Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Durrës, pengohet investimi në port

Autoriteti Portual Durrës është detyruar të pranojë tekat e një kompanie private, e cila nuk pranon zbatimin e projektit për zgjerimin e rrugës hyrëse nga porti. Bëhet fjalë për rrugën nga porta nr. 4 tek Ura e Dajlanit deri tek terminali i pasagjerëve, investim i cili kap vlerën e 230 milion lekëve. Autoriteti Portual ka zhvilluar një sërë negociatash me kompaninë greke të karburanteve “Global Petroleum”, e cila ka marrë me qira mjediset pranë Urës së Dajlanit sipas një marrëveshjeje 20-vjeçare. Një nga inxhinierët e Autoritetit Portual në Durrës ka sqaruar se firmës në fjalë i është kërkuar që të risistemojmë gjithë territorin që prekej nga ndërtimi i rrugës. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej rreth 200 metër katror, por kompania nuk ka pranuar. Absurdi i kësaj ngjarjeje duket se ka shkuar më tej. Pak ditë më parë në drejtorinë e Portit ka mbërritur një njoftim nga gjykata e rrethit gjyqësor Durrës, nëpërmjet të cilit njoftohet se Autoriteti Portual është paditur nga kompania greke, e cila kërkon dëmshpërblim në shumën 3 milion euro. Pretendimi është se investimi i ri i portit ka krijuar vështirësi në hyrjen dhe daljen e punonjësve të saj në territorin që ka marrë me qira. Prej vitesh në portin e Durrësit është ndaluar veprimtaria e përpunimit të karburanteve dhe me vendim qeverie, ato përpunohen në portin e Porto Romanos. Edhe kompania në fjalë nuk kryen asnjë aktivitet tashmë në portin e Durrësit, por ngul këmbë për zhdëmtim dhe mban të bllokuar investimin.

TV Vizion Plus, 06.10.2013