Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kontrabanda e Lezhës, nën hetim inspektorët

Nafta kontrabandë në Lezhë, ka vënë në lëvizje organin e akuzës. Denoncimi nga Drejtoria e Doganave për hedhjen në treg të një sasie prej 4,400 tonëve karburant, ka bërë që prokuroria të nisë hetimet. Ata janë orientuar në dy drejtime: atë të shitjes nga kompania dhe vjedhjes së sasisë. Sipas prokurorisë, kompania “Ada Petrol” do të hetohet për akuzën e “kontrabandës me mallra që paguajnë akcizë”, pasi dyshohet se ajo e ka hedhur në treg këtë sasi karburanti edhe pse depozitat që ndodhen në Shëngjin ishin plumbosur nga autoritetet doganore.

Këta të fundit, pas konstatimit të zhdukjes së kësaj sasie, kanë kallëzuar penalisht kompaninë, në pronësi të cilës janë depozitat e naftës. Ndërkohë, kompania në fjalë ka hedhur poshtë pretendimet e doganës, duke kallëzuar në polici dëmtimin e saraçineskave të depozitave dhe vjedhjes së sasisë së karburantit. Për administratorin e kësaj kompanie, që tashmë ka depozituar denoncimin, nuk është kompania ajo që ka nxjerrë në treg naftën.

Në kallëzim, kompania pretendon se me dëmtimin e saraçineskave nafta është zhdukur dhe dyshojnë se sasia është vjedhur nga persona të tjerë. Për këtë, prokuroria ka nisur hetimin për “vjedhjen” dhe “dëmtimin e pronës private”. Sipas prokurorisë, do të hetohen edhe inspektorët e Drejtorisë së Doganës. Çdo tre muaj ata duhet të kontrollojnë gjendjen e depozitave dhe saraçineskave të plumbosura. Procesverbali i fundit i kontrollit të këtyre depozitave është bërë në dhjetor të 2012, pra 10 muaj më parë.

“Të rëndësishme janë zbatimet e ligjeve të vendit. Do të sigurohem që trau i doganave të mos ngrihet para të fortëve, e të ulet para të dobëtit. Ligji duhet të veprojë njësoj për të gjithë. Premtoj përgjegjësi para jush, që të ketë komunikim dhe zhvillim, që doganat mos të shihet si vende ku vidhen paratë tuaja. Këtë kam ndërmend të bëj për të përmbushur detyrën që më është caktuar”, tha drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali.

Gazeta Shekulli, 04.10.2013