Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Flet “Gjenerali” i naftës shqiptare: Qeveria e re të kthejë sytë nga nafta

Gjeologu Dhimitër Gjenerali është një institucion më vete ne axhenden e naftës shqiptare. Ai jeton shumë larg Shqipërisë. Gjeolog Dhimitër Gjenerali është rrëfyer për naftën në disa intervista. Gjenerali ka thënë qartë ku është dhe çfarë duhet të bëjmë që ta zbulojmë naftën.

Z. Dhimitër, ju jeni gjeolog me eksperiencë të madhe dhe shumë optimiste për perspektivat e naftës shqiptare. Mund të përmendeni disa nga objektet e perspektives së parë?

Faleminderit për pyetjet teknike për naftën e bekuar që Zoti i ka dhuruar nëntokës mëmë. Lehtësohem shpirtërisht sado shkurt që këto do mund të publikohen. Përgjigjet e mia janë falë eksperiencës së punimeve me investimet e pareshtura të diktaturës. Këto botime ngrohin zemrat e bashkatdhetarëve dhe orientojnë qeveritarët tanë që me ndihmën e Zotit të kontribuojnë për rifillimin e zbulimit të vendburimeve të reja që u ndalen pas fontanimeve të Cakranit në pritje optimiste të mjaft vendburimeve të reja e te fuqishme. Tani të futem në temë. Është gëzim dhe kënaqësi për mua të shpreh bindjen për disa nga objektet më të përgatitura ku mund të rivendosen shpimet e kërkimit të naftës, ato ndodhen kryesisht mbi objektin e tavanit të gëlqeroreve me mbulesën argjilo-mergelore të fillimit të flishit si:

1. Në antiklinalin e madh me flish në sipërfaqe në Papër të Elbasanit. Në këtë antiklinal flishor (rreth 4x8km) kanë paraqitur projekt për shpim (rreth 3,500m) si gjeologët rilevues rusë (Kornjejev, etj.) dhe gjeologët tanë rilevues (S. Starova, Dh. Gjenerali). Më vonë, një nga profilët sizmikë, që ju ma keni treguar mua, reflekton qartë tavanin karbonatik, atje ku është projektuar nga ne pusi Papri (i pashpuar).

2. Në antiklinalin e madh me flish në sipërfaqe në Rovë të Tiranës, rreth 20 km në perëndim- jugperëndim të kryeqytetit. Këtu është shpuar pusi Rova- 1, rreth 3.000m, i projektuar nga ne (Dh. Gjenerali). Ky pus është vendosur afër kulmit sipërfaqësor në flish dhe ka ngelur po në flish, po me rënie normale. Përcaktimet mikrofaunistike të fundit të pusit jepnin në atë kohë Akuitanian (?!) të pasigurtë, ashtu si tek fundi i pusit Cakran -16, ku më vonë puset i takuan gëlqerorët rreth 150-200m më thellë, me sa duket për moskompetencën e komplekseve mikrofaunistike të njohur në atë kohë për Akuitanianin.

3. Objekti i gëlqerorëve në Pekisht si shoqërues të flishit të sipërfaqes të ngopur me naftë. Ky objekt nuk u kontrollua me shpim pasi ne rendëm për naftën në mollaset e tortonianit, që kishin gjatë shpimit si dhe në kampionet ranore me naftë. Objekti i gëlqerorëve të Pekishtit merret qartë nga reflektimet sizmike si bllok me rënie të butë perëndimore në buzën perëndimore të keprokut të Dumresë (sipas korelimit dhe interpretimit tonë të përbashkët (A. Çollaku, Dh. Gjenerali).

Ka shumë objekte të tjerë ku është shpuar një pus që ka kaluar në Perëndim duke i lënë gëlqerorët e vendburimeve më në lindje si në Panohor (K. Rama), Selishtë, Vlorë, etj. ku mund të kalohet teknikisht direkt me pus shpimi.

Objekti i ranorëve të tortonianit si në Marinëz gjithashtu pret të kontrollohet me shpime me kapacitetet e njohuritë e sotme. Ky objekt përveç zonave ku kanë penguar presionet mbinormale si në Frakull, Seman, Fusha e Durrësit ka vend dhe në verilindje të Marinzës në luginën e Shkumbinit dhe akoma më cekët në krahun veriperëndimor të depresionit Tiranë- Ishëm, etj.

Por objekt konkret vendburimesh të pritshme nafte janë dolomitët midis kripërave si në vendburimin e Kroacisë në Dugi Otok (rreth 3.000m thellësi) në Kretak dhe në pusin Paksos -1, në ishullin e Greqisë (në Trias). Për dolomitët nën gipset e kripërat e Kretakut është mjaft konkret antiklinali i qetë i Makareshit, antiklinali i madh i katit të poshtëm ku është shpuar cekët (rreth 3,000m) pusi Tirana -1 dhe 2, ku sizmika regjistron qartë kripërat midis e mbi dolomitët në thellësi rreth 4,500m (sipas korelimit tuaj dhe interpretimit tonë).

Si e shpjegoni faktin që në këto 30 vitet e fundit nuk është zbuluar asnjë vendburim nafte?

Nuk janë bërë investime dhe pothuaj nuk janë bërë shpime. Organizimi i ri shtetëror, aq rezultativ në të gjithë boten, tek ne nuk ka filluar të ecë mirë akoma, me sa duket po tenton të ecë, “por me paterica”, sidoqoftë besoj se një ditë do t’i flakë patericat.

Sidoqoftë kërkimet e naftës kërkojnë këmbëngulje dhe durim. Por Shqipëria jonë hyn në vendet me ndërtim gjeologjik të komplikuar (gjeosinklinal tipik) me ngritje antiklinale të krijuara si nga lëvizja e kripërave të tretura fillimisht, ashtu dhe të tronditura nga llavat vullkanike e pse jo dhe nga diapirët kripore që lexohen qartë jo vetëm në Dumre e Llixha Elbasan, por edhe në Glinë, në jug të masivit të Kurveleshit, në Dhrovjan-Delvinë të Malit të Gjerë, etj.

Një kompani e huaj i është qepur pusit të Sqepurit, ndërsa pusi i shpuar në Juban të Shkodrës nuk dha rezultate, si mendoni…

Përqendrimi i vëmendjes ne pusin e Sqepurit nuk ka asgjë te keqe. Krahas anëve pozitive të popullarizuara “me mirë një vezë sot se një pulë mot”, tregon që atje nuk bëhen kërkime dhe investime. Me sa duket kjo vjen nga mosnjohja.

Struktura e Sqepurit me gëlqerorët naftëgazmbajtes do kërkuar në qafën morfologjike të fshatit Sqepur, nuk besoj se lidhet me naftën e “mbetur” pa energji gazore të pusit të emëruar Sqepuri -1. Si çdo e dhënë, dhe ajo e pusit Sqepur -1 orienton mjaft.

Mbasi të kapen gëlqerorët e rrudhosjes antiklinale të qafës së Sqepurit, që priten rreth 3,500m thellë, do ecet drejt urës së Kuçit dhe sidomos më në veri në ngritjen antiklinale të Karbunarë-Lushnjës ku puset e shpuar nga ne me iniciativën e gjeologëve rusë kanë kapur ranore të ngopur me naftë në Oligocen e Akuitanian në thellësitë rreth 2,500m.

Ju do të kishit projektuar në Juban?

Zona e Shkodrës më tepër thërret për objektin e ngjashëm me Dugi Otokun kroat. Mali i Zi ka kryer disa shpime si ai i Jubanit, pastaj i ndërpreu investimet, por ndërmarrja gjeologjike vazhdoi të ekzistojë.

Për pyetjen konkrete, në Juban unë mbase do isha rezervuar paraprakisht duke pasur parasysh Paprin, Roven, Pekishtin, etj. Sidoqoftë dhe puset jo rezultative të orientojnë për drejtimin e investimeve, jo për t’u trembur.

Mendoni se kontrollohet nafta shqiptare? Konkretisht, çfarë mendimi keni për Albpetrolin dhe për kompanitë e huaja që thëthijnë naftën shqiptare?

Persë i përket shfrytëzimit të vendburimeve të vjetra të naftës, s’ka dyshim se kontrolli teknik, përsa i përket kohës së punës dhe fuqisë thithëse të naftës, patjetër ka, se ndryshe puset e prodhimit do ishin inonduar nga ujërat dhe gjithë vendburimet do ishin “mbytur” e nuk do vazhdonin. Besoj se metodat e dyta duhen të jenë përdorur të nivelit bashkëkohor dhe kjo më gëzon se edhe të quajturat “abuzime” kanë një kufi në çdo drejtim.

Sidoqoftë vendburimet e vjetra që vendi trashëgoi nga koha e diktaturës kërkonin teknikën bashkëkohore me eksperiencën e duhur. Lexoj me vëmendje sidomos përsa i përket kontratave të kompanive me shtetin dhe them shumë mirë pasi debatet bëhen për mirë dhe s’vjen asgjë e keqe nga vërejtjet e sugjerimet.

Nga do i vijë e mira kësaj Shqipërie?

Sigurisht nga ne shqiptarët do t’i vijë e mira Shqipërisë së bukur e të dashur. Sidoqoftë faktorët e jashtëm janë ndihmës. Veçanërisht me pëlqen çdo lajm për bashkëpunim me vende që e njohin relativisht vendin tonë dhe kane potencial nafte si Azerbajxhani e në dashtë zoti vete, Federata Ruse.

Si e gjykoni faktin që z.Rama i kushton vëmendje kryesisht specialistëve të moshave te reja dhe valencave të CV-ive?

U gëzova shumë me fitoren e bujshme të opozitës, çdo ndërrim bëhet për mirë. Më pëlqen sistemi i afateve kufizuese të presidentëve që shoh këtu në Amerikë. Dita e mirë, thotë populli, duket që në mëngjes. Gëzohem shumë që z. Rama i kushton vëmendje moshave të reja, ashtu e ka stafeta e brezave. Ne të vjetrit jemi të gatshëm të ndihmojmë sipas sektorëve e mundësive; mjafton të na krijohen mundësi komunikimi. Të gjitha lobet nacionale kontribuojnë pa përjashtim, pavarësisht nga vendet ku ndodhen.

A jeni dakord me mua se z.Rama duhet të merret urgjentisht me naftën dhe pasuritë e tjera të këtij vendi? Se duhet të mbledhë një grup specialistësh, për të marrë opinione, se duhet të shpallë konkurse?

Duam, s’duam ne, qeveria e re do merret me anën ekonomike të vendit, ku një vend me rëndësi zë nafta, mineralet e me radhë. Ai duket energjik dhe operativ dhe pa dyshim në reformat e reja të organizimit problemet do avancojnë. Kuadrot e reja, veçimi i organizmave të reja, do ta konkretizojë atë, por menaxhimi i një shteti nuk është pune e kollajte siç duket nga larg; por e mira duket me fillimin e mirë dhe ne duhet ta përshëndesim e ta mbështesim.

Si e mendoni të ardhmen e naftës shqiptare, në rënie, në ngritje, në kaos apo përsëri një fushë të minuar?

Pa dyshim jam optimist e i gëzuar për të ardhmen e naftës shqiptare. Rikujtoj punën time në kuadrin e punës të kolegëve dhe gjithë naftëtarëve dhe ndjej gëzim. Nuk është rastësi zbulimi i një mori vendburimesh nga më seriozet në Evrope si Marinza, Cakrani, etj, ç’ka tregon së pari potencialin naftë-gazmbajtës që ka toka shqiptare, por edhe menaxhimin shtetëror si investitor e përgatitës kuadrosh ku shkëlqeu ndihma e eksperienca ruse e kineze. Këto mundësi më pak kujdes mund të rikrijohen, kuadrot e reja janë të etura të tregojnë se janë vazhdues të denjë brezash.

S’ka dhuratë më të madhe se ajo që na ka dhënë Zoti duke na bërë shqiptarë. Shqipëria është e pasur me naftë dhe një mori mineralesh, kemi tokë e klime të favorshme për bujqësi (pemë e vreshtari) e pyje, kemi lumenj energjetike, bukuri turistike…

Gazeta Tema, 07.10.2013