Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Komisioni parlamentar te organizoje degjesa mbi problemet mjedisore

Me kërshëri lexova një lajm të fundit se komisioni parlamentar mbi energjinë i kongresit amerikan planifikon të thërrasë në dëgjesë agjensi shtetërore dhe departamente të administratës publike për tu informuar mbi masat ndaj ndryshimeve klimatike (NK). Ndryshimet klimatike janë problemi më madhor mjedisor i dekadës aktuale, por problemi më pak i debatuar në rrethet politike.

Kongresi amerikan planifikon të sqarohet në shtator nga administrata mbi programet, aktivitetet, kërkimet shkencore të lidhura meNK; mbi aktivitetet e lidhura posaçërisht me adaptimin ndaj NK; mbi fondet, grantet dhe kreditë e lidhura NK dhe energjitë e pastra; mbi marrëveshjet ndërkombëtare, mbi zyrat dhe numrin e personelit të përfshirë në çështjet e NK.

Jo vetëm kongresi amerikan, por dhe parlamente të tjera si ai i Anglisë kanë në praktikën e tyre organizimin e dëgjesave me autoritete shtetërore, përfaqësues OJF-sh mbi probleme të ndryshme mjedisore, përfshirë ndryshimet klimatike. Në këto dëgjesa deputetët informohen direkte nga specialistët e fushës për çështjen në fjalë dhe mund të bëjnë pyetje personalisht. Këta deputetë të informuar më vonë mund të bëhen pjesë aktive e aprovimit të ligjeve që prekin fushën në fjalë.

Komisionet parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë kanë gjithë mundësitë ligjore të organizojnë dëgjesa të tilla. Në proçesverbalet e mbledhjeve të komisionit mbi çështjet mjedisore dhe në proçesverbalet e seancave plenare vëmë re se ka shumë pak debat të mirëfilltë mes deputetëve. Është e qartë se shumica dërrmuese e deputetëve nuk e kanë idenë e problematikës së ligjit të cilin aprovojnë. Kjo mungesë debati u vu re dhe në aprovimin e ligjit të ri për energjitë e rinovueshme, i cili është thelbësor në fushën e energjitikës.

Futja e një praktike të tillë të re në komisionet parlamentare do të lehtësohej dhe nga fakti që nga shtatori fillon punën një parlament i ri, të shpresojmë i rilindjes mjedisore.

Rita Strakosha – EKO Levizja, 22.08.2013