Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

DPM: Marrëdhënie interesash dhe jo relacione abuzimi me qytetarët…

Opinioni publik, media dhe konsumatorët e shumtë të karburanteve këto ditë janë sensibilizuar nga veprimi i guximshëm, i vendosur dhe pa kompromis që ka ndërmarrë Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë në mbrojtje të interesave legjitime të konsumatorit.

Që në fillim dua të theksoj se veprimi ynë nuk është një aksion spontan, ca më pak për të bërë efekte të zakonshme mediatike. Përkundrazi, veprimi ynë është strategjik, i menduar dhe i planifikuar për të qenë i vazhdueshëm, konsistent dhe me pasoja për ata që abuzojnë me interesat e klientit për sasinë dhe cilësinë e karburanteve që përdor. Padyshim, duke qenë të bindur se ne kemi rolin tonë në raportet e interesave midis ofruesve të karburantit në pikat e shumta të shitjeve dhe klientit si konsumator i tij, e ndjejmë për detyrë funksionale që të intensifikojmë kontrollet në të gjithë fushat e ndjeshme për interesat e konsumatorit.

Ky aksion që do të jetë sistematik, i vazhduar dhe efektiv, ka si objektiv primar sigurimin e qytetarëve vendas, por edhe qytetarëve të huaj gjatë sezonit turistik, se per vlerën e paguar do marrin sasinë reale të produktit që blejnë. Garantimi i kësaj marrëdhënieje të drejtë midis shitësit dhe blerësit të karburantit, nuk është thjesht një problem teknik dhe abuzim financiar ordiner, por është një përpjekje e jona për të ndalur këtë padrejtësi sociale që nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. Ne jemi të vendosur që të mos lejojmë në asnjë rast të cënohen interesat e qytetarëve, të ciat në asnjë rast dhe për asnjë motiv nuk do mund t’i kalojnë mbrojtjes sonë të vendosur kundër atyre që guxojnë të abuzojnë me ta. Kjo është detyra jonë ndaj publikut dhe ne jemi të vendosur që këtë ta zhvillojmë pa asnjë kompromis.

Ky ka qenë qëllimi i kontrolleve të organizuara kohët e fundit nga ana jonë. Ato nisin nga konstatimi se për sasi jo-konforme të produkteve të ndryshme, vlera tepër që konsumatori paguan përben një shumë jo të papërfillshme për portofolin e gjithësecilit. Padyshim, këto kontrolle që janë zhvilluar kohët e fundit dhe që kanë rezultuar me shkelje evidente të interesave të qytetarëve si klientë, nuk janë një aktivitet i ri per Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë. Por duke dashur t’i përgjigjem interesit të medias dhe interesimit të publikut, më duhet të deklaroj se si Drejtore e Përgjithshme e këtij institucioni të lidhur në mënyra të ndryshme me interesat e qytetarëve tanë, se jam e vendosur që me profesionalizëm dhe dinjitetin e detyrës që kam do të bëj gjithçka për të mbrojtur konsumatorët nga abuzimet. Ky ka qenë gjithmonë nder objektivat primarë të këtij institucioni, të cilin unë do ta riorganizoj në mënyrë që akoma më shumë të rritet forca, efiçienca dhe efektet pozitive të kontrollit.

Praktikisht, platforma që po përdoret për forcimin e kontrollit është e bazuar në strategjinë e përmirësimit total të efektivitetit të kontrolleve dhe është e mbështetur në ngritjen e grupeve të posaçme, zgjerimin e veprimeve operacioinale të kontrollit, të cilat po ndermarrin aksione dhe veprime të sinkronizuara me masa teknike dhe organizative, të përqëndruara fillimisht në Tiranë, por që do shtrihen në në mënyrë kapilare në të gjithë territorin e vendit tonë. Përveç fushës së distributorëve të karburanteve, kontrollet do të vijojnë edhe në fusha të tjera të ndjeshme për konsumatorin si produktet e parapaketuara, duke patur si prioritet produktet e shportës, pra vajin, sheqerin, miellin etj. Aksioni i Drejtorisë së Përgjithshme nuk është as i rastit as kalimtar. Ai do të jetë një veprim i planifikuar, me qëllime e synime të qarta, i shoqëruar me efekte dhe kundërefektet e duhura për qytetarët si konsumatorë dhe ofruesit e këtyre shërbimeve, të cilat duhet të jenë më seriozë dhe të garantuar në të gjithë standarded e shërbimit që ofrojnë.

Për një gjë qytetarët duhet të jenë të sigurt: Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo gjë për të përmirësuar situatën me të gjitha mundësitë ligjore dhe mekanizmat garantues që disponojmë. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë nëpërmjet strukturës së Inspektimit Metrologjik, ka të drejtë të vendosë masë administrative me gjobë për ç’do shkelje të dispozitave të Ligjit “Për metrologjinë” dhe të kërkojë nga subjekti tregtar marrjen e masave për të korrigjuar shkeljet e konstatuara brenda një afati të caktuar kohor. 

Nga ana tjetër është e sigurt që ne në punën tonë nuk duam as të jemi të njëanshëm, duke parë vetëm mbrojtjen e interesave të qytetarit si konsumator. Përkundrazi, në të njëjtën kohë duhet kuptuar se dëmtimi i biznesit nuk mund te jetë qëllimi i punës sonë. Është detyra jonë edhe mbrojtja e biznesit. Por nuk mund të ketë një zhvillim të mirëfillte biznesi pa vendosur rregulla të qarta, të paanshme dhe të barabarta për ç’do subjekt tregtar dhe ofrimi i mallrave apo shërbimeve jo-konforme krijojnë një treg jashtë kushteve të konkurrencës së lirë. Për më tepër, në hallka të ndryshme të tregtisë, ç’do subjekt tregtar merr mall diku, përdor peshat dhe masat, pra edhe vete përbën një blerës potencialisht pre e abuzimit në fushën e metrologjisë.

Filozofia e institucionit tonë dhe qëllimi i veprimtarisë institucionale është parandalimi i shkeljeve dhe ndëshkimi i atyre që shkelin mbi interesat e ligjshme të qytetarit si konsumator. Në këtë ekuacion interesash është objekti i luftës sonë si institucion unik i ngarkuar me këtë rol shtetëror. Nga ana tjetër edhe pse nuk jemi “organ edukimi”, e ndjejmë si pjesë integrale të detyrës tonë që të ndihmojmë të bëjmë punë për ndërgjegjësimin maksimal të konsumatorëve vendas, për të kontrolluar në ç’do rast nëse peshorja e dyqanit, pistoleta e karburantit etj., kanë pullën e kontrollit (verifikimit) të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë. Kjo pullë është e vetmja siguri se një instrument matës është i saktë.

Por kjo betejë që kemi nisur si institucion nuk bëhet vetëm dhe nuk duhet të jetë aksion pa partnerët tanë të ligjshëm. Në këtë kontekst duam të ndërgjegjësojmë konsumatorët se për ç’do rast abuzimi mund te ankohen pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë. Ata do të binden për seriozitetin dhe guximin tonë. Sepse ne jemi plotësisht të angazhuar për të marrë në një kohë sa më të shpejtë masat përkatëse për zbatimin e ligjshmërisë në fushën e metrologjisë, pa toleruar asnjë abuzim.

Njëkohësisht, duam të ndërgjegjësojmë edhe subjektet tregtare qe të jenë konform me ligjin, pasi për ç’do abuzim do merren masa administrative me gjobë, në përputhje me procedurat ligjore.

Është angazhimi dhe përparësia jonë që në një periudhë të shkurtër, nëpërmjet përdorimit efiçient të masave parandaluese, shtrënguese dhe promovuese- sensibilizuese të luftohen abuzimet në instrumentët matës ligjërisht të kontrolluar në vend-përdorim duke ulur ndjeshëm numrin e jo-konformiteteve në të gjitha fushat.

Vullneti im profesional si Drejtore e Përgjithshme do të jetë i plotë dhe i palëkundur për t’i bërë realitet detyrat funksionale dhe për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe marrëdhëniet dhe korrektesën me klientët si konsumatorë. Asnjë dyshim nuk duhet të ketë se ky vullnet pozitiv mund të ndryshojë. Përkundrazi akoma më shumë do forcohet në të mirë të punës për përmirësimin e cilësisë dhe rritjen e kënaqësisë së qytetari nga shërbimet që në kemi detyrë të monitorojmë, kontrollojmë dhe në rast të shkeljeve edhe të ndëshkojmë.

Znj. Kozeta MESITI
DREJTORE E PERGJITHSHME – DPM

energjia.al, 20.07.2013