Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zbardhen borxhet e kompanisë ARMO

Një greminë me borxhe ka arritur të krijojë kompania ARMO që pas privatizimit të saj në vitin 2008 kur u privatizua nga biznesmeni Rezart Taçi. Gazeta “Dita” zbardh sot për herë të parë, të dhënat bazike të borxheve që ka akumuluar kjo kompani në formë kredie në bankat kryesore të vendit, në kompani private dhe shtetërore si dhe tek furnitorët e saj.

Të dhënat janë siguruar nga paketa zyrtare e deklaruar e borxheve nga Rezart Taçi për tek kompania “Heaney Assets”,
përpara se kjo e fundit të blinte në vlerën e 50 milionë eurove kompaninë ARMO dhe tri kompani të tjera përveç saj një muaj më parë. Mbi 60 milionë euro rezultojnë kreditë e marra prej Taçit në disa banka shqiptare dhe të vetë deklaruara prej tij. Në dokumentacion nuk jepen të dhëna të hollësishme mbi ristrukturimin apo ecurinë e pagesës së këtyre kredive, por janë të përcaktuara shumat e kredisë dhe objektet e lëna si kolateral nga kompania ARMO.

Vështirësitë

Taçi ka shfaqur vështirësi gjatë 4 viteve për shlyerjen normale të kësteve të këtyre kredive, duke rritur në këtë mënyrë dhe interesat që i duhej të paguante. Por përveç kredive në banka Rezart Taçi dhe kompania ARMO kanë akumuluar një borxh të rëndësishëm edhe në disa kompani private prodhuese ose shërbimi si dhe në kompaninë Albpetrol. Borxhet në kompani private dhe shtetërore kapin shifrën e 6 miliardë e 674 milionë e 600 mijë lekëve ose afro 66 milionë USD, nga të cilat 34 milionë USD janë borxhi që ARMO i ka kompanisë Albpetrol, sipas letrave. Këtij borxhi i shtohen dhe borxhet ndaj furnitorëve që kapin një shifër totale prej afro 12 milionë dollarë. Vetëm me këto tre parametra borxhesh shuma totale e borxh-kredisë së akumuluar nga kompania ARMO kalon shifrën e 120 milionë eurove, ndërsa vlen të theksohet se në këtë përllogaritje nuk janë përfshirë borxhet që ARMO i ka si detyrim pagesë-qiraje disa dhjetëra pikave të karburantit apo borxhet ndaj të tretëve për të cilat kompania ARMO është paditur në gjykatë.

Komplikimi

Pavarësisht se nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, shitja e ARMO-s tek azerët dhe largimi i Taçit ka suprizuar jo pak tregun e naftës. Prapaskenat e një operacioni me shumë mistere, planet e ardhshme dhe si do të ndikojë kjo lëvizje në tregun e karburanteve në vend. Siç tregojnë dhe bilancet, ARMO në të vërtetë iu shit azerëve për 150 milionë euro, por me zbritjen e borxheve, mbeten cash vetëm 30 milionë euro.
Taçi e bleu ARMO-n për 128 milionë euro, më pas ai hapi zyra dhe luante në Bursën e Singaporit, kërkoi të privatizonte “Albpetrol”-in për 850 milionë euro, xhiroi në vitin 2012 rreth 350 milionë euro, nga kompanitë e naftës dhe…u largua në gusht, duke i shitur të gjitha, pasi ishte i mbytur në borxhe. (!) Historia e ngritjes dhe rënies së Rezart Taçit, personazhit kontrovers që turbulloi tregun e karburanteve në vend, por edhe politikën, është e shoqëruar me shumë mistere.
Gjatë gjithë historisë 10-vjeçare të tij është folur mirë dhe keq, por pas datës 8 gusht 2013, nuk do të përmendet më për asnjë nga karakteret.
ARMO-ja e tij, të cilën aq e dëshironte, nuk do të jetë më pronë e “Taçi Group”, por e një grupi investitorësh, kryesisht nga Azerbajxhani, me konsorciumin “Heaney Assets Coorporation”.

Kreditë e marra në banka nga Rezart Taçi dhe ARMO

27 milionë e 250 mijë dollarë, lënë si kolateral TEC-i i Ballshit
• 1 miliardë e 505 milionë lekë, lënë si kolateral KPTHN Ballsh, Depozita e Përrenjasit
• 361 milionë e 776 mijë lekë, lënë si kolateral DSHK Durrës dhe DSHK Fier
• 1 milionë euro, lënë si kolateral FIETK Vlorë
• 14 milionë e 100 mijë dollarë, Taçi Oil dhe Kuid janë garantues të kredisë
• 7 milionë e 250 mijë dollarë, lënë si kolateral, TEC Ballsh, UPN, Depozita Shëngjin

Borxhet në kompani private dhe shtetërore:

• Totali i borxhit: 6 miliardë e 674 milionë e 600 mijë lekë (ose afro 66 milionë USD, nga të cilat 34 milionë USD janë borxhi që ARMO i ka kompanisë Albpetrol)
Borxhe të kompanisë te furnitorët:
• Borxhe në dollarë: 2 milionë e 519 mijë euro
• Borxhe në lekë: 1 miliardë e 64 milionë e 101 mijë lekë

Gazeta dita, 10.09.2013