Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Liberalizimi i tregut rrit cilësinë

Liberalizimi i tregut të energjisë në Gjermani, i cili ka ndodhur kah fundit i viteve 90, ka ndikuar shumë shpejt në zhvillimin e këtij sektori. Kështu ka thënë Sven Nuhn, menaxher i divizionit të rrjetit të shpërndarjes “E.ON mitte AG” në Gjermani, në konferencën ndërkombëtare “Tregu Energjetik Evropa Juglindore 2013”, e cila po mbahet në Prishtinë. Sipas tij, liberalizimi i tregut në Gjermani në masë të madhe e ka ngritur cilësinë.

Edhe Reinhard Trenkle, udhëheqës ekipi, promovimi i ekonomisë, “Deutsche Gesellschaft fur Internationale Zusammenarbeit (GIZ)”, është befasuar nga kompleksiteti i kësaj çështjeje.

“Jam shumë i preokupuar se si mund ta rregullojmë këtë temë në kuadër të kërkesave të reja të Bashkimit Evropian. Nuk jam ekspert në këtë lëmi. Mirëpo, e kam një këndvështrim pak më ndryshe këtu”, ka thënë ai.

Më tej ai ka parashtruar pyetjen se a do të stërngarkohet ekonomia e Kosovës, apo do të paraqitet një mundësi për zhvillimin ekonomik të vendit nëse kësaj i qasemi me një perspektivë të caktuar.

“Nëse do të respektohen rregullat e reja të lojës, a do të jetë kjo një ngarkesë për Kosovën, apo do të jetë kjo po ashtu një mundësi për të lulëzuar sektorë të caktuar ekonomik”, ka thënën ai.

Trenkle ka thënë se Kosova ka krijuar plane veprimi energjetike.

“Janë krijuar plane veprimi energjetike të reja. Janë marrë vendime për zëvendësimin e termocentralin e thëngjillit me një të ri. Është hyrë në krijimin e linjave bartëse të tensionit të lartë për në Shqipëri, pastaj i është hyrë punës për masa të ndryshme për efiçiencë të energjisë në sektorin publik”, ka thënë ai.

Në anën tjetër ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, ka thënë se siguria e furnizimit me energji elektrike, është elementi kryesor i zhvillimit të një vendi.

Sipas tij, nëse do të përcilleshin vetëm kërkesat e personave që mbrojnë ambientin, atëherë ai tha se në vendin tonë nuk do të kishte zhvillim, ose së paku jo në një shkallë normale.

“Problemi i Energjisë është problem global. Një ndër problemet esenciale është se si ta arrijmë ta zbutim problemin e ruajtjes se ambientit. E në anën tjetër të kemi siguri të furnizimit me energji elektrike”ka thënë ai.

Sipas tij, hapja e tregut të energjisë elektrike në Evropë, nuk bëhet vetëm për përfitime të kompanive. Gjithashtu, ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria shumë shpejt do t’i bashkojnë tregjet për sigurimin e energjisë elektrike.

“Nisma për bashkimin e tregjeve Kosovë-Shqipëri, është shumë e hershme. Shpresoj se së shpejti do të nënshkruhet marrëveshja e parë në mes dy qeverisë Kosovës dhe Shqipërisë, që do të jetë marrëveshja për ndërtimin e tregut të përbashkët për energji elektrike, e cila po koincidon në një farë mënyre me fillimin e ndërtimit të linjës 400 kilovat”, ka thënë ai.

Gazeta Zeri, 11.10.2013