Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Dhurata nga Azerbajxhani

Kushton 40 miliard dollarë, nga të cilat 1.5 do të investohen në Shqipëri. Çfarë përfitimesh ka vendi ynë nga projekti i TAP-it dhe pse mund të shndërrohemi në unazën kryesore të furnizimit me gaz të Europës Juglindore. 

Kur të gjithë prisnin daljen e kryeministrit Berisha për të pranuar humbjen e zgjedhjeve, dy ditë pas 23 qershorit, lajmi se projekti i TAP-it që do të sjellë gazin nga Azerbajxhani, mori dhenë. Për një çast “u harrua” se sapo kishim mbyllur zgjedhjet më të mira që kemi realizuar në njëzet vitet e fundit, teksa fokusi kaloi në rëndësinë ekonomike që Shqipëria fitoi jo edhe aq papritur, si nyja kryesore e furnizimit me gaz të Ballkanit Perëndimor dhe Europës. Vendimi i konsorciumit “Shah Deniz” për të miratuar TAP-in (Trans-Adriatic-Pipeline) erdhi si një shi i freskët vere m’u në kulmin e temperaturave të nxehta politike, e ndoshta tejkaloi disa herë euforinë e rotacionit të qetë të pushtetit. Jo sepse vlerësimet e të huajve për një proces zgjedhor shumë të mirë nuk qenë një lajm i jashtëzakonshëm për ne, porse një investim ekonomik si TAP-i erdhi në kohën e duhur, si një dhuratë e bukur për financat anemike të Shqipërisë.

“Fitoi Shqipëria, projekti i shekullit për ne!” shkruante Berisha pak minuta pas publikimit të lajmit. Sipas ekspertëve, kjo është e vërtetë, pasi përzgjedhja e TAP-it, si projekt fitues për transportimin e gazit nga Azerbajxhani drejt Europës dhe miratimi i projektit IAP, që do të çojë gaz në Malin e Zi, Kroaci e ndoshta në Kosovë, e kthen vendin tonë në një kryqëzim shumë të rëndësishëm të energjisë në rajonin e Ballkanit dhe në Europë. Çka do të thotë një nivel i ri i ekonomisë dhe energjetikës shqiptare. Shqipëria do të bëhet kështu pjesë e një zinxhiri të ekonomisë dhe energjisë botërore, duke rritur vlerësimin e saj termat e sigurisë, qëndrueshmërisë dhe aftësisë për të marrë pjesë dhe menaxhuar projekte të përmasave të tilla. Në aspektin e brendshëm, deri në vitin 2018, kur projekti të përfundojë dhe gazi kaspik të mësyjë në tregun europian, Shqipëria do të zgjidhë përfundimisht edhe problemin e saj me energjinë. Madje, do të shndërrohet në një vend të gazifikuar, me rezervat e saj të gazit të cilat mund të përdoren qoftë për përdorim të brendshëm, qoftë për ta shitur në tregun ballkanas ose më gjerë.

Projekti i TAP-it do të krijojë kushtet edhe për furnizimin me gaz natyror të Shqipërisë, si dhe të ardhura fiskale e përfitime të tjera ekonomike, duke hapur mundësi bashkëpunimi të mëtejshme në lidhje me projekte të ardhshme në fushën e energjisë, përfshirë lidhjen me rrjetin e gazsjellësve të vendeve të rajonit. Stavri Dhima, një nga ekspertët që ideuan projektin e TAP-it që në vitin 2003, e quan një lajm të madh për vendin dhe investimin e drejtpërdrejtë më i madh në Shqipëri, i cili do të rrisë aktivitetin ekonomik dhe krijojë punësim.

Pavarësisht se projekti i TAP-it erdhi në vëmendjen e opinionit publik vetëm në dy-tre vitet e fundit, ai ka nisur që në vitin 2003. Por, vetëm në vitin 2007 e më vonë gjatë vitit 2009-10 ai arriti të konkretizohej në atë që është sot: Një projekt ambicioz, që pret të fillojë ndërtimin brenda dy viteve të ardhshme, për të përfunduar në 2018-ën. “Ishte fati im që isha pjesë e grupit nismëtar të punës dhe që arritëm ta materializonim në këtë gjendje që është sot,” thotë Stavri Dhima, Drejtor i zyrës rregullatore në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Së bashku me inxhinierin Naskë Afezolli, që në atë kohë ishte përgjegjës i sektorit të enegjisë dhe gazit në kompaninë zviceriane EGL-ag, dhe Joachim Konrad, një tjetër drejtues i kësaj kompanie, Dhima mbajti gjallë idenë e TAP-it derisa në vitin 2007 KRTRRSH-ja miratoi gjurmën në të cilën do të kalonte projekti. Kjo i hapi rrugën negociatave të tjera për ta shpënë projektin e TAP-it në atë pozicion të rëndësishëm që ka marrë sot për gazifikimin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe duke u shndërruar në unazën kryesore të gazit për Europën Juglindore.

Por, cila është gjurma ku do të kalojë gazpërcjellësi i TAP-it?

Gazpërcjellësi ka një gjatësi 870 kilometra në tërësi, nga të cilat 209 km janë në territorin shqiptar në tokë dhe rreth 60 km janë në pjesën shqiptare të detit drejt Italisë. Sipas projektit, pika e fillimit të gazsjellësit në territorin grek është në Kipoi në afërsi të kufirit greko-turk, ku do të lidhet me Gazsjellësin Trans-Anatolian (TANAP), ndërsa pika e daljes në territorin Italian në San Foca (Leçe). Korridori ku do të kalojë projekti TAP në territorin shqiptar shtrihet në 35 bashki dhe komuna të Qarkut Korçë, Berat dhe Fier. Ndërtimi i tubacionit kalon nga Bilishti, ku ka edhe një stacion kompresorësh, nga zona malore mes Korçës dhe Skraparit, Poliçanit, Çorovodës, nga lugina e lumit Osum, duke zbritur në afërsi të qytetit të Beratit, Otllak, Urë Vajgurore, Roskovec në qarkun e Fierit, dhe duke dalë në zonën e Semanit e drejt Italisë në Leçe. TAP-i ka një kapacitet transporti prej 10 miliardë m3 (bcm) gaz të ri në vit drejt Evropës dhe do të fillojë punë nga viti 2018, por sipas nevojës do të ketë mundësi që ta rrisë kapacitetin deri në 20 miliardë m3 (bcm). Për të gjitha vendet ku ai do të kalojë, shihet si projekt i një rëndësie strategjike sepse i kthen ato në vende qendrore tranziti për sigurinë e energjisë së Bashkimit Evropian, por edhe në diversifikimin e burimeve të furnizimit me gaz, duke shënuar kështu hapjen e Korridorit Jugor të Gazit (Energjetik) për Evropën.

Sa i takon Shqipërisë, projekti i TAP-it sjell tre ndikime kryesore: Së pari, ka një ndikim gjeopolitik dhe gjeoekonomik për vendin sepse Shqipëria merr statusin e vendit strategjik për burimet energjitike, duke u kthyer në një korridor i rëndësishëm energjitik në rajon. Për herë të parë, TAP-i do të përcjellë në Europën Perëndimore gazin e Kaspikut, që është edhe pellgu më i madh me gaz në botë. Së dyti, Shqipëria do të ketë përfitime të mëdha ekonomiko-financiare gjatë fazës së ndërtimit të projektit. “Duke filluar me shpronësimin e tokës, marrjen me qira të saj, punësimin e njerëzve, zhvillimin e zonave ku do të kalojë tubacioni etj.”, sqaron Dhima. Sipas tij, gjatë ndërtimin e të gazsjellësit do të punësohen mbi 20 mijë punëtorë, të cilët mund të ndryshojnë në faza të ndryshme. Pa përmendur rrugët kombëtare ekzistuese, parashikohet ndërtimi i rreth 110 kilometra rrugë të reja apo të rindërtuara totalisht në shërbim të projektit. “Është realisht një projekt i përmasave të mëdha”, thotë ai. Ndikimi i tretë është ai i gazifikimit të Shqipërisë. Nuk do të vuajmë më për energji sepse gazi do të na plotësojë të gjitha nevojat. Po energji elektrike? “Kjo nuk ia vlen të përmendet fare. Dritat janë një kërkesë shumë e vogël. Ky projekt do të na sjellë shumë më tepër”, ndërhyn Dhima.

Në marrëveshjen që Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nënshkruar me dy nga aksionerët aktualë të TAP-it për lënien në Shqipëri të një sasie gazi prej 250 milionë metër kub, si dhe me kompaninë gjermane “E-on Rhurgaz”, e cila do të lërë në Shqipëri rreth 500 milionë metër kub gaz. Në total, Shqipëria do të përfitojë 750 milionë metër kub gaz, çka është një sasi e konsiderueshme për fazën e parë të projektit. Por, me rritjen e kërkesave të tregut për këtë gaz mund të shtohen edhe sasi të tjera. Dhima thotë se sasia më e madhe e këtij gazi do të përdoret si lëndë djegëse për të prodhuar energji elektrike në TEC-et e Fierit dhe të Vlorës, metalurgjisë dhe industrive të tjera. Për më tepër, projekti TAP ka edhe karakteristika të veçanta shtesë, që lidhen me faktin se mundëson lëvizjen fizike të gazit në drejtim të kundërt, por edhe opsionin për të zhvilluar impiantet e depozitimit nëntokësor të gazit në Shqipëri (siç është zona e Dumresë, etj.). Dhima thotë se këto depozita do të shërbejnë për të grumbulluar sasinë e gazit që do të tepërojë nga konsumi i vogël gjatë verës dhe për shkak se Shqipëria ka përgjithësisht një dimër të butë. Kjo sasi mund edhe të shitet më pas, gjithmonë sipas nevojës. Sipas projektit, në Seman do të ndërtohet një pikë gërshetimi e shumë rrjeteve gazsjellëse, ku mendohet të lidhet edhe projekti që do të shkojë nga Shqipëria drejt Kroacisë, ose ndryshe projekti IAP (Jonian-Adriatik). Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë ka paraqitur në sekretariatin e energjisë në Bruksel edhe projektin e lidhjes me një rrjet gazsjellësi mes Shqipërisë dhe Kosovës, direkt apo përmes Maqedonisë, i cili mund të shkojë më pas edhe në Serbi.

Për transportin e gazit nga Republika e Azerbajxhanit drejt Europës nëpërmjet TAP-it do të nevojitet një investim rreth 40 miliard dollarësh (rreth 30.8 miliard euro), nga të cilat vetëm 1.5 miliard do të investohen në Shqipëri. Kjo “urë” energjetike, nga Lindja drejt Perëndimit, përfshin projektin e puseve në Detin Kaspik, impiantet dhe platformat e pjesës detare, zgjerimin e Terminalit Sangachal në Azerbajxhan, si dhe tre projektet e gazsjellësave Azerbajxhan/Gjeorgji [SCP], Turqi [TANAP], si dhe TAP që do të jetë pikërisht pjesa e fundit e zinxhirit.

Por, nuk mbyllet këtu. Një studim i Universitetit të Oksfordit ka përllogaritur konkretisht përfitimet e Shqipërisë nga TAP-i, duke nënvizuar se afro 3 mijë shqiptarë do të punësohen çdo vit me nisjen e ndërtimit të projektit. Vetëm në fazën e ndërtimit që do të zgjasë nga viti 2015 deri në vitin 2018, gazsjellësi do të gjenerojë 157 milionë euro shtesë në Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar (PBB), çka do të ketë efekte zinxhir në krijimin e bizneseve të reja, të cilat do të përfshihen në aktivitetet e lidhura me këtë industri. Kjo do ta rriste prodhimin kombëtar edhe me 110 milionë euro të tjera shtesë.

Mirëpo, jo të gjitha gjërat duket se kanë ecur vaj për realizimin e projektit. Në shtator të vitit të kaluar, media italiane raportoi për një kundërshtim që i bënte ndërtimit të projektit të TAP-it rajoni i Pulias, i cili është territori strategjik në kalimin e gazsjellësit në Itali. Një komitet i rajonit të Pulias e ka konsideruar si një masakër ndërtimin e këtij projekti në territorin e Italisë si dhe kanë dërguar një shkresë ministrisë së linjës, duke i bërë të ditur se projekti aktual që do të sjellë gazin nga vendi aziatik nuk i ka kartat në rregull. Një kundërshtim ky që mund të çojë edhe në mbajtjen e një referendumi, çka do të bëhej një pengesë serioze për prishjen e projektit fillestar. Ndërsa shqetësimi i dytë i zbatuesve të projektit lidhet me gjendjen financiare të Greqisë, ku TAP-i përshkon thuajse tej e tej tokën helene nga Turqia deri në hyrje të Shqipërisë. Pavarësisht se kryeministri grek, Samaras, e ka mirëpritur projektin si një frymëmarrje për financat e Greqisë, mbetet një frikë e investitorëve për kryerjen e një investimi të madh në një vend me paqëndrueshmëri ekonomike. Gjithsesi, ashtu si për Greqinë, veçanërisht për vendin tonë, një investim i tillë do të thotë vërtet një frymëmarrje për ekonominë shqiptare.

Kush e ndërton TAP-in?

Ndërtimin e projektit TAP do ta bëjnë tre kompani prestigjoze të fushës së gazit në botë. Aksionerët e projektit janë kompania zvicerane EGL (42,5%), kompania norvegjeze STATOIL (42,5%), si dhe kompania gjermane E.ON Ruhrgas (15%). Ndërsa, konsorciumi i vendburimit të gazit “Shah Deniz II”, përbëhet nga kompania e Azerbajxhanit SOCAR, kompania norvegjeze STAOIL, kompania britanike BP dhe kompania Franceze TOTAL, të cilat janë edhe ato që përzgjodhën projektin.

Kompania EGL është një kompani evropiane tregtimi, e cila ka asetet e saj. EGL është një kompani drejtuese në tregtimin e instrumentave financiarë, në shitjen e produkteve të standardizuara, dhe në zhvillimin e produkteve të strukturuara dhe të shërbimeve të reja për konsumatorët. Zyra e saj qendrore është në Dietikon afër Zyrihut (Zvicër). Ajo ka aksione në impiantet energjetike ujore dhe bërthamore në Zvicër, në impiantet energjetike në Itali me cikël të kombinuar që vihen në përdorim me gaz dhe gjithashtu në një park me erë në Spanjë. Kompania Statoil është një kompani ndërkombëtare energjetike e cila operon në 34 vende. E bazuar mbi më shumë se 35 vjet eksperiencë në prodhimin e naftës dhe gazit në pjesën kontinentale të Norvegjisë, kompania është e angazhuar ndaj plotësimit të nevojave energjetike botërore në një mënyrë të përgjegjshme, duke zbatuar teknologjinë dhe zhvilluar zgjidhje krijuese të biznesit. Zyra qendrore e Statoil gjendet në Norvegji dhe kompania ka 20 000 punëtorë në mbarë botën. Kompania E.ON ka pothuajse 1.200 punonjës dhe është një nga tre kompanitë më të fuqishme të gazit në Europë. Klientët e E.ON përfshijnë kompani energjetike rajonale dhe vendore, kompani industriale dhe stacione energjetike. Ajo vepron në të gjitha nivelet e zinxhirit të tregut evropian të gazit.

Revista Klan, 12.08.2013