Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Prof. dr. Maksi Shuli analizon ARMO-n, “Albpetrolin”, CEZ-in, HEC-et etj

Gjithnjë pas çdo privatizimi apo dhënie të një koncesioni priten zhvillime pozitive në X sektor ku është realizuar, fundja ky është qëllimi, rritja e konkurrencës dhe e performancës. Atë që shteti nuk e bën dot, e realizon investitori. Por në Shqipëri, deri më sot, sipas akademikëve të fushës së hidrokarbureve, ka ndodhur e kundërta, dhe rezultatet duken qartë. Edhe pse nga nafta nxirren deri në 1 milion tonë, me vlerë 800 milionë dollarë, shteti nuk merr as 10 për qind të saj, ndërsa zonat nga ky nxirret ari i zi, jetojnë gjithnjë e më shumë në varfëri, si në rastin e minierës së Bulqizës. Prof. dr. Maksi Shuli, i cili për më shumë se 20 është marrë me sektorin energjetik, bën një skaner të procesit të privatizimeve dhe koncesioneve në tetë vitet e fundit. Ish-n/kryetari i Agjencisë Kombëtare të Energjisë, Shuli, analizon me radhë privatizimin e ARMO-s, pastaj prek problematikën e CEZ-it, më tej trajton koncesionet në naftë dhe gaz, duke mos anashkaluar “Albpetrolin”, shoqëri të cilën vetë doktori i shkencave e ka menaxhuar vite më parë, kur nisi faza e privatizimit (ose ndarja).

Është folur shumë në fushatë për një monitorim/kontroll më rigoroz të sektorit të hidrokarbureve, madje janë hedhur akuza për abuzime me pasurinë kombëtare. Si duhet të ndryshojë ky mekanizëm kontrolli? Sa mund ta cenojë respektimin e kontratës që ka qeveria me shoqëritë koncesionare të këtij sektori?

Është fakt i pamohueshëm që realizimi i proceseve të privatizimeve apo të dhënies me koncesion, në sektorin e naftës, ARMO dhe tendencën për të privatizuar “Albpetrolin”, dhënien e disa koncesioneve në naftë, gjithashtu në fushën energjisë elektrike, OSSH, HEC-et e vogla etj., pothuajse dështuan.

Sipas periudhave dhe formave të përdorura për privatizim, qeveria ofroi një “cilësi” të blerësve-pronarë të rinj, të cilët rezultuan “të paaftë” në qëllimet dhe synimet e qeverisë për një proces privatizimi efektiv.

Orientimi nga qeveria dhe qëllimi i vetëm i tyre, për vetë faktin që nga struktura përkatëse shtetërore, baza e ofrimit të këtyre blerësve-pronarë të rinj ishte vetëm oferta më e lartë financiare, ishte dëshira për të mbushur arkën bosh të shtetit, ishte realizimi i fitimit të këtyre kompanive anonime.

Mendoj dhe insistoj se përveç shumë shkaqeve të dështimit, më kryesorin do të veçoja mungesën e institucioneve të monitorim-kontrollit të këtyre privatizimeve dhe koncesioneve.

Në të gjitha kompanitë që qeveria bëri ose tentoi të bënte privatizime apo dhënie me koncesione tek asetet strategjike, ishte e papërgatitur dhe i parakohshëm, tepër i përshpejtuar dhe me synim më tepër dekapitalizimin e shtetit në këtë sektor sesa realizimin e një reforme ekonomike të qenësishme tregu.

Dështimi i privatizimeve dhe koncesioneve, në sektorët me peshë në ekonominë e vendit, direkt apo indirekt ndikuan në thellimin e krizës, dhe më kryesorja është se kërkohet kohë dhe kosto për t’i korrigjuar këto gabime.

Po të ishin marrë në konsideratë përfundimet e konsulencës ndërkombëtare, sot do të kishim një pasqyrë krejt tjetër në sektorin e naftës, gazit dhe të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Për këtë arsye, strukturat shtetërore duhet të ishin të përgatitura për realizimin e tyre, madje mendoj se vetë shteti ishte i korruptuar dhe qëllimisht neglizhoi të gjitha rekomandimet apo konsulencat e huaja, madje arriti deri te korruptimi i tyre. Shumë ekspertë të huaj, por dhe të vendit, mendojnë se kur procesi i privatizimit konceptohet si veprim ndryshimi pronësie “Change of Title”, i pashoqëruar me krijimin e ambientit të nevojshëm ligjor, ekonomik, financiar dhe rregullator, në shume raste nuk ka sjellë përmirësim eficient.

Në një treg konkurrues “…ekzistojnë mekanizmat që mund të bëjnë të mundur, që një ndërmarrje publike të operojë me eficiensë, si ata privatë. Por nëse një treg është i monopolizuar, privatizimi në vetvete nuk do të garantojë eficiensë”. Në Shqipëri ekzistojnë tregjet monopole, e kanë mbërthyer ekonominë dhe vetëm zhvatin eurot dhe dollarët, duke i depozituar në parajsat fiskale. Në Europën Qendrore, eksperienca Polake e privatizimit, krahasimisht e ngadaltë dhe e matur, kombinuar me rritjen e fuqishme dhe të qëndrueshme, ka hedhur dyshim për nevojën e privatizimit si një element kryesor në procesin e tranzicionit.

Kjo eksperiencë të mëson që, jo urgjenca në privatizim shoqërohet me eficiensë dhe zgjidhje të krizës energjetike, por zbatimi i një reforme tërësore të qëndrueshme dhe afatgjatë mund të krijojë baza për një zgjidhje afatgjatë të problemeve energjetike (naftë, gaz, qymyr, HEC).

Dua të përmend këtu edhe dy ligje që u neglizhuan nga qeveria Berisha, të cilat ishin me shumë rëndësi në formën dhe mënyrën e privatizimit të sektorëve strategjikë, si: ligji Nr.7963, datë 05.07.1995 “Për privatizimin e sektorit elektroenergjetik”, në të cilin përcaktohej që forma kryesore e privatizimit në këtë sektor do të ishte shoqëri anonime me paketë kontrolluese (dhe jo 100% të aksioneve). Formula e mbajtësve të aksioneve do të përcaktohet nga Kuvendi; ligji Nr.8006, datë 05.10.1995 “Për miratimin e formulës së mbajtësve të aksioneve në momentin e shitjes së aksioneve të shoqërive që veprojnë në sektorin e energjisë elektrike”, në të cilin përcaktohej se formula e mbajtësve të aksioneve do të ishte: jo më pak se 30% e aksioneve një investitori strategjik dhe jo më pak se 30% të aksioneve sipas një plani të privatizimit masiv (privatizimi me bono privatizimi dhe letra me vlerë 1995-1996).

Duke u ndalur te kontratat, Rama është shprehur se do t’i rishikojë. Cili është komenti juaj? Ju jeni shprehur kundër privatizimit të “Albpetrolit”, ose kundër kësaj formule. Çfarë i sugjeroni qeverisë së re në lidhje me këtë çështje?

Theksoj se, mekanizmi i kontrollit të kontratave duhet të ndryshojë, por pasi të analizohet me kujdes nga qeveria e re, duke diskutuar me ekspertët e vendit dhe të huaj. Duhet të ngrihen institucionet për këtë problem, të ndahen funksionet shkencore me ato të monitorimit nga dikasteret e ministrive, të cilat merren me politikat dhe strategjitë e qeverive.

Vetë kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, premtoi dhe e vendosi në programin e Rilindjes, se do të ngrejë një komision parlamentar me deputetë dhe ekspertë për të hetuar të gjitha llojet e kontratave koncesionare, të cilat janë në dëm të vendit.

Te ne nuk dihet se kush bën kontrollin dhe monitorimin, kush bën studimet dhe hulumtimet për të ardhmen e fushave naftëmbajtëse, kush ndjek dhe zbaton politikat afatshkurtra, të mesme dhe afatgjata të ekonomive strategjike të vendit, për të mos thënë se edhe niveli i specialistëve që janë aktualisht nuk përputhen me pozicionet. Çfarë duhet bërë për të arritur parametra të qëndrueshëm tregu? Duhet patjetër një analizë e specializuar, e cila të marrë në konsideratë të gjithë problematikën e parashtruar nga konsulenca ndërkombëtare me gjendjen aktuale të tregut, plus gjendjen ligjore dhe financiare që kanë aktualisht kompanitë strategjike.

Tashmë në sistemin e naftës kemi disa koncesione që me një grup ekspertësh të vendit dhe konsulencën e huaj, kërkojnë një analizë të hollësishme të të gjithë tregueseve ekonomiko-financiarë para dhe pas koncesionit, një kontroll të termave të kontratave, të cilët e kam shprehur disa herë që janë bërë në dëm të vendit dhe të kompanive, planit të veprimit për financimin dhe zhvillimin e projekteve të reja, të realizimit të objektivave për të cilën është dhënë koncesioni, të ndryshimit të objektit apo destinacioni që ka pasur objekti i privatizuar apo i dhënë me koncesion.

Më duket se deri tani kompanitë po mundohen të marrin sa më shumë për vete dhe nuk po mendojnë për të shtuar investimet dhe të rrisin prodhimin e naftës dhe të fitojnë të dyja palët. Të gjitha kompanitë që kanë marrë koncesione nxjerrin mbi një milion tonë naftë në vit, që me çmimin e tregut të sotëm konvertohet me mbi 800 milionë USD dhe në arkën e shtetit nuk derdhet më shumë se 70 milionë USD në formën e taksës vendore. Kjo nuk është e ndershme. Mos po na ndodh si në vendet arabe që mbulojnë botën me naftë dhe populli është më i varfri? Pas analizave, të ndërmerren veprime penale ndaj kompanive, fundja, secili të marrë pjesën që i takon!

Mund të shfrytëzohen mjaft mirë edhe raportet e studimit të financuara nga BB, si p.sh. projekti DECON, i vitit 2002, apo të tjera projekte, si ai i 2005-s, LAHMEYER. Ky projekt jep të njëjtat mesazhe sikurse Projekti 2002, DECON, por gjykoj që rekomandimet e tij duhen shqyrtuar në të ardhmen e afërt në mënyrë më specifike.

A është i nevojshëm një ent rregullator për sektorin e naftës siç vepron në energji, ujë apo telefoni?

Po. Mendoj se ka ardhur koha, sepse po shikojmë shumë deformime të tregut, përfshi këtu edhe tregun e shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë, ku vazhdon të lulëzojë korrupsioni e trafiku, dhe ajo çka është më e keqja, gjithnjë e më tepër fatura bie në kurriz të popullit.

Si e komentoni situatën me CEZ-in, e cila prej pesë muajsh menaxhohet nga shteti?

Kjo situatë është alarmante, madje nuk ka ku të shkojë më keq. Ka shumë arsye pse ky privatizim apo menaxhimi aktual po dështon.

Së pari, të gjitha institucionet, me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike pësuan transformim tërësor, duke hequr ekspertët dhe duke i zëvendësuar me militantë partiakë, të paaftë, servilë dhe njerëz të korruptuar që nuk kishin asnjë lidhje me administrimin e shtetit.

Rasti më i pastër është që ministri Genc Ruli në Ministrinë e Energjetikës krijoi AKBN dhe kjo merrte rolin e dikasterit, pra të pronarit shtet. Ende edhe sot, kjo agjenci merret me proceset e privatizimit, rast i paparë në Europë.

Në AKBN, gjatë këtyre tetë viteve, kanë ndodhur çudira. Madje para disa ditësh, një drejtor i përgjithshëm bëri edhe një deklaratë të habitshme, duke mos ditur edhe njësitë e matjes së gazit natyror. Kjo tregon se çfarë niveli kanë të ashtuquajturat institucione tona.

Së dyti, procesi i privatizimit u bë me të ashtuquajturat ligje të kaluar në Parlament, por duke pasqyruar interesat e individëve apo bizneseve të caktuara me synim gllabërimin e pasurisë sa më shpejt dhe sa më lirë, duke mos arritur që ky privatizim të realizonte qëllimin final.

Këtë e tregon fakti që privatizimi i CEZ-it u krye pa një strategji kombëtare të energjisë, pa bërë ristrukturimet e nevojshme të kompanive të cilat e kishin periudhën më të nevojshme dhe të domosdoshme për rehabilitim, stabilizim dhe përfitim, pra të bëheshin kompatibël dhe pastaj duke u rritur vlera, ato do shkonin në një privatizim të suksesshëm. Këtë dështim e vërtetoi CEZ. ERE, në këtë rast, ka marrë edhe rolin e pronarit shtet për të cilin duhet ta ketë Ministria e Ekonomisë, ka marrë rolin edhe të Ministrisë së Financave për gjendjen e borxhit që ka Sistemi i Shpërndarjes, dhe ka marrë njëkohësisht edhe rolin e gjykatës për të përzgjedhur administratorin. Atëherë, ku është parë ky model që po aplikohet? Përse erdhi një gjendje kaq kaotike?

Nëse analizojmë privatizimin e 4 HEC-eve, ku pati kritika nga opozita, a ishte forma e duhur e shitjes?

Nuk u bë transparent paketa për koncesionarin, për punonjësit, për fondin e investimeve, për institucionin financiar të përzgjedhur nga pronarët, etj. Privatizimi i shoqërive shtetërore të sektorëve strategjikë realizohet në zbatim të ligjit nr. 8306, më datë 14.03.1998 “Për strategjinë e privatizimit të sektorëve me rëndësi të veçantë” dhe, sipas nenit 5 të këtij ligji, përcaktimi i formës dhe strukturës së formulës së privatizimit bëhet me ligj.

Gjithashtu në nenin 7 deri te neni 10-a, parashikohen disa parametra dhe tregues të orientimit të procesit në dobi të përcaktimit të formës, formulës dhe strukturës të ligjit të veçantë për çdo shoqëri, si parashikimi i masave për përballimin e problemeve sociale, pjesëmarrja e investitorëve strategjikë në privatizimin e këtyre sektorëve apo dhe pjesëmarrja me letra me vlerë. Parashikohet gjithashtu rezervim i të drejtave shtetërore që kanë të bëjnë me interesa publikë dhe strategjikë, nëpërmjet mbajtjes në pronësi shtetërore të një pakete të caktuar aksionesh apo “aksionit të artë”. Qeveria “Berisha” mori një hap shumë të gabuar në privatizimin e këtyre HEC-eve (Ulza, Shkopeti dhe dy Bistricat) duke ndryshuar termin “investitor strategjik” ku sipas këtij përcaktimi, cilësia e të qenët i tillë kufizohej vetëm në kapacitetin për të menaxhuar kompani të mëdha, duke shmangur përcaktimin e investitorit strategjik sipas nenit 1, që thotë se, “Investitor strategjik” është çdo person juridik që zotëron garanci financiare dhe afirmim në veprimtarinë ekonomike në një sektor të caktuar. Ky ligj apo nen i këtij ligji duhet të ndryshohet në Parlament me 2/3 e deputetëve, prandaj ndryshimi i tij bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

Në privatizimin e këtyre HEC-eve shikojmë pikërisht mosrespektimin e atyre që theksova më lart dhe kemi një moszbatim të rregullave të ekonomisë së tregut, moszbatimin e ligjeve ekzistuese sado mangësi që kanë ato, mungesë të transparencës për këtë proces privatizimi, dhe e fundit është prishja në tërësi e të gjithë këtij procesi privatizimi. Ky privatizim duhet domosdoshmërisht të rikthehet dhe të gjithë personat që kanë marrë pjesë direkt apo indirekt në këtë proces, duhet të ndiqen penalisht.

Nuk janë marrë në konsideratë edhe disa akte ligjore dhe nënligjore të rregullatorit të tregut të energjisë elektrike, si ligji nr. 9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i ndryshuar, apo VKM nr. 628, datë 03.10.2007 “Për miratimin e modelit shqiptar të tregut të energjisë elektrike”.

Në bazë të këtij kuadri ligjor (pika 5.6 “Procedurat tipike që ndiqen nga OST-ja” në Modelin Shqiptar të Tregut të Energjisë Elektrike” të miratuar me VKM nr. 628, shoqëria “KESH – Gen”, sikurse dhe prodhuesit privatë (në nenin 15 të ligjit nr. 9913, datë 05.05.2008 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9072, datë 22.05.2003, i ndryshuar”, sipas pikës 4, të nenit shtesë 34/1 për rastin e prodhuesve të rinj të energjisë, Këshilli i Ministrave, me miratimin e lejes për ndërtimin e një burimi të prodhimit të energjisë, ka të drejtë që një pjesë të prodhimit t’ia shesë Furnizuesit Publik me Shumicë (KESH-it), me çmime të rregulluara nga ERE, për nevoja të klientëve tariforë (familjarë), do të sigurojnë që përfitimet nga kapacitetet hidro të jenë për klientë tariforë shqiptarë. Kjo klauzolë, përveç problemeve të tjera që ngrihen më lart për privatizimin e 4 HEC-eve, duhet të verifikohet edhe në Termat e Referencës për çdo HEC dhe që patjetër duhet të jetë objekt hetimi.

Diferenca financiare për prodhimin vjetor të këtyre katër HEC-eve shkon në favor të përdoruesit të kualifikuar “Kurum” duke bërë që për të njëjtën sasi, buxheti i shtetit të rëndohet për faturën e konsumatorëve familjarë. Ky është një korrupsion i pastër dhe personat përgjegjës duhet të japin llogari para drejtësisë duke shpërblyer njëkohësisht edhe dëmin që kanë shkaktuar. Këto që citova më lart janë edhe akuza që nesër qeveria e re të mos e quajë privatizimin “të kryer” dhe ata që realizuan dhe inskenuan këtë farsë të përgjigjen penalisht dhe financiarisht. Nuk do të ketë kurrë drejtësi nëse nuk dënohen!

Ishte vetëm dëshira e shtetit për të mbushur arkën bosh dhe realizimi i fitimit të kompanive anonime

Në AKBN, gjatë këtyre tetë viteve ndodhën çudira. Para disa ditësh, drejtori ngatërroi njësinë matëse të gazit

Për këto korrupsione, personat përgjegjës duhet të japin llogari, madje duke kthyer edhe paratë e vjedhura

Institucionet e monitorimit të kontratave dhe privatizimeve morën fund, të shkrira dhe pa staf të specializuar

Nafta

Të gjitha kompanitë që kanë marrë koncesione nxjerrin mbi një milion tonë naftë në vit, që me çmimin e tregut të sotëm konvertohet me rreth mbi 800 milionë USD dhe në arkën e shtetit nuk derdhet më shumë se 70 milionë USD në formën e taksës vendore

Të huajt

Qeveria, për interesa afatshkurtra, i shiti lirë dhe pa e menduar mirë, pronën e saj, te kompani anonime, kurse këto të fundit shumëfishuan fitimet, dhe kjo u bë në sytë e konsulentëve të huaj, edhe këta të përfshirë në korrupsion, pasi merrnin “fee”

Gazeta Shqip, 21.07.2013