Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Markimi i karburanteve, biznesi kërkon shpalljen anti-kushtetues

“Rrezikohet konkurenca e ndershme e shoqërive të hidrokarbureve”

Gjykata Kushtetuese do të vendosë për shfuqizimin ose jo të një koncensioni të Qeverisë “Berisha” për ngjyrosjen e karburanteve për 10 vjet, nga bashkimi I dy kompanive private.
Ankimi është bërë nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve me pretendimin se vendimi është antikushtetues.

Rrezikohet konkurrenca e ndershme e shoqërive të hidrokarbureve në vend.
Është ky shqetësimi i ngritur prej shoqatës që i përfaqëon, jo vetëm sot, por që në muajt e parë të këtij viti. Shkak është bërë ky vendim I këshillit të ministrave I datës 13 mars 2013 që lidh një kontratë koncesionare për markimin e karburanteve me dy shoqëri private. Shoqata i ka kërkuar gjykatës kushtetuese shpalljen si të papajtueshme me kushtetutën të vendimeve të qeverisë, nën argumentin se një kontratë e kësaj forme mund të miratohet vetëm nga Parlamenti dhe jo nga Këshilli i Ministrave.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve këmbëngul se vendimet e qeverisë dhe koncesioni i markimit në fjalë, jo vetëm nuk sjellin asnjë përmirësim në kontrollin e standardit të karburanteve në treg, por për periudhën 10-vjeçare të koncesionit, do të kushtojë mbi 380 milionë dollarë amerikanë,që do të thotë, më shumë shpenzime për konsumatorin shqiptar.
Shënjimi apo ngjyrosja e karburanteve është një procedurë që njihet edhe në vendet e BE-së, por shoqëritë e hidrokarbureve pretendojnë se në shqipëri nuk po zbatohet këto standarte. Sipas tyre nuk kemi të bëjmë me ngjyrosje, por thjesht me hedhjen e një kimikati në sasinë e karburantit që duhet të tregtohet. Kjo shoqatë shkon dhe më tej, te cilësia e karburantit, duke pretenduar se kompanitë e huaja koncesionare nuk kanë asnjë detyrim dhe asnjë përgjegjësi lidhur me cilësinë e karburanteve që ato markojnë. Duke përfituar të ardhurat nga vjelja e taksës pa i ofruar asnjë shërbim të vlefshëm tregut shqiptar.
Ky vendim u kritikua nga opozita e atëhershme, e cila deklaroi se do ta shfuqizojë. Por fjala e fundit do të thuhet në seancën e sotme të gjykatës kushtetuese, nëse nuk do të kërkohet përsëri shtyrja e këtij procesi.

ABC News, 23.10.2013