Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria, bisedime me çekët e CEZ

Qeveria shqiptare do të përpiqet që ta zgjidhë me mirëkuptim përmes negociatave të drejtëpërdrejta konfliktin me CEZ. Top Channel zotëron një projek-vendim që pritet të marrë formë zyrtare shumë shpejt, përmes të cilit qeveria ngre një grup të posaçëm pune, i cili do të negociojë me drejtuesit e grupit çek për të zgjidhur konfliktin.

Sipas projekt-vendimit, që është miratuar nga ministri Damian Gjiknuri dhe ka kaluar per mendim ne ministrite e tjera pergjegjese, në grupin e punës do të përfshihen Ministria e Energjetikës, ajo e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik si dhe Avokatura e Shtetit.

Pas miratimit, grupi i punës do të njoftojë menjëherë kompaninë CEZ për fillimin e negociatave si dhe do t’i kërkojë asaj pezullimin e procedurave të arbitrazhit deri në përfundimin e negociatave për zgjidhje me mirëkuptim të konfliktit. Në rast se kompania çeke nuk do të pranojë negociimin, atëherë vendimi ngarkon grupin e punës të marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, duke përfshirë mbledhjen e provave, identifikimin e dëshmitarëve dhe angazhimin e ekspertëve në procedurat e arbitrazhit.

Konflikti me ÇEZ kulmoi në janar të këtij viti, kur ish-qeveria e demokratëve vendosi heqjen e licencës. Që nga ajo kohë Tirana zyrtare dhe grupi çek janë në një betejë ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit, ku tashmë është përcaktuar dhe trupa gjykuese me tre gjyqtarët që do të shqyrtojë konfliktin.

Por pse qeveria e re po kërkon zgjidhjen me mirëkuptim të konfliktit? Arsyet gjenden në e relacionin që shoqëron projek-vendimin. Sipas tij, që nga koha kur vendosi të heqë licencën e CEZ, qeveria e demokratëve ka anashkaluar procedurat e tjera të detyrueshme, vecanërisht procesin e vlerësimit të aseteve dhe nisjen shpronësimit. Ky mosveprim, sipas relacionit ka rrezikuar seriozisht të drejtat dhe interesin ekonomik të shtetit shqiptar pasi mund ta penalizojë atë në gjykatë.

Ligji 8561 për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurive private për interes publik përcakton se Këshilli i Ministrave menjëherë pas heqjes së licencës duhet të kishte nisur procedurat për vlerësimin e aseteve të kësaj shoqërie dhe më pas shpronësimin dhe dëmshpërblimin e saj.

Por këto procedura nuk u respektuan. Vetëm në datën 5 shtator qeveria e mëparshme, në ditët e fundit të saj, nënshkroi marrëveshjen me dy kompanitë e përzgjedhura për të kryer procedurën e vlerësimit të aseteve dhe shpronësimit të CEZ.

Ndërkohë që përgjatë kësaj kohe nuk përzgjodhi as konsulentin që do këshillonte Shqipërinë në Gjykatën e Arbitrazhit. Ky mosveprim i qeverisë së mëparshme, thotë relacioni, ka rrezikuar seriozisht shanset e Shqipërisë në gjyq. Për këto arsye, me projekt-vendimin e ri, qeveria aktuale shpreson t’i japë një tjetër drejtim konfliktit mes shtetit shqiptar dhe shoqërisë CEZ.

Nëse pala çeke do të pranonte negocimin, Shqipëria do të shmangte mundësinë e ndëshkimit në Gjykatën e Arbitrazhit, që nëse do ndodhte do ishte një tjetër goditje jo e vogël për financat publike të vendit, sakaq në krizë.

Top Channel, 20.10.2013