Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Te ndalohet frakturimi hidraulik ne Shqiperi

Frakturimi hidraulik (FH) është një teknikë nxjerrjeje nafte nga nëntoka nëpërmjet shpërthimit të shtresave nëntokësore me ujë në presion të lartë, të përzier me kimikate. Kjo teknologji, me sa dimë, nuk aplikohet ende në Shqipëri. Por ka pasur një sukses shumë të madh në rritjen e prodhimit të naftës dhe gazit në SHBA dhe ka plane për të filluar aplikimin e saj edhe në disa vende të Europës.

Industria e naftës në Shqipëri po përpiqet me të gjitha mënyrat të shtojë prodhimin, përse jo dhe duke përdorur frakturimin hidraulik. Prandaj në një të ardhme të afërt edhe në Shqipëri mund presim të jepen lejet e para mjedisore për përdorimin e FH-së. Por çfarë problemesh mjedisore mund të sjellë kjo teknologji e re? Problemi kryesor i teknologjisë vjen nga kimikatet që ajo përdor.

Uji i përdorur nga  FH për shpërthimet nëntokësore është i përzier me qindra kimikate. Qëllimi i këtyre kimikateve është të lehtësojnë shpërbërjen e shtresave argjilore. Përdorimi i tyre ndryshon në varësi të formacionit të nëntokës.

Kompanitë e naftës në SHBA nuk pranojnë të deklarojnë tek publiku se çfarë kimikatesh përdorin, duke ju referuar sekretit industrial. Por në një hetim të kryer nga kongresi amerikan 14 kompanitë e naftës dhe gazit të investiguara deklaruan se përdorin 2500 produkte kimike me 750 përbërës kimikë brenda. Ndër përbërësit kimikë të përdorur ka dhe të tillë që kompanitë nuk kanë pranuar t’ja deklarojnë as kongresit amerikan, si sekret industrial, ose nuk dinë as vetë çfarë formule kimike kanë sepse e kanë blerë nga një person i tretë i cili ka ruajtur sekretin e formulës. Vetëm në 5 vjet, 2005-2009, këto kompani nafte kanë injektuar nën tokë me miliarda litra kimikate (pa përfshirë ujin e shtuar). Uji i injektuar gjatë FH zakonisht rikuperohet dhe mund të injektohet në puse të mbetjeve të ujit; të ripërdoret; të derdhet në ujërat sipërfaqësorë ose të kalohet në impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura (dy mundësitë e fundit janë më të rrezikshmet për ndotjen e mjedisit) .

Lista e kimikateve më të përdorura gjatë FH:

  1. Metanol (metil alkool)
  2. Izopropanol (Izopropil alkool, Propan-2-ol)
  3. Silic kristalor (SiO2)
  4. Etilen glikol monobutil eter (2-butoksietanol)
  5. Etilen glikol (1,2-etanediol)
  6. Distilate të lehta të naftës
  7. Sodë kaustike (hidroksid sodiumi)

Nga lista kimikati “2-butoksietanol” njihet se shkakton anemi, dëmtim të mëlçisë, të tëmthit, palcës kurrizore. Është kimikat që përthithet shumë lehtë përmes lëkurës, frymëmarrjes dhe ushqyerjes. Në SHBA 100 milion litra nga ky kimikat janë injektuar nën tokë në vitet 2005-2009 . Agjensia amerikane e mbrojtjes së mjedisit e ka gjetur këtë kimikat në puse të ujit të pijshëm në një testim të sajin.

Në listën e kimikateve të FH gjenden dhe 29 kimikate toksike, të cilat janë ose kancerogjene, ose dëmtuese të shëndetit, ose ndotës ajri. Më poshtë është lista e këtyre kimikateve:

  1. Alkool metilik (metanol)
  2. Etilen glikol
  3. Naftë diezel
  4. Naftalen
  5. Acid Hidroklorik
  6. Ksilen
  7. Toluen
  8. Etilbenzen
  9. Dietanolamin (2,2-iminodiethanol)
  10. Formaldehid
  11. Acid Sulfurik
  12. Thiourea
  13. Benzil klorid
  14. Cumene
  15. Acid Nitrilotriacetik
  16. Dimethyl formamide
  17. Fenol
  18. Benzen
  19. Di (2-ethylhexyl) phthalate
  20. Akrilamid
  21. Acid Hidrofluorik
  22. Phthalic anhydride
  23. Acetaldehid
  24. Acetofenon
  25. Bakër
  26. Oksid Etileni
  27. Plumb
  28. Oksid Propileni
  29. p-ksilen

Nga lista më lart 13 kimikate janë kancerogjene të provuara ose të mundshme (psh. naftaleni, benzeni, akrilamidi etj.). 40 milion litra produkte me përmbajtje të të paktën një kimikati kancerogjen janë injektuar nën tokë në SHBA në 2005-2009. Këtu mund të lexoni listën e 750 kimikateve të përdorura gjatë FH. Kjo është teoria. Dëshmitë nga zonat e banuara ku praktikohet FH-ja na sjellin dhe aspektin human të pasojave të rënda mjedisore që sjell kjo teknologji.

Mediat amerikane raportojnë për banorët e prekur nga FH: “Nëse jetojnë në Teksas, Kolorado apo Pensilvani, simptomat e tyre janë të njëjta: puçrra, gjak nga hundët, dhimbje të forta koke, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje kyçesh, sëmundje zorrësh, humbje memorjeje etj.” Lexojmë për familje rurale amerikane, të cilave pak kohë pas fillimit të FH-së pranë shtëpive të tyre, u ngordhin bagëtia dhe vetë sëmuren me sëmundje të rënda. Apo lexojmë për përrenj dhe puse uji, dikur me ujë të pastër, por që pas frakturimit hidraulik ndoten me kimikate dhe bëhen të papijshëm.

Disa shtete të SHBA-së dhe Kuebeku në Kanada kanë vendosur moratorium mbi këtë teknologji. Franca, Bullgaria, Tunizia e kanë ndaluar me ligj. Shqipëria duhet të ndjekë të njëjtin shembull dhe të paraprijë përpjekjet e mundshme të industrisë së naftës për përdorimin e kësaj teknologjie, duke e ndaluar me ligj.

Rita Strakosha – Eko Levizja,  02.10.2013