Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kroaci: Hungaria “braktis” gjigantin kroat të naftës

Hungaria njoftoi se mund të shesë aksionet e saj në firmën kroate të naftës INA, pasi Kroacia lëshoi një urdhër-arrest europian kundër shefit të firmës hungareze të naftës MOL, Zsoltan Hernadi.

Qeveria hungareze tha se po këshillonte MOL të merrte në konsideratë shitjen e aksioneve të saj në kompaninë e naftës INA, të cilën MOL e bleu në vitin 2003.

Hungaria anuloi gjithashtu edhe pjesëmarrjen e ministrit të saj të Jashtëm në një forum të sigurisë rajonale të energjisë, i cili u zhvillua në qytetin kroat të Dubrovnikut. Bosi i MOL, Hernadi, u akuzua si i dyshuar nga prokurorët kroatë gjatë gjykimit të ish-kryeministrit të turpëruar Ivo Sanader, i cili u burgos për dhjetë vjet në nëntor të vitit 2012.

Sanader u shpall fajtor për pranimin e 10 milionë eurove nga MOL në këmbim të një pozite dominuese në INA.
Ai u burgos edhe për marrjen e një gjysmë milion euro nga banka “Hypo” në vitin 1994, në mënyrë që të lejonte bankën austriake të hynte në tregun financiar kroat.

Prokurorët kroatë thonë se ata dyshojnë se Sanader bashkëpunoi me Hernadi në marrjen e ryshfeteve.
MOL tha se do të kundërshtojë urdhër-arrestin kroat kundër Hernadi duke përdorur “të gjitha mjetet ligjore”.
MOL pohoi se urdhri shkelte ligjin europian, por zëdhënësja e Komisionerit Europian të Drejtësisë, Mina Andreeva, e kundërshtoi këtë.

Në një deklaratë dhënë pranë agjencisë hungareze të lajmeve MTI-së, ajo e përshkroi çështjen e urdhër-arrestit si “ekskluzivisht një çështje ligjore, e cila nuk mund të ndikohet politikisht”.

Ministri i Jashtëm hungarez, Janosh Martony, tha të enjten se “po vijnë sinjale se forcimi i lidhjeve ekonomike në Europën Qendrore nuk është një prioritet për Kroacinë.“Bashkëpunimi për energjinë mund të jetë më pak i rëndësishëm për Kroacinë se sa kemi menduar”, shtoi Martony. “Hungaria nuk mund ta fshehë edhe për shumë kohë mendimin e saj – por kjo nuk do të thotë se marrëveshja është e pamundur”, vazhdoi ai.

Qeveria kroate nuk ka komentuar mbi lëvizjet e Hungarisë, ose mbi çështjen e urdhër-arrestit kundër Hernadi.
Hernadi tani do të përballet me arrestimin dhe ekstradimin në Kroaci, nëse ai largohet nga Hungaria në drejtim të çdo shteti tjetër anëtar të BE-së .
MOL tha se urdhër-arresti “nuk do të ndikojë në punën e z. Hernadi si CEO i MPCS”.
Qeveria kroate dhe MOL, aksioneri më i madh në INA, kohët e fundit filluan negociatat për të ardhmen e INA-s.
MOL ka 49.1 për qind të aksioneve të INA-s, ndërsa qeveria kroate, 44.8 për qind.

Revista Monitor, 20.10.2013