Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

ARMO: Dëmi i bllokimit është 100 mijë dollarë në ditë

Gati për të përshkallëzuar protestën. Drejtuesit e rafinerive të naftës së Kompanisë ARMO deklarojnë se demonstrimi i punëtorëve kundër padrejtësisë dhe tentativës për shkatërrimin e uzinës nuk do të ndalet. Madje mijëra punëtorë së bashku me familjarët e tyre dhe qytetarë të tjerë që I mbështesin do ta zhvendosin protestën edhe në Tiranë, që zëri i tyre të dëgjohet edhe më fort.

“Ne jemi në ditën e tretë të protestës. Përgjigje nga institucionet e shtetit nuk kemi pasur. I bëjmë thirrje dhe ju kërkojmë një përgjigje zyrtare sa më shpejt. Këto familje dhe këta 3 mijë punëtorë kanë deklaruar se do ta përshkallëzojnë protestën e tyre në kryeqytet, në Fier deri në masa më ekstreme për të marrë një përgjigje për zhbllokimin e situatës dhe për zhbllokimin e llogarive. Problemet po vazhdojnë. Ne në uzinën e Fierit kemi naftë bruto dhe nuk po lejojnë të trajtohet. Në uzinën e Fierit ka produkt dhe nuk po lejohet të shitet. Masat administrative kanë vazhduar. Është zhbllokuar sistemi doganor dhe ne nuk jemi në aktiv në sistemin e doganës. Kjo do të thotë një bllokim total i kompanisë ARMO sha. Për këta 3 mijë punëtorë në këtë situatë nuk ka të ardhme. Këta 3 mijë punëtorë kanë deklaruar se nëqoftëse nuk zhbllokohet situata, ata bashkë me familjet e tyre do të jenë prezentë çdo ditë pranë ambienteve të ARMO sha. në Tiranë, kudo, tek të gjitha institucionet për të kërkuar përgjigje për këtë situatë”- tha drejtori i rafinerisë së Ballshit, Aurel Stavre.

Të vendosur për të mos u tërhequr nga e drejta e tyre, përfaqësuesit e kompanisë bëjnë të ditur se janë pajisur edhe me leje të posacme për të protestuar sikundër e kërkon ligji.

“Kërkesa është bërë. Është paraqitur nga ana e ARMO, nga të dyja rafineritë, nga stafi drejtues dhe do vazhdohet të bëhet kërkesë jo vetëm për në Fier, por edhe për në Tiranë. Përshkallëzimi i protestës sonë paqësore do vazhdojë deri në Tiranë. Nuk do jenë më 3 mijë punëtorë, por 3 mijë punëtorë dhe familjet e tyre. Ne do vemi të kërkojmë të drejtën tonë në Tiranë dhe kudo tjetër me punëtorët dhe familjarët tanë”- tha drejtori i shitjeve në rafinerinë e Fierit, Ermir Kodra.

Drejtori i shitjeve në rafinerinë e përpunimit të thellë të naftës në Fier thotë se dëmi që po i shkaktohet kompanisë nga bllokimi i paprecedentë i punës është tejet i madh.

“Nga ana e shtetit nuk ka interes, por një neglizhencë të paparë. Ne jemi të ndaluar me urdhër verbal. Kosto e kësaj ndalese ditore që ne nuk arrijmë të trajtojmë naftë bruto, të punojmë, është 100 mijë dollarë në ditë. Çfarë përgjigje mund t’i japim ne 3 mijë punëtorëve kur ne nuk kemi asnjë shkresë ligjore”- tha Kodra.

Rafineritë e përpunimit të naftës, ajo e Fierit dhe e Ballshit përfaqësojnë dy nga uzinat më të rëndësishme të industrisë së hidrokarbureve në vendin tonë. Në kompaninë ARMO janë të punësuar mbi 3 mijë punëtorë që si burim të vetëm jetese kanë të ardhurat që fitojnë nga puna e ndershme në këto rafineri.

TV Albanian Screen, 15.07.2013