Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Investimet në vitin 2012 kryesisht në energjetikë

Rreth 14 % e vlerës së investimeve të bëra vitin e kaluar në tregun shqiptar i përkasin sektorit të energjetikës. Sipas të dhënave të Institutit shqiptar të Statistikave, INSTAT, investimet në fushën e energjisë ishin mbi 100 milionë euro gjatë vitit 2012. Por, pavarësisht projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve, që kërkojnë fonde të konsiderueshme për t’u realizuar, investimet në këtë sektor të ekonomisë ishin më të ulëta në vlerë se ato të kryera në industrinë e përpunimit, apo në fushën e ndërmjetësimit financiar.
Sipas raportit të Investimeve të Huaja 2011, vlera e investimeve në total shënoi rënie prej më shumë se 6% krahasuar me vitin 2010. Investimet e huaja direkte të bëra në Shqipëri gjatë vitit të kaluar ishin 742 milionë euro, duke mbetur gjithsesi një nivel më i lartë investimesh krahasuar me vitet e tjera, të mëparshme.
Investimet e bëra së fundi konstatohet se janë përqendruar kryesisht në prodhimin e shërbimeve për tregun e brendshëm. Por, investimet e fundit janë shënuar në sektorin e industrisë përpunuese, në industrinë e minierave dhe sektorin e energjetikës, disa prej të cilave tashmë kanë siguruar edhe eksporte. Në raportin për vitin 2012 të Konferencës për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNCTAD) shkruhet se Shqipëria është ndër vendet e rajonit që ka thithur një nivel të lartë të investimeve të huaja.
Sipas raportit të UNCTAD-it, në vend të parë për nga investimet e huaja është Kroacia me 1,25 miliardë dollarë, më pas vjen Shqipëria me 957 milionë dollarë, ndërsa pasojnë Bosnje-Hercegovina me 633 milionë, Mali i Zi me 609 milionë, Serbia me 352 milionë, Kosova me 298 milionë, Sllovenia me 145 milionë dhe Maqedonia me 135 milionë USD. Lajmi është botuar nga media kroate. Ndërsa nga vendet evropiane më së shumti investime të huaja ka pasur Britania e Madhe me mbi 62 miliardë dollarë.

Shqiptarja.com, 23.08.2013