit e tatimeve dhe doganave do të duhet të lënë nga rroga paratë e naftës pas miratimit të vendimit të Ministrit të Financave për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë. Sipas ndryshimeve ligjore, për një pjesë të funksionarëve të lartë dhe titullarëve të institucioneve qendrore, shërbimi i transportit me mjetet e institucionit u zëvendësua me një bonus financiar për të mbuluar individualisht këtë transport. Por, gjatë periudhës së aplikimit të kritereve të përcaktuara në këtë ligj, janë hasur disa probleme që lidhen nga njëra anë me domosdoshmërinë e përdorimit të automjetit shtetëror për kryerjen e detyrës funksionale, siç është rasti i kryetarëve të bashkive, qarqeve, apo disa funksioneve policore dhe ushtarake etj, dhe nga ana tjetër, me përdorimin e automjeteve shtetërore krahas përfitimit të bonusit.

Meqenëse është shumë e vështirë të realizohet kontrolli i administrimit të automjeteve, është përgatitur ky projektligj i cili propozon: Për funksionarët e sistemit ushtarak dhe policor, pasi për shkak të detyrave të tyre specifike, lëvizja e tyre bëhet me mjete të posaçme ushtarake dhe policore dhe jo me mjete civile apo nëpërmjet shërbimit taksi; Për funksionet drejtuese të pushtetit vendor, pasi për këta drejtues është e pamundur që të lëvizin në të gjithë territorin e rajonit apo bashkisë, me automjetin personal si dhe sepse funksionari i pushtetit vendor shoqërohet përgjithësisht me specialistë të fushës për të ndjekur apo gjykuar problemet, specialistë të cilët lëvizin me mjetin e institucionit dhe nuk merr kuptim detyrimi i përcaktuar në këtë ligj, që ky funksionar të mos përdorë automjetin shtetëror, por të trajtohet me bonus.

Po kështu vendoset për funksionin drejtues të disa institucioneve qendrore, që kanë shpërndarje të gjerë territoriale (sic është rasti i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Doganave, ISSH dhe ISKSH), pasi këto institucione kanë mjete transporti në dispozicion, nëpërmjet të cilave duhet të realizohet shërbimi i transportit. Mbështetur në sa më sipër, numri i funksioneve përfituese të bonusit financiar, reduktohet në 14 funksione nga 46 të tilla që përfitojnë aktualisht, ndërsa numri i përfituesve bëhet rreth 187 funksionarë nga rreth 624 funksionarë që përfitojnë aktualisht. Një propozim tjetër që vjen në kuadrin e masave shtrënguese buxhetore, është ulja e masës së bonusit të transportit për funksionarët e lartë duke vendosur një kufi maksimal të bonusit në masën deri në 20 000 lekë/muaj nga 35 000 lekë/muaj që përcakton ligji aktual. Gjithashtu, është reduktuar edhe masa e bonusit për deputetin në nivelin maksimal prej 40 000 lekë/muaj, krahasuar me përcaktimin e ligjit aktual sipas së cilit përfitimi individual i deputetit është mesatarisht 45 000 lekë/muaj. Nëpërmjet këtij propozimi, synohet ofrimi i shërbimit të transportit për funksionarët publikë për të cilët ky shërbim është një domosdoshmëri, duke shfrytëzuar mjete në dispozicion të institucioneve, si dhe reduktimi i kostos financiare që mbart zbatimi i ligjit aktual në fuqi.

Revista Monitor, 23.10.2013