Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Replika Shuli – Bejtaj per ARMO dhe naften

Për Maksin, ARMO-n dhe anonimët kryeministra
Lexova te “ DITA” shkrimin e Prof. Dr. Maksim Shuli, me titull – “Ç’duhet të bëjë qeveria me naftën”. E lexova me shumë vëmendje ( unë lexoj me vëmendje edhe gjëra që rezultojnë pa vlerë nga pikëpamja e qëllimit për të cilin shkruhen; – Mundohem t`i vlerësoj ato nga pikëpamja e stilit), dhe më duhet të them se gjeta mjaft pasaktësi, mllef të panevojshëm ndaj meje, sqarime gjithashtu të panevojshme për problemin ARMO ( i kisha përmendur problemet në shkrimin tim të parë, mendoj pothuajse atë që mendon çdo specialist i fushës me dy pare mend në kokë, dhe që nuk është i shitur). Nuk gjeta vetëm rekomandime për atë se çfarë duhet të bëjë qeveria e ardhshme me ARMO-n. Pra nuk gjeta atë që tentohej të lihej të kuptohej në titull. Që do të thotë se qëllimi i shkrimit në fakt isha unë.
Tani ta nisim nga fundi , të kalojmë tek mesi e pastaj ta kapim problemin nga brirët.
I nderuar z. Shuli: – është humbje kohe e panevojshme të më rekomandoni të lexoj librat tuaj mbi naftën, qoftë edhe ato ku përzihet nafta me politikën. Nuk kam dashur të bëhem naftëtar, por më zuri, e kisha bezdi të lexoja edhe librat që më bënë inxhinier nafte ; -Vetëm në sezon e detyroja veten të ulesha seriozisht mbi to, kisha halle të tjera asokohe. Ndërsa nga librat jashtëshkollorë të kësaj fushe, më ka mjaftuar libri i shokut Enver –“Për naftën”. Mua më rezulton se pas vdekjes së Komandantit, në Shqipëri nuk është zbuluar asnjë vendburim i ri nga ju shkencëtarët e fushës, kështu që me deduksion personal, atë ( dmth Komandantin ) e konsideroj si specialistin më të mirë të kësaj fushe, e prandaj jam betuar të mos lexoj asnjë literaturë tjetër të ngjashme, përveç asaj ngushtësisht teknike që lidhet me profesionin tim.
-Përsa i përket problemit ARMO, në shkrimin tim të parë të botuar në DITA, unë kam përmendur një fakt sipas meje të dhimbshëm; -Atë, që nga njerëzit e politikës së majtë që duhej të reagonin për shkeljet e dukshme në atë proces, foli hapur vetëm deputeti Erion Braçe, ndërsa nga specialistët e fushës së naftës foli publikisht vetëm im vëlla, Kastriot Bejtaj, është bashkëmoshatari juaj dhe specialist relativisht i vjetër i naftës, vetëm se ndryshe nga ju nuk ka asnjë titull për të shoqëruar emrin në daljet në media, përveçse atë teknik :- Inxhinier, dhe atë njerëzor: – Njeri i Lirë. E për këtë fakt u penalizua duke u larguar nga puna prej këtij pushteti, të cilit ju thoni se unë i shërbej. Kurse ju nuk folët asokohe. Por as që më duhen arsyet tuaja.
Në këtë pikë më mjafton vetëm t`ju kujtoj, se ju dhe të tjerët (duke përfshirë edhe tim vëlla) nuk keni reaguar kur qeveria socialiste e Fatos Nanos dha koncesionin e Patos-Marinzës, atë të shumëpërfolurin. Lodheni pak kujtesën se nuk ka kaluar shumë kohë, kemi qenë në pushtet asokohe !
-Ju gabimisht, duke u nisur nga shkrimi im, e përfshini veten në të njëjtën kategori me Kokalarin, për të cilin thoni se keni shumë respekt; – Ju sqaroj se për të edhe unë kam shumë respekt, por ai as qe ka lidhje fare me ju, dhe unë as qe kisha fare qëllim t`ju përfshija tek i njëjti grup, – kujdes kur të më lexoni herë tjetër, unë nuk jam aq i thjeshtë sa dukem. Duhem përtypur mirë.
Sepse Gary Kokalarit nuk i kundërshtoja asgjë në ato që shkruante, por thjesht i thosha të mos lodhej kot , duke numëruar aferat e Saliut; – Sepse Saliu i kthen gjithë punët në afera korruptive dhe me probleme, pra i bën njësoj të gjitha, edhe ato që mundohet t`i bëjë drejt (nëse ndonjëherë është munduar të bëjë ndonjë gjë drejt), ca për shkak të vetes dhe ca për shkak të njerëzve që mblodhi rreth vetes në drejtimin e shtetit. (Meqë ra fjala, Gary nuk ka replikuar ende me mua ; – Me sa duket, ai megjithëse shumë larg meje, e ka kuptuar tamam atë që kam thënë unë.)
Ndërsa juve, pa të keq, ju kategorizoja me termin “Nostalgjikë”, por i kanalizuar ky term vetëm tek konsiderimi nga juaj i rafinerive të ARMO-s si “ Sektor strategjik”. Nuk kam ndërmend të vazhdoj debatin tim këtu me ju, në këtë pikë; -Po mjaftohem duke ju thënë se për këtë çështje, jam gati të përballem në një debat publik, ku nga njëra anë të jem unë, dhe nga ana tjetër ju dhe gjithë të tjeret që mund të nxërë salla e debatit. Sallën zgjidheni vete. -Tani të vijmë tek ajo që me zbaviti pa masë, tek cilësimi im nga ana juaj, me një tendencë të hapur, si një anonim që punon në një kompani nafte si drejtues kryesor. Që unë jam një anonim, kjo nuk do shumë mend, përderisa emrin tim e shoqëroj pa grada shkencore, e në CV time gjen vetëm vite pune si punëtor krahu dhe inxhinier nafte. Por unë nuk e marr vesh se pse e thoni me aq qejf këtë fakt !? Apo mendoni se më shkaktoni dhimbje !? Meqë jam i sigurt që mendoni kështu, po jua heq kënaqësinë; – Unë ndjehem mire si një anonim, që përfaqësoj vetëm veten time dhe askënd tjetër, që nuk kam asnjë armë për të çarë para përveç fjalës dhe gjoksit, e që jam vëlla i ca vëllezërve që kanë dalë nga anonimati po ashtu me gjoks, dhe jo me vithe. E përveç këtyre që thashë, po ju them se kur anonimati më bëhet monotoni, ngushëllohem duke kujtuar se në Shqipëri anonimët janë bërë deri kryeministra.
-Dhe që ta mbyll, për t`ju sqaruar juve dhe këdo tjetër që nuk merr vesh nga nafta, e që kujton se më njeh mua: – Unë punoj prej tre vjetësh në një kompani nafte, që quhet ashtu siç jua kanë thënë juve, por që nuk ka asnjë lidhje më ato që thoni ju. Është kompania që shfrytëzon vendburimin e Visokës, një vendburim të vjetër e të shkatërruar, aq të shkatërruar saqë nuk pranonin ta merrnin në koncesion as miqtë e Fatos Nanos dhe as të Sali Berishës, ngaqë nuk kishin nga ta kapnin; -Ështe copë-copë. Dhe qe unë me kolegët e mi, kemi marrë përsipër ta ringjallim. Drejtuesit administrativë të kompanisë më thirrën të punoj aty për shkakun që kisha një përvojë pune në atë vendburim, kam punuar në Visokë në vitet e para pas përfundimit të fakultetit. Dhe pas një periudhe fillestare vendosën të më bënin drejtues teknik. Ato që thoni ju, mbi shërbimet që unë i bëkam klikës në pushtet, nuk qëndrojnë as nga pikëpamja logjike e as nga pikëpamja matematike; – Nëse do isha njeri i lidhur me pushtetin, mbase do kishe ndonjë fije ku mund të kapeshe, tani që e more vesh kush jam nuk besoj se do vazhdosh të gërvishtesh me mua. Jam i biri i Familjes, megjithëse vetë jam socialist, po aq sa ç`jam edhe mysliman. Sidoqoftë , e thënë shkurt, unë punoj si inxhinier nafte, në një vendburim nafte, ashtu siç punojnë me qindra inxhinierë të tjerë kolegë të mi dhe tuajët në gjithë vendburimet e tjera, në ato që ju thoni se prodhojnë 1.2 milion ton naftë në vit, e që në arkën e shtetit derdhin rreth 70 milion dollarë, ndërkohë që duhej të derdhnin sipas jush rreth 500 milion dollarë në vit. Po ju pyes me këtë rast: – Me ata të tjerët keni ndonjë problem, apo gjithë të këqijat këtij vendi ja sjellkam unë, anonimi i vogël, njëkohësisht i madh!? Tani, të punosh në Albpetrol, ku PD e mbushi me ata të sajët, i bie të jesh me PD-në; – Të punosh te privati meqë në Albpetrol nuk na qasin, sipas jush i bie prapë të jesh me PD-në; – Ma thoni dot o doktor, se ku duhet të punoj unë, që të jem në rregull edhe me ekzistencën time, edhe me opinionin tuaj !? Mendimi im është, që ju tek zgjedhja ime për të punuar në një vendburim nafte, kërkoni zgjidhjen e problemit tuaj ; – Nuk ju ndihmoj dot ! Visoka ime që mban erë të qelbur squfuri, është shume larg nga Tirana juaj. Ndërsa juve ju ftoj që të dilni ndonjëherë nga fushat e naftës; – Meqë ngatërroni vendburimin e Visokës me ato të një kompanie tjetër, i bie që keni harruar edhe vendndodhjet e vendburimeve të naftës në Shqipëri. Të asaj nafte që ju bëri të thirreni – Doktor Shkencash, e ju dërgoi dikur edhe në Parlamentin Shqiptar!
*Transoilgroup Sh.A. Visokë

Gazeta Dita, 19.08.2013

Ç’duhet të bëjë qeveria e re me naftën

Nuk e kam zakon të bëj replika aq më tepër me njerëz anonim të cilët duan të bëjnë emër në prag të ndërrimit të pushteteve, sigurisht për të përfituar ndonjë vend në pushtet, mbasi i kanë shërbyer pushtetit të kaluar me mjaft servilizëm, dhe duke qenë të ndërgjegjshëm se kanë dëmtuar rëndë interesat e vendit.

Më janë lutur shokët e mi, profesorë dhe shkencëtarë sepse ky pushtet i djallëzuar i largoj me qëllim, në të gjitha anët e botës ku jetojnë dhe punojnë që të paktën të bëj një përgjigje që askush të mos tallet me pasurinë e këtij populli të shumëvuajtur por dinjitoz. Edhe këtë herë ky popull i mrekullueshëm foli; i tha Sali Ram Berishës, ti dhe klika jote largohu nga ky vend. I takon qeverisë së re të bëj transparencën dhe t’i thojë popullit të vet se çfarë ka bërë Sali Berisha me bandën e tij? Dhe çfarë duhet të bëj ndryshe kjo qeveri?

Para disa ditësh një person të cilin nuk e njoh, Edmond Bejtaj quhet, ka bërë një shkrim në gazetën DITA dhe emrin tim dhe Geri Kokalarin na quan NOSTALGJIKË, nuk dua të flas për Gerin sepse kam shumë respekt, dhe me endje të madhe ja lexojë shkrimet e tij të mrekullueshëm, dhe që vjen nga një familje e madhe me tradita që i ka dhënë këtij vendi, dhe që ajo familje ka sakrifikuar shume për këtë vend, dhe sepse ai duhet t’i përgjigjet vetë personit, por dua t’i kthejë përgjigje këtij anonimi i cili pa patur pikën e kulturës së ekonomisë së tregut mundohet të argumentojë disa gjëra që në themel nuk qëndrojnë.

Së pari. Dua t’i them këtij personi anonim se kur u bë privatizimi i ARMO-s u shkel ligji:

Për Privatizimin e shoqërive shtetërore të sektorëve strategjikë realizohet në zbatim të ligjit Nr.8306, datë 14.03.1998 “Për Strategjinë e Privatizimit të Sektorëve me Rëndësi të Veçantë” dhe, sipas nenit 5. të këtij ligji, përcaktimi i formës dhe strukturës së formulës së privatizimit bëhet me ligj, dhe ne e dimë shumë mirë që kjo qeveri ka futur duart në ndryshimin e ligjeve në favor të Mafies. Pavarësisht kësaj në ligjin ekzistues gjithashtu në nenet 7. deri 10. parashikohen disa parametra dhe tregues të orientimit të procesit në dobi të përcaktimit të formës, formulës dhe strukturës të ligjit të veçantë për çdo shoqëri, përballimin i problemeve sociale, pjesëmarrja e investitorëve strategjikë në privatizimin e këtyre sektorëve, rezervimi i të drejtave shtetërore që kanë të bëjnë me interesa publikë dhe Strategjikë, nëpërmjet mbajtjes në pronësi shtetërore të një pakete të caktuar aksionesh apo “aksionit të artë”, dhe shume probleme te tjera.

Së dyti. Personi që mori në përdorim ose që privatizojë ARMO-n nuk realizojë kushtet e kontratës së privatizimit; si realizimin e investimeve prej 230 milion dollarë, zgjidhjen e problemeve sociale, aq më tepër që ka ndryshuar edhe destinacionin e qëllimit të privatizimit të ARMO-s, si dhe ky lloj privatizimi nuk realizojë kushtin kryesor që është: shndërrimin e kësaj kompanie në një kompani kompetitive, pra që ta zhvillonte të rriteshin të ardhurat, të merrnin punonjësit rrogat, të merrte shteti atë çfarë i takonte, të zhvillohej ky treg fitimprurës sa më shpejt që të ishte e mundur. Por, çfarë ndodhi, jo që nuk u realizua asgjë, por disa pajisje dhe teknologji nga uzina e Ballshit, kaluan në Bisht-Pallë, tek prona e Fazlliçit. Por nuk dua të flas për këtë sepse këto do të jenë objekt i hetimit të qeverisë së re dhe Parlamentit të ri.

Së treti. Ju zoti Edmond punoni si drejtues i një kompanie private në naftë. Është mirë që lexuesi jonë ta dijë se ku punoni. Ju punoni si drejtues kryesor i kompanisë TRANS OIL GROUP SH.A.

Duhet ta dijë populli dhe lexuesit tanë se kjo kompani është një nga kompanitë që ka privatizuar SALI BERISHA, dhe në pronësi është deputetja Vokshi dhe familja e tij. Pra, ju i shërbeni klikës në fuqi ende. Ju drejtoni vendburimin e naftës të VISOKËS, dhe që vetëm për vitin 2012 ka dhënë rreth 15 milion euro të ardhura, nuk dëshiroj ta them se sa ka derdhur në shtet, po jua lë juve sepse ju manipuloni dosjet dhe punoni me dy fatura për të mos treguar të vërtetën e të ardhurave nga ky vendburim. Ky lloj koncesioni qe ju po drejtoni domosdoshmërisht do të jetë objekt hetimi nga komisioni parlamentar. Aty do të shikojmë se sa shumë e doni ju zotni këtë vend. Po të isha unë në vendin tuaj do ta kisha denoncuar me kohë këtë aferë të pistë, dhe nuk do të punoja aty ku këtij populli i vidhet djersa e tij.

Se katërti. A e di ti zotëri se nxirren rreth 1.2 milion ton naftë që me çmimin e tregut i thonë rreth 1 miliard dollarë dhe në arkën e shtetit derdhen rreth 70 milion dollarë, kur duhet të derdhen rreth 500 milionë dollarë?

Së pesti. A e di ti zotëri naftëtar, siç e quan veten, se vetëm me tregun e karburanteve nga një llogari paraprake më rezulton se shteti humb rreth 300 milion dollarë, si rezultat i monopoleve, dhe populli paguan mbi 200 milion dollarë në kurriz të të cilit i bie kjo taksë e padrejtë. Dhe se çmimi i karburanteve të pakicës dhe shumicës është rreth 30-40 % më i lartë se në Europë.

Së fundi. Të rekomandoj të lexosh librin ”NAFTA DHE POLITIKA” të shkruar nga unë, aty do të kuptosh se ku jam unë dhe ku je ti që më quan nostalgjik.

Gazeta Dita, 18.08.2013

“Pataten do e keni nëpër duar, të përvëluar”

Nga Edmond Bejtaj

Edmond Bejtaj është një inxhinier, profesionist i afirmuar në sektorin e hidrokarbureve në Shqipëri. Nuk është deputet, nuk është funksionar publik, por drejtues në një kompani private e specializuar në fushën e hidrokarbureve në vendin tonë. Por ja që interesi publik nuk është gjithnjë primat i funksionarëve publikë. Në të gjithë këtë klimë “omerta” që ka përfshirë procesin e ri-shitjes së ARMO-s, Edmond Bejtaj nuk ka zgjedhur të bëjë spektatorin duarkryq apo profesionistin “politiko-fejsbukërisht” korrekt. Në faqen e tij në rrjetin social, në të vetmen hapësirë të komunikimit masiv që ai disponon, Bejtaj nxiton të thotë të vetën. Ta thotë në këndvështrimin e një profesionisti, por edhe në këndvështrimin e një kronikani që i ka prekur zhvillimet në terren duke ofruar detaje pikante dhe duke bërë një zbërthim racional të asaj që ka ndodhur vitet e fundit me ARMO-n. Ndaj “DITA” i ofron sot lexuesit shënimin e Bejtajt, të plotë, siç ai e ka shkruar, në përpjekjen për t’i bërë jehonë çdo zëri profesionist dhe racional, por mbi të gjitha çdo zëri kompetent dhe me guxim, për një skandal që prej ditësh po konsumohet në sytë e të gjithëve shqiptarëve, por që çuditërisht nuk ka mundur të ngacmojë dot shqisat e asnjë funksionari publik, apo të një garde të tërë deputetësh të zonës së Fierit, të cilët janë përfaqësues të zgjedhur nga ajo zonë ku ARMO ushtron aktivitetin dhe që janë zgjedhur pikërisht për të mbrojtur interesin publik bash për ata banorë.

Nje kafe ne distance, duke pare nga dritarja shiun, me gazetarin e Dita -s, qe ne keto dite te fundit ka shkruar mbi temen ARMO. Me kane terhequr keto dite lajmet me detaje mbi rishitjen e kompanise ARMO, debatet mbi to, komentet e lexuesve ketu, por mbi te gjitha ankthi qe ka shkaktuar ky lajm tek punonjesit e kesaj kompanie te papaguar prej muajsh. Eshte shume tragjike, ashtu si dhe shume komike ajo qe here pas here shfaqet ne syte e shqiptareve;

– Ne ato dite te para dy javeve, kur punetoret e ARMO-s dilnin ne mitingje, me parulla kunder Ridvan Bodes (?!), dhe pro Taçit (!?) ku me te spikaturat ishin ato me rime te puthur qe thoshin : – “O Ridvan , djali te te rroje/ Rezart Taçi do fitoje !”, dhe – “ O Rezart , o hero, Mallakastra ty te do !”, -me eshte dukur se po jetoja periudhen 96-97; – me eshte dukur se ne te njejten kohe qe kendohej ne Permet kenga per Rrapush Xhaferin si i ngjashem me vellezerit Frasheri ne bëma, ne Tirane i dorezohej Berishes fanella e Milan-it, ne te njejten kohe qe luante REAL-i i Madridit ne Qemal Stafa, ne nje nga kthesat e pistave te Formula Uno shfaqej nje kartele publicitare ku shkruhej VEFAHolding. Historia u perserit ! Natyrisht jo ne menyre identike ;- Jemi apo sjemi vend i NATO-s, kandidat per ne BE, me zgjedhje te pranuara nga faktori, te kontestuara vetem nga Lefterija, me pushtet me ne fund te dorezuar paqesisht edhe nga Berisha !?

Vetem nje gje nuk ndryshon nga ajo kohe ;– Ata qe do e vuajne jane si gjithmone borxhlinjte e krijuar ne vitet e mashtrimit, punetoret dhe ata qe kishin kredituar piramiden me te fundit ( por kujdes : – Jo e fundit ! ) Sa per ata qe presin lajme nga ministria e linjes te mos lodhen kot ;-

Aty banon Enno, i skeduar prej kohesh si debil, i provuar sidomos ne aferen Albpetrol, kur bashke me tufen e nenpunesve te tjere te tredhur, betoheshin se i kishin pare me syte e tyre parate e garancise se paguar nga Taçi. Per mua nuk ka me asnje enigme nekete histori ; – e kisha parashikuar fundin e saj , vetem daten nuk dija. Enigma ime eshte çfare do ndodhi me mbas me borxhlinjte, ente shteterore qofshin keto, private, apo punonjes. Mbase dikujt nga maxhoranxa e re, me naivitet i ka ardhur per mbare qe ARMO-s t`i gjendej nje pronar i ri, ne menyre qe i vjetri me bemat dhe problemet e tij te mos i rrinte si patate e nxehte ne duar ; – Eshte gabuar ! Edhe pas kesaj qe ndodhi, une parashikoj qe patatja do jete aty, neper duar, e perveluar !

Ndersa ata qe ngrene zerin te shqetesuar per pasuri kombetare te shitur, te falur te shperdoruar,, le te qetesohen disi, apo le te ngushellohen duke menduar se kjo nuk eshte gjeja e vetme per te cilen duhet te shqetësohen; ARMO realisht nuk ka ndonje vlere te spikatur, ne Shqiperi mund te ndertohen rafineri shume me te mira e moderne se sa ato te ARMO-s, tek e fundit, moratoriumi qe vendosi Berisha per te favorizuar Taçin ne kete fushe, pothuajse ka skaduar ; – Per mua problemi i madh eshte sjellja e nenpunesve dhe politikaneve te shtetit shqiptar ne kete afere ; – Qe nga dita e e pare e procedures per shitjen e pare te ARMO-s, e deri ne diten e rishitjes se saj ! Sepse te gjithe e paten ne dore te flisnin ne kohe, por nuk e bënë ! Me perjashtim te Erion Braçes dhe tim vëllai.

Gazeta Dita, 11.08.2013