Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kur hakmerret uji

Kanë qenë dikur një numër institucionesh shkencore që merreshin me veprat hidroenergjitike, të cilat janë mbyllur prej vitesh. Me një rrëmujë të jashtëzakonshme, politika shqiptare në këto dy dekada e ca është sjellë së paku në mënyrë naive me një nga pasuritë më të mëdha të vendit, ujin. Problemet me koncesionet që kanë nisur të anullohen nga qeveria e re, marrëzitë e hershme dhe nevojat për rishikim total të politikave. Problemet e rënda teknike e zgjidhjet e dobta në koncesionet e dhëna për lumin Devoll, lumin e Vjosës dhe të Osumit. Dr. Ing. Kristo Goga bën kritikën e të djeshmes dhe jep disa receta për të nesërmen.

Energjitika dhe hidrocentralet kanë qenë një nga kryefjalët e politikës shqiptare, e debateve mbi to, por dhe krizave. Si e gjykoni ju një gjë të tillë?

Eshtë tërësisht e vërtetë. Kjo është një nga ato raste kur flitet pafund për litarin në shtëpinë e të varurit dhe askush nuk reagon. Në tetë vjetët e fundit, ato kanë qenë epiqendra e propagandës. Për to më shumë fliste politika dhe heshtnin ose edhe kur flisnin specialistët, ata nuk dëgjoheshin. U arrit deri aty sa u tha që vendi, të paktën në nivel rajonal, do të bëhej një superfuqi energjitike. Të bëj pak histori. Deri para Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria kishte trashëguar vetëm hidrocentralin e Vithkuqit. Një pjesë e burimeve të këtij fshati përdoreshin dhe për ujë të pijshëm për qytetin e Korçës. Janë zbuluar dhe gjurmë të një hidrocenrali tjetër në burimet e Bënçës, Tepelenë, që furnizonte fshatin dhe teqenë e tij. “Turbina” e tij ishte me fletë druri dhe ishte ndërtuar nga një bënçiot që kishte punuar në minierat e Lionit në Francë. Për hidroenergjitikën nisi të flitet mbas luftës. Në 1951 u përurua hidrocentrali i Lanabregasit, deri në vitet 90’ quhej hidrocentrali Lenin, i cili shfrytëzonte ujërat e Selitës dhe më vonë edhe burimin e Shën Mërisë. Uji i tyre përdorej si ujë i pijshëm edhe për furnizimin e Tiranës dhe Durrësit. Më pas, mbi bazën e kërkesave të ekonomisë së planifikuar, u projektuan dhe ndërtuan hidrocentrale të tjerë që sa vinin dhe ishin më të fuqishëm. Në vitin 1949, në Durrës u ngrit ndërmarrja Hidroelektro, e cila merrej kryesisht më ndërtimin e hidrocentraleve. Kështu, u ndërtua hidrocentrali i Ulëzës, që gjatë ndërtimit kishte emrin Enver dhe mbas vënies në shfrytëzim në vitin 1958, u quajt hidrocentrali Karl Marks. Në të ka punuar si vullnetar edhe babai im Joti Goga. Pas tij u ndërtuan hidrocentralet e Shkopetit dhe të Bistricës 1 dhe 2. Mbas tyre, erdhi rradha e shfrytëzimit të kaskadës së Drinit, më të mëdhenjtë në vend që u mbyllën me hidrocentralin e Komanit në vitin 1985. Vetëm tetë hidrocentrale, ai i Selitës, i Ulëzës, i Shkopetit, dy Bistricat, i Vaut të Dejës, i Fierzës dhe i Komanit, kanë një fuqi të vendosur prej 1431 MW dhe prodhim mesatar vjetor prej 5.17 miliard kilovatorë energji elektrike në vit.
Krahas këtyre hidrocentraleve, në atë periudhë u ndërtuan dhe 83 hidrocentrale të tjerë, të quajtur hidrocentrale lokalë me fuqi të përgjithshme 14 MW, që prodhonin edhe 55 milion kilovatorë energji elektrike në vit.
Po kështu, u projektuan dhe ndërtuan dhe 9 termocentralë me fuqi të instaluar 224 MW. Fatkeqësisht ata, mbas vitit 1991, fundit të ekonomisë së centralizuar, u nxorrën të gjithë jashtë përdorimit, bashkë me të gjithë hidrocentralet lokalë. Mëkat i vërtetë. Barbari. Krim kundër ujit duke harruar se dhe uji mund të hakmerret me njerëzinë siç ndodhi edhe në përmbytjet e njëpasnjëshme biblike në veriun e vendit tre vjet më parë.

Si u arrit të ndërtoheshin këto vepra, çfarë roli kanë pasur specialistët vendas?

Studimet perspektive për të gjithë hidrocentralet janë kryer kryesisht nga institucionet shqiptare dhe fillimisht, edhe nga institucione homologe të huaja, në kuadër të bashkëpunimeve me vendet e ish-bllokut komunist. Që të gjitha studimet, në tërësi, parashihnin një shfrytëzim kompleks të rezervave ujore. Në Shqipëri kanë vepruar ish-Instituti Shtetëror i Projektimit, ish-Instituti i Studimit dhe Projektimit të hidrocentraleve, Byroja e Studimit dhe Projektimit të Hidrocentraleve të Vegjël pranë ish-Drejtorisë së Përgjithshme të Ekonomisë Komunale. Siç e shihni, janë ish-institucione sepse sot nuk ekzistojnë më. Promotori dhe koka udhëheqëse e hidroenergjitikës në Shqipëri ka qënë Profesor Petrit Radovicka. Një kontribut shumë të vyer ka dhënë dhe Katedra e Hidroteknikës në Fakultetin e Inxhinierisë, nën udhëheqjen e Profesorit Xhemal Gjata dhe Profesor Pandi Stratobërdha, që kanë kryer studimin e skemave të shfrytëzimit hidroenergjitik të trungjeve të lumenjve të Shqipërisë si dhe të disa degëve të tyre. Megjithatë, për shumë arsye, deri në vitin 1990, Shqipëria nuk arriti të kishte një studim të plotë të kadastrës hidroenergjitike.

Çfarë ka ndodhur, sipas jush, me syrin e një specialisti mbas viteve 90’ me këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë së vendit.

Ka një lëvizje totalisht kuturu dhe pa sens. Shteti shqiptar nuk di se çfarë duhet të bëjë për hidroenergjitikën. Studimet e kaluara kanë përfunduar në koshin e plehrave dhe nuk është bërë asnjë i ri. Nga inventari i trashëgimisë energjitike u hoqën termocentralet me fuqi të instaluar 224 MW si dhe shumica e hidrocentraleve lokalë. Humbja e shkaktuar u zëvendësua thjesht duke blerë energji nga jashtë, në të njëjtën kohë kur dhe kërkesa për energji është shtuar. Ka vite që, gjoja sipas ligjeve të ekonomisë së tregut, ka filluar dhënia me koncesion e hidrocentraleve. Në nisje sipas modelit “koncesion i pa kërkuar”. Sipas këtij modeli hartohej projekti i fizibilitetit nga një individ me licensë dhe biznesmeni që kërkonte koncesionin, të cilët e dërgonin në Ministrinë e Energjitikës për kontroll dhe miratim. Kuptohet, kjo ishte një metodë që merrte parasysh vetëm interesat e biznesmenëve, por jo të të gjithë shoqërisë. Mbas vitit 2005 u gjet një tjetër formulë. Projektet për hidrocentralet fillonin sipas modelit “koncesion i pakërkuar”, dërgoheshin në Agjensinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe kur gjendeshin në “rregull” nga ky institucion, i riktheheshin Ministrisë së energjitikës. Kjo e fundit, kontrollonte dokumentacionin, i jepte biznesmenit “inisiator” disa pikë si bonus dhe niste procedurën koncesionare me modelin e “koncesionit të kërkuar”. Ftoheshin dhe të tjerë në garë. Në shumicën e rasteve, inisiatorët nuk fitonin nëse nuk kishin përkrahje politike.

Ka një bindje të përgjithshme publike se shumica dërmuese e koncesioneve janë dhënë me idenë: të prodhojmë energji, por ndikimi në mjedis nuk ka asnjë rëndësi. Diku ka pasur dhe protesta për një gjë të tillë. Ju si e mendoni këtë problem?

Për mjedisin dhe studimet për impaktin që ndërtimi i hidrocentraleve të rinj do të kishin në mjedis, nuk e vriste mendjen njeri. Mund t’ju them se asnjë koncesion nuk është anulluar për një shkak të tillë. Studimet mjedisore ngushtoheshin vetëm me “zbulimin” nëse hidrocentrali nxirrte apo jo dioksid karboni. Por po të shihet harta e Shqipërisë, dallohet qartë shkretëtira që lenë pas disa hidrocentrale. Një masakër e vërtetë ambientale që ka ardhur nga zgjidhjet teknike të ndërtimit. Mund të shihet kjo masakër në luginën e sipërme të Shkumbinit apo dhe në luginën e Murdhahut, në zonën Skuterë – Ibë. Ndërtime pa asnjë koordinim, qoftë për anën energjitike, po ashtu dhe për nevojat e tjera jetike që lidhen me ujin, si furnizimi i popullatës me ujë të pijshëm, për furnizimin e bujqësisë apo dhe për ruajtjen e ambientit dhe mjedisit. Kjo gjë ka sjellë jo në raste të veçanta dhe sporadikë edhe konflikte me popullsinë e zonave ku bëhet ndërtimi.

A kanë qenë të rregullta, sipas informacioneve që ju keni, procedurat e koncesioneve?

Jam i sigurtë që një kontroll nga pikpamja e ligjshmërisë në shumicën e këtyre ndërtimeve të pretenduara me koncesion, do të nxirrte shkelje trashanike në zgjidhjet teknike. Zhvillimi në këtë formë i procedurave të koncesioneve për hidrocentralet, sipas ligjit aktual të koncesioneve, ka sjellë anomali nga më grotesket në realizimin e tyre. Më kryesoret, në financimin e tyre. Të jem më konkret. Metoda e kriterit ekonomik tek ne është zëvendësuar me një “zbulim” të madh. Prurja llogaritëse ekonomike e një hidrocentrali apo një grupi hidrocentralesh është ajo që përsëritet në 100 ditë të vitit mesatar llogaritës. Ata që futën këtë kriter nuk menduan as për ekonominë kombëtare dhe madje, as për biznesmenët që kërkonin të investonin. Kjo mënyrë bënte më të lehtë punën e komisionit të licensimit. Marrëzia ishte se fitonte, sipas praktikës, koncesioni që nga studimi hidrologjik, për të njëjtin lumë a rrjedhë çfarë do uji, jepte prurje më të madhe. Ku është parë që i njëjti lumë, për një palë dokumenta të jepte më shumë ujë sesa për një palë tjetër dokumentash? Po t’i shtosh kësaj dhe fenomenin e vendosjes së çmimeve sipas qejfit pa kontroll, kuptohet lehtë se gara nuk ishte në kushte të barabarta. Pse ndodhte kështu? Se në këtë mënyrë, komisionet vlerësuese të dhënies së koncesionit, kanë mundësi që të luajnë si të duan. Ta konkretizoj. Një biznesmen, ai që mer inisiativën i pari për koncesion, kalon klasën në grupin e kontrollit teknik të projekteve në AKBN, merr disa pikë bonus nga ministria në avantazh nga të tjerët për vazhdimin e garës. Projektet e tjera që hyjnë në garë nuk kalojnë për kontroll në AKBN. Ato janë në kompetencën e komisionit të tenderimit. Gjë që do të thotë se me ligj, ky komision është më “i aftë” edhe teknikisht se AKBN-ja. Sërish marrëzi! Dhe deri më tani besohet se janë dhënë me koncesion rreth 444 hidrocentrale, shumica e të cilëve kanë problemet që ju përmenda.

Cili është roli i projektuesve dhe sa janë vlerësuar ata në procedurat e koncesioneve?

Me këto lloj procedurash, projektet dhe projektuesit janë kthyer në plaçkë tregu. Një projekt nis me një projektues, fitohet tenderi dhe pas kësaj biznesmeni zgjedh një projekt tjetër. Por ka edhe më keq. Vidhen, në kuptimin e drejtpërdrejtë të kësaj fjale projekte të gatshme. Unë vetë jam një nga viktimat e tilla të shumta. Edhe kur e kam denoncuar një gjë të tillë, askush nuk ka reaguar.

A ka një zgjidhje sipas jush?

Natyrisht që ka. Vetëm vdekja nuk ka zgjidhje. Të korrigjosh një praktikë të gabuar është shumë e vështirë dhe kërkon para së gjithash kohë dhe vullnet. Më parë duhet të pezullohen të gjitha koncesionet e dhëna dhe që nuk kanë filluar të ndërtohen apo dhe janë në proces, ashtu siç po ndodh me një sërë vendimesh të qeverisë së re. Koncesionet e realizuara nuk duhet të preken. Për koncesionet e tjera të dhëna prej shumë kohësh e që kanë filluar të ndërtohen, por janë ende në fazë fillestare, gjithashtu nevojitet rishikim. Eshtë urgjente të zgjidhet problemi i studim projektimit. Më parë duhet të dalin nga arkivat studimet e hershme dhe të ballafaqohen me zgjidhjet e bëra në rastet e koncesioneve. Shkurt, duhet bërë një punë nga e para. Më parë, para viteve 90’, të tëra studimet ishin të koordinuara dhe jo të pjesshme si sot. Janë tre të tillë, sa për të marrë një shembull, për zgjidhjen e ujitjes së tokave bujqësore, me perspektivë deri në vitin 2025. I fundit është i 30 vjetëve më parë. Eshtë kryer studimi i furnizimit me ujë i të gjithë popullatës në Shqipëri, është i kryer dhe studimi urbanistik i të gjitha qendrave të banuara, përfshi dhe fshatin. Ish-instituti i projektimeve ka të kryer studimin për ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël për pjesën më të madhe të rrjedhave ujore, studimi për për shfrytëzimin hidroenergjitik të të gjithë veprave ujitëse të bujqësisë të ndërtuara. Sot realiteti ka ndryshuar shumë dhe ato duhet të rivitalizohen në përputhje me këtë realitet të ri konkret.
E përsëris: ndërtimi i një hidrocentrali nuk është një proces i shkëputur. Për shembull, koncesionet e dhëna për lumin Devoll, për ato që priten për lumin e Vjosës apo të Osumit, afrojnë zgjidhje shumë më të dobta se zgjidhjet që kanë dhënë studimet shqiptare. Lumenjtë që dalin nga grykat e vargmalit Milot-Krrabë, pjesa e sipërme e lumit të Shkumbinit e të tjerë, e të tjerë, janë dhënë me koncesion me zgjidhje pjesore e të dobta që nuk mbajnë parasysh se do të duhej të mbanin peshën kryesore për rregullimin e kërkesave për ujë.
Për momentin sugjeroj që në mungesë të një instituti të specializuar, të ngrihet një grup apo byro shkencore, me kompetenca të plota të vendimmarrjes teknike, me status të qartë që e mbron nga ndërhyrjet e politikës apo individëve. Në të njëjtën mënyrë që kërkohet të vihet një moratorium për shfrytëzimin e pyjeve, edhe për problemin e ujrave duhet të lihet kohë që të bëhet një studim kompleks për të vendosur rregull në shfrytëzimin e kësaj pasurie të paçmuar. Vetëm më pas mund të vazhdohet të bëhen tendera për modelin “koncesione të kërkuara”. Nuk vlen të kemi frikë apo ngutje. Nuk ka nevojë të shpikim diçka të re. Kështu vepron gjithë bota e qytetëruar. Madje shembuj pozitivë gjenden dhe jo larg Shqipërisë, tek fqinjët tanë.

Revista Java, 22.10.2013