Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zharez, shpërthimet vazhdojnë

Termet apo shpërthime nëntokësore? Banorët e Zharzës janë të bindur tashmë që prej dy vjetësh toka iu lëviz nën këmbë nga shpërthimet për nxjerrjen e naftës. U rikthyem sërish në këtë zonë pas dy muajsh për të parë nëse situata kishte ndryshuar. Banorët e fshatit thonë se jo vetëm që shpërthimet nuk ndalen por ato janë intensifikuar. Për pasojë shtëpitë e reja e të vjetra po rrënohen. Askush nuk mund të gënjehet më me tezat e tërmeteve lokale banorët janë të bindur se kompania Bankers është ajo që ngjall panik në orët e natës me tronditjet e shtëpive të tyre. Kryetari i Komunës në dijeni të plotë të situatës, përkundër banorëve që jetojnë me frikë, i konsideron rutinë ankesat e tyre duke pranuar njëkohësisht se ato që i konsideron lëkundje sizmike, janë të përhershme. Ndërkohë që strukturat shtetërore janë inekzistente për të ndalur fenomenin e për t’ju dhënë siguri banorëve, ato bëhen funksionale sapo banorët e Zharzës reagojnë për shkatërrimin e shtëpive dhe panikun gjatë natës. Gjatë protestave të banorëve të fshatit njëri prej tyre është dënuar me 6 muaj burg, vetëm se kërkoi ndaljen e shpërthimeve në zonën naftëmbajtëse në Patos Marinëz. Ka mjaftuar kjo për të frikësuar banorët e tjerë të zonës e për të mos reaguar edhe pse po i zëne shtëpitë brenda. Protestat shuhen ende pa nisur nga policia lokale ndërsa për panikun e fëmijëve gjate natës nuk penalizohet askush. Me shpresën e humbur tek institucionet që nuk denjojnë të pranojnë shkaqet e vërteta të gjendjes në fshatin Zharës banorët e zonës nuk kërkojnë para për dëmet e shkaktuara pasi paniku i një fëmije nuk mund të paguhet, por ata luten vetëm për ndalimin e lëkundjeve të provokuara të tokës.

TV Vizion Plus, 27.08.2013