Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Taçi u largua nga banka Credins një muaj para shitjes së ARMO-s

Rezart Taçi ka transferuar kuotën e tij të aksioneve, si bashkëpronar i Bankës Credins, rreth një muaj para se të kryente shitjen e ARMO-s.

Kjo del nga dokumenti i regjistrimit të këtij veprimi financiar në QKR, kryer më datë 5 korrik të këtij viti. Në dokument thuhet se kontrata e shitjes së aksioneve të tij është “me kusht” dhe 4.46% e aksioneve të kapitalit themeltar të shoqërisë Credins, nga Rezart Taçi, kalojnë tek Fuad (Adi) Haxhiymeri, biznesmen i njohur i industrisë ushqimore. Transferimi i kuotës në fjalë është e vlerën 211.7 milionë lekë të reja, afërsisht 1.5 milionë euro.

Në këtë mënyrë, Rezart Taçi është larguar nga grupi i aksionerëve të bankës Credins, me të cilën ai ka patur marrëdhëniet kryesore financiare, sikurse ka dalë kjo edhe nga gjyqi për sekuestron ndaj aseteve të Taçit, masë që pastaj u revokua, pasi u pagua detyrimi prej 75 milionë eurosh.

Largimi nga Credins vjen në një kohë kur, sikurse del nga letra e përgjigjes së ministrit të METE-s Florjon Mima, si shkak për transferimin e pronësisë tek ARMO sillet “gjendja e vështirë financiare që aktualisht po kalon shoqëria” e tij. Nga ana tjetër, shitja “me kusht” e aksioneve le të kuptosh se Taçi ka qenë i detyruar gjithnjë nga kjo situatë e vështirë, që përmend vetë, t’u kalojë të tjerëve aksionet e veta.

Gazeta Shqiptarja.com, 11.08.2013