Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Thatësira, bie prodhimi i hidrocentraleve

Hidrocentralet po prodhojnë rreth 13 milionë kilovatorë energji elektrike në ditë, në këtë periudhë të nxehtë, ku nevojat e vendit arrijnë në 19.5 milionë kilovatorë. Sipas burimeve nga KESH, ka pasur një rënie të prurjeve hidrike në hidrocentrale dhe energjia e prodhuar prej tyre është mbajtur në vlera optimale. Aktualisht niveli në liqenin e Fierzës arrin në 291.4 metra dhe prurjet në 80 metër kub ujë.

Niveli në liqenin e Komanit arrin në 175 metra dhe prurjet anësore në 40 metër kub, ndërsa niveli në liqenin e Vaut të Dejës arrin në 74.6 metra dhe prurje anësore nuk ka. Në 24 orët e fundit, Fierza ka prodhuar 4300 megavatorë energji, Komani 4800 dhe Vau i Dejës 2307 megavatorë. Importi i energjisë në total arrin në 6.5 milionë kilovatorë, ku 3.6 milionë po importohen nga kompania CEZ Shpërndarje për të mbuluar humbjet në rrjet.

Një tregues i rëndësishëm ky, nëse marrim parasysh se, një vit më parë, humbjet në rrjet arrinin sa 45% e konsumit në vend, e përkthyer me shifrat e konsumit të sotëm arrin në diçka më pak se 9 milionë kilovatorë në ditë. Performanca e mirë financiare e kompanisë CEZ, ka bërë që Korporata të shlyejë në vlerë monetare gjatë gjysmës së parë të vitit rreth 50 % të energjisë së prodhuar nga hidrocentralet e mesme dhe të vogla private në vend. Sipas burimeve nga KESH, brenda këtij viti, do të shlyhet e gjithë vlera për energjinë e prodhuar gjatë vitit 2012, që arrin në 2 miliard lekë.

TV Scan, 23.07.2013