Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Parlamenti europian aprovon pezullimin e krediteve tepër të karbonit

Parlamenti Europian aprovoi pakësimin e numrit të krediteve të karbonit në bursën e karbonit me qëllim rritjen e çmimit të karbonit.

Çmimi i karbonit
Çmimi i karbonit në vitet e fundit është ulur shumë dhe ka pasur një tepricë kreditesh karboni, si pasojë e krizës së zgjatur ekonomike dhe e alokimit ndaj kompanive të sasive të mëdha të krediteve. Qëllimi i çmimit të karbonit është që kompanitë të inkurajohen të investojnë në teknologj më të pastra. Çmimi arriti deri në 2.5 euro/ton karbon, shumë më pak se 30 euro/toni i nevojshëm sipas analistëve për të pasur një impakt në emetimet e karbonit.

Në prill parlamenti europian refuzoi një masë të ngjashme, por këtë herë ato aprovuan shtyrjen e alokimit të një pjese të krediteve në periudhën 2013-2015.

Sipas Marcus Ferdinand, analist i lartë në Qendrën e Karbonit Tompson Rojters: “aprovimi i sotëm në parlament e surprizoi tregun. Aprovimi mban gjallë mundësinë e anullimit të plotë të krediteve brenda fazës 3 dhe tashmë vëmendja ka kaluar tek vendet anëtare si Gjermania, e cila është e pavendosur.”

Ndalimi i bumit në konsumin e qymyrit

Çmimi i ulët i karbonit së bashku me çmimin e lartë të gazit natyror është një ndër shkaqet e rritjes së konsumit të qymyrit për prodhim energjie në BE. Kjo ka rritur emetimet e karbonit të BE-së me 3% në vitin 2012, dhe parashikimet janë për vazhdimin e këtij trendi, sipas disa analistëve.

Tani drafti do të shkojë për miratim në Këshillin Europian, trupi përfaqësues i vendeve anëtare të BE-së, i cili duhet gjithashtu ta aprovojë. Vende si Polonia, Çekia e kundërshtojnë, sepse druhen nga impakti që mund të ketë tek industritë e tyre konsumatore të mëdhaja të energjisë.

Anders Nordeng, analist i lartë i Qendrës së Karbonit Tompson Rojters, komenton: “Duket se batica po rivjen në parlamentin europian dhe më shumë rëndësi tani ka pozicioni i Berlinit. Nuk presim që Berlini të prononcohet përpara zgjedhjeve të përgjithshme të shtatorit, prandaj zbatimi i masave me shumë mundësi do të fillojë nga mesi i vitit 2014”. Edhe nëse masa aprovohet, nuk është e qartë impakti që do të ketë në bursën e karbonit. Numri i krediteve të shtyra është vetëm sa gjysma e tepricës së krediteve dhe shtyrja zgjat vetëm deri në fund të vitit 2015.

Rita Strakosha – EKO Levizja, 09.07.2013