Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

BE: Nafta e keqe në Kosovë

Lajmi se Kosova ka cilësi të dobët të naftës ka mbërritur deri në Bruksel. Nga atje, i është kërkuar institucioneve të vendit që të marrin masa urgjente për të rritur kontrollin duke përforcuar ligjet dhe kapacitetet.

Në raportin e Progresit për Kosovën, është ngritur si shqetësim se cilësia e dobët e derivative dhe kontrolla e dobët teknike e automjeteve po shkaktojnë ndotje të konsiderueshme, shkruan Gazeta Fjala.

“Veprime urgjente duhen të ndërmerren në fushën e standardeve të ndotjes dhe kontrolla e ndotjes nga transporti, duke përforcuar legjislacionin në kontrollën teknike të makinave, kualitetin e naftës, si dhe në subtancat shteruese të ozonit dhe gazrave të flourit”, thuhet në raport.

Edhe vetë naftëtarët vlerësojnë se duhet marrë masa, derisa Gazeta Fjala është në pritje të komenteve nga institucionet kompetente.

Por, Komisioni Evropian në raportin për Kosovën vlerëson se nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të rregulluar cilësinë e naftës dhe ndotjen në përgjithësi. “Kapacitetet administrative dhe aktivitetet ne ngritjen e vetëdijesimit duhet të përforcohet konsiderueshëm”, thuhet në raport.

Nafta në Kosovë nuk kontrollohet fare

Kritikat për cilësinë e naftës nga Bashkimi Evropian i sheh shumë me vend kryetari i Shoqatës se Naftëtarëve të Kosovë, Fadil Berjani.

Ai ka thënë për Gazetën Fjala se gjendja është edhe më alarmante, kur dihet se nuk ka fare kontrolle të cilësisë nga institucionet përkatëse.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë funksionon sipas tij vetëm me disa trupa inspektues të cilat vetëm e lexojnë dokumentacionin rreth naftës, por nuk kryhet kurrfarë kontrolli në laboratore.

“Këto trupa inspektuese deri tani vetëm kanë lëshuar certifikata konformiteti pa e kontrolluar cilësinë e naftës. Ne, si shoqatë, e kemi ngritë zërin edhe të ministres Bajrami që të largohen këta trupa inspektues dhe këtë punë ta merr Dogana e Kosovës, e cila do të kryente më pas kontrolle nëpër laboratore testuese”, ka thënë Berjani.

Sipas tij, ministrja Bajrami nuk ka arritur të bëjë asgjë sa i përket rritjes se cilësisë se naftës, përkundër premtimeve.

“Ministria që udhëheq Bajrami e kontrollon 2 për qind cilësinë e naftës. Ministrja ka dhënë premtime se trupat inspektues do të largohen, por as pas 3 vjet e gjysmë nuk janë largu”, thotë Berjani.

Ndërsa për pronarin e HIB Petrolit, Ibrahim Bucaliu, problemi më i madh tek cilësia e naftës është mungesa e ligjit, i cili nuk ka arritur të kaloj në Kuvend.

Deri sa të mos këtë Ligj që e rregullon këtë çështje, Bucaliu thotë se iu mbetet në vullnetin e bizneseve se prej nga do ta importojnë naftën.

Problem tjetër sipas tij është mungesa e një laboratori shtetëror për cilësi.

“Ne e importojmë naftën nga rafineri me siguri të lartë. Kryesisht në Greqi dhe nga Gaspromi. Por në mungesë të ligjit kjo njëherë ka mbetur në vullnetin e secilit”, thotë Bucaliu.

Ai pajtohet se këtë punë duhet ta marr në dorë shtetit përmes krijimit të infrastrukturës ligjore dhe mekanizmave adekuat për kontroll të cilësisë.

“Laboratorëve privat unë nuk iu besoj”, shprehet Bucaliu, derisa shton se nafta në HIB është cilësore dhe se asnjëherë nuk ka pasur ankesa nga klientët.

90 për qind e veturave në Kosovë mbi 18 vjet

Shqetësim për vendin, në raport përmendet edhe ndotja nga automjetet, të cilat në Kosovë vlerësohen që më afro 90 për qind janë të vjetra.

Sipas Ministrisë se Punëve të Brendshme në Kosovë, thuhet se automjete aktive në vend janë mbi 385 mijë. Kurse 308 mijë automjete janë regjistruar në vitin 2015, që përfshin regjistrimin e parë të automjeteve, vazhdimin e regjistrimit të automjeteve, legalizimin e automjeteve, si dhe ri regjistrimin e automjeteve.

Në një raport të Institutit për Studime të Avancuara GAP thuhet se mesatarja e vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vite, apo 10 vite më shumë se sa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda Bashkimit Evropian.

Ndërkaq në Ministrinë e Mjedisit kanë thënë për medie se të gjitha automjetet të cilat dalin në qarkullim duhet t’i plotësojnë standardet për lirimin e gazrave.

Kosova vazhdimisht edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare është theksuar se gjendet në pozitë të rëndë mjedisore.

Sipas një analize të mëhershme të Bankës Botërore, është thënë se një realitet i tillë e rendit Kosovën në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Ndotja e ajrit, ujit dhe tokës në Kosovë, thuhet se kanë marrë përmasa alarmante dhe gjendja po keqësohet çdo ditë e më shumë.

Gazeta Fjala,  16.11.2016