Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Energjia dhe pensionet, plani Rama për të nxjerrë 500 mln USD

Mbledhja e faturave të energjisë elektrike dhe një reformë thelbësore në sistemin e pensioneve pritet të sjellin drejt normalitetit arkën e shtetit të paktën deri pas vitit 2016. Këto reforma të mëdha pritet të ndërmerren në dy vitet e para të qeverisjes dhe sipas përllogaritjeve nga ekspertët e financave, pritet të gjenerojnë më shumë se 500 milionë dollarë plus në buxhet. Nisja e tyre u njoftua edhe në konferencën e fundit në media të ministrit Cani me Misionin e FMN-së.

Pensionet

Drafti i hartuar nga qeveria e mëparshme me konsulencën e Bankës Botërore për reformën e pensioneve tashmë është gati. I njëjti projekt është edhe në duart e socialistëve dhe pritet të prezantohet për grupet e interesit gjatë vitit që vjen, në pritje për të hyrë në fuqi në vitin 2015. Reforma do të ketë si qëllim kryesor uljen e faturës që aktualisht jep buxheti i shtetit për pagesat e pensioneve që i kalojnë të 1 miliard dollarët në vit, duke e radhitur Shqipërinë në shpenzimet më të larta në raport me PBB në rajon për pagesën e pensioneve. Kjo për arsyen se qeveritë që nga viti 1992 kanë ndërhyrë herë pas here në skemën e pagesës së pensioneve duke bërë “arnime” për interesa të momentit, shpeshherë duke sjellë kështu pagesa jo të drejta në raport me kontribuuesit. Ndërhyrjet e propozuara nga Banka Botërore në skemë parashikojnë aktivizimin e sistemit tre-kolonësh, që është një kombinim, shtet-privat dhe gjithashtu rritjen e moshës për pension. Ekspertët e Ministrisë së Financave mendojnë se skema e re do të stimulojë pagesën reale të kontributeve.

Energjia

Ndërhyrjet në tregun e energjisë elektrike në të gjitha dimensionet pritet të gjenerojnë hapësira të reja për rritjen e të ardhurave në buxhet e, për pasojë, edhe në rritjen ekonomike të vendit. Mundësia e parë shihet tek grumbullimi i faturave të energjisë, pasi dy vitet e fundit, edhe për shkak të problematikës me çekët e CEZ-it, është faturuar vetëm gjysma e energjisë së hedhur në rrjet. Dëmi i krijuar nga mospagesa e dritave ka gjeneruar një humbje prej gati 200 milionë eurosh gjatë një viti. Nëse do të mund të mblidhej vetëm gjysma e kësaj shume, zinxhiri i financave publike do të shënonte një përmirësim të ndjeshëm. Reforma pritet të përfshijë edhe sektorin e naftës, duke siguruar një transparencë më të lartë për kompanitë shtetërore dhe private që shfrytëzojnë burimet. PS kur ishte në opozitë ka bërë një studim, sipas të cilit, do të gjeneroheshin 400 milionë euro në vit nga miradministrimi i naftës dhe koncesioneve të saj. Në fundjavë ministri Cani prezantoi një situatë të rëndë në financat publike të vendit, duke pohuar se borxhi publik do të rritej përtej niveleve 72 për qind gjatë vitit që vjen. Ndërsa ka reaguar menjëherë ish-ministri Bode, sipas të cilit, Cani nuk ka pohuar realitetin dhe se rritja e detyrimeve mbi 70 % të PBB-së është tërësisht e pajustifikueshme.

Energjia, reforma, negociata dhe aksione

Pavarësisht problematikës në të cilën ndodhet kompania CEZ, me një seri gjyqesh në Arbitrazh, është programuar të jetë një nga burimet themelore për gjenerimin e të ardhurave. Dhe kjo do të ndodhë me grumbullimin e parave të energjisë që shpërndahet në rrjet. Qeveria e re po synon një reformë thelbësore në këtë drejtim, e kombinuar në dy linja. Së pari do të nisin bisedimet me çekët e CEZ-it për të zgjidhur problematikën me pronësinë e kompanisë jashtë Arbitrazhit, ndërsa linja e dytë është gjetja e një mënyre për të mbledhur faturat e energjisë. Ky aksion është menduar të kombinohet me uljen e TVSH-së, skemë e cila pritet të stimulojë pagesat e energjisë. Duke rritur arkëtimet, buxheti i shtetit nuk do të subvencionojë më importin e energjisë, por përkundrazi do të rritet arkëtimi nga tatimi-fitimi që kompania do të paguajë në arkën e shtetit.

Gazeta Mapo, 30.09.2013